Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi sot përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të asgjësuar institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përmes një projektligji të ri që, sipas tij, synon centralizimin total të pushtetit në duart e qeverisë.
Berisha theksoi se me këtë projektligj të shpërndarë gjatë muajit gusht, qeveria po ndërhyn në mënyrë të paprecedentë mbi institucione të pavarura kushtetuese si forcat e armatosura, universitetet publike dhe përfaqësitë diplomatike, duke i vendosur nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Këshillit të Ministrave.
Ai e cilësoi këtë një “paçavure juridike” dhe një akt flagrant të uzurpimit të pushteteve në kundërshtim me Kushtetutën.
Deklarata
Për ata, të cilët duke parë një grup të vogël opozitar në parlament, në këshilla dhe një grup të vogël gazetarësh që në diktaturë autokratike, qëndrojnë kundër saj, shqiptarëve u rikujtoj se sot nga 220 mijë rrogëtarë që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, 98 përqind e tyre i përkasin partisë shtet, emërtesë e partisë shtet, emërtesë e Edi Ramës, në të gjithë vendin.
Pra, nuk është një monizëm total, por është pothuaj një monizëm i plotë.
Megjithatë duhet pranuar se dallimi esencial midis diktaturës totalitare dhe diktaturës autoritare është se e para me ligj nuk e pranon pluralizmin, e dyta e pranon, por e shtyp atë me institucione.
Së dyti, tipari më kardinal i çdo diktature është përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë.
Nuk ka përqendrim më të madh pushteti se të kesh emëruar 98 përqind e të gjithë piramidës shtetërore dhe administratës publike, duke filluar nga presidenti i Republikës, tek kryegjykatësit, kryeprokurorët, etj me radhë.
Por siç është në natyrën e diktatorëve, qoftë autokratë, qoftë autoritarë, etja për pushtet e tyre është e pakufishme. Nuk njeh kufi.
Edi Rama ka shpërndarë këto ditë gushti një projektligj për administratën shtetërore, një paçavure e vërtetë, i cili në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një shgarravinë të vërtetë.
Por shumë më e rëndë është në parimet që këto ndryshime të ligjit ekzistues për administratën shtetërore sjellin.
Administrata aktuale shtetërore funksionon mbi bazën e ligjit 90 të shtatorit të vitit 2012, ligj i cili pa mëdyshje mund të amendohet si çdo ligj tjetër, mund të abrogohet, mund të zëvendësohet.
Por kur amendohet duke shkelmuar parimet e funksionimit të administratës shtetërore, duke shkelmuar parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, kjo përbën një atentat të ri ndaj asaj ndarje pushteti që ka mbetur në letër dhe përpjekje demoniake e Edi Ramës për të futur në duart e tij çdo pushtet që ka mbetur me sadopak autonomi.
Po ju rikujtoj, po ndalem tek kjo.
Në nenin 1 të ligjit 90, 2012, thuhet: qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri ligjor të njëjtë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e këshillit të ministrave.
2. Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit dhe forcat e armatosura nuk janë pjesë e fushës së veprimit të këtij ligji.
Po pse? Sepse ato janë institucione kushtetuese, të cilat kanë një vartësi kushtetuese, të cilat kanë një bashkëndarje të pushteteve, pra në këto institucione, në qoftë se studion statusin e tyre, ka një kompetencë presidenti i Republikës, ka një kompetencë shefi i shtabit të përgjithshëm dhe shtabi i përgjithshëm, ka një kompetencë bordi i universiteteve.
Pra, çfarë thuhet në ligjin që sjell Edi Rama?
Pika 2 e nenit 1, e ndryshuar si vijon: Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit si dhe forcat e armatosura janë pjesë e administratës që rregullohen me ligj të posaçëm.
Prisni.
Në kuptimin më të gjerë, administratë shtetërore është çdo rrogëtar i këtij shteti.
Por fusha e veprimit të ligjit për administratën publike ka të bëjë me këshillin e ministrave.
Fusha e veprimit për institucionet e arsimit të lartë është një ndarje mes këshillit të ministrave, presidentit të Republikës dhe bordeve.
Fusha e veprimit mes forcave të armatosura është një ndarje midis shefit të shtabit të përgjithshëm, presidentit të Republikës dhe kryeministrit.
Në qoftë se ti merr dhe i fut këto dinakërisht në ligjin për administratën shtetërore, por që kanë për zot kryeministrin e vendit, ti faktikisht asgjëson këto si institucione kushtetuese dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh, por që ky nuk e ka për gjë që të marrë policinë ushtarake dhe ta çojë të bllokojë një televizion në një akt antikushtetues. Në një keqpërdorim absolut antikushtetues të forcave të armatosura.
Por ka një president që për bëmat e tij dhe gjëmat e tij është i paqenë.
Pra, tani me këtë ligj Edi Rama kërkon të përligjë post-factum dhe të hapë rrugën për vendime dhe akte të tilla në rastin e forcave të armatosura.
Theksoj se në Kushtetutë, shtabi i përgjithshëm është institucion kushtetues.
Se në buxhetin e shtetit është institucion me buxhet të veçantë nga ministria.
Inkludimi i forcave të armatosura në ombrellën e këtij ligji, legjitimon keqpërdorimin e tyre në çdo rast për interesa mafioze apo të pushtetit të Edi Ramës.
Por ka edhe një qëllim tjetër madhor. Qëllimi madhor tjetër janë pronat e ushtrisë.
Siç jeni në dijeni, pronat e ushtrisë, të cilat ndahen në dy grupe, njëri grup i pronave të ushtrisë që është në funksion të planit të shpërndarjes, ato janë të paprekshme. Janë të patjetërsueshme. Për sa kohë mbahen në planin e shpërndarjes.
Plani i shpërndarjes së forcave të armatosura përbën sekretin më të rëndësishëm aktual të forcave të armatosura. Ai plan firmoset nga presidenti dhe mbahet nga ai dhe shefi i shtabit.
Siç është faktuar, gjatë këtyre viteve të fundit janë dhuruar nga Edi Rama biznesmenëve të afërt me të dhe ortak me të, porte ushtarake, prona ushtrie të panxjerra nga presidenti i Republikës, pa u pyetur fare presidenti i Republikës.
Përbën një krim të rëndë që mbrohet nga Altin Troplini.
Tani, i gjetur para këtij fakti, që ka një ligj, i cili ndalon tjetërsimin e një prone ushtrie që është në planin e përhapjes së forcave të armatosura, Edi Rrama kërkon që këto atribute t’i marrë vetë.
Interesat e tij qëndrojnë pikërisht në një nga shkaqet më themelore në përfshirjen në ombrellën e këtij ligji të forcave të armatosura. Ky është një atentat ndaj Kushtetutës. Ky është një akt mafioz shumë i rrezikshëm që kërcënon sigurinë kombëtare, sepse ata të cilët ndërtojnë planin e përhapjes së forcave të armatosura, ata kanë parasysh mbi të gjitha rreziqet potenciale të sulmeve dhe pikat më të rëndësishme strategjike që ushtria duhet të ketë në dispozicion në çdo rast për të përmbushur misionin e saj.
Për Edi Ramën, mbrojtja dhe siguria e një vendi anëtar të NATO-s, është e parëndësishme në krahasim me ambiciet e tij mafioze për pasurimin e vet dhe të klaneve afër tij.










Discussion about this post