Emri i kompanisë “IDEA –TEL” e Idlir Karkinit prej dy dekadash lidhet me dy afera: sistemet e radarit detar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe rrjetin dixhital për RTSH-në.
Në këtë serial është futur së fundmi të luajë rolin e saj edhe drejtoresha e RTSH, Eni Vasili. Më 22 gusht 2025, ka lidhur kontratë me tender sekret në favor të Idlir Karkinit.
Drejtoria e Përgjithshme e RTSH zgjodhi procedurën “Me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, për t’i dhënë Karkinit jo pak, por më tepër se 1.1 miliard lekë.
Objekti i tenderit sekret është “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 150 ditë ”

Fondi Limit i caktuar nga drejtoria është 93,204,982.5 lekë pa tvsh për 5 muaj shërbim mirëmbajtje, ndërsa vlera totale e kontratës, pas “negociatave” duke shtuar TVSH shkoi në 111.600.000.00 lekë.
Pse u zgjodh kjo procedurë?
Ky lloj prokurimi bëhet në raste emergjencash sipas ligjit. Në njoftimin e kontratës është shënuar sqarimi se veprimi i drejtoreshë Eni Vasilit mbështetet në Nenin 47, pika 1/c të Ligjit për Prokurimet.

“c) kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti ose enti kontraktor, afatet kohore për procedurat e hapura, procedurat e hapura të thjeshtuara, procedurat e kufizuara, shërbimet e konsulencës, procedurat konkurruese me negocim ose procedurat me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit, nuk mund të respektohen. Rrethanat e përmendura për të justifikuar nevojën ekstreme nuk duhet të shkaktohen në asnjë rast nga autoriteti ose enti kontraktor.
Për kontratat e nënshkruara në përfundim të një procedure prokurimi sipas kësaj shkronje, nuk mund të përdoret procedura me negocim, pa shpallje paraprake për mallra, shërbime ose punë shtesë, sipas parashikimeve në këtë nen”, citojmë ligjin.
Përdorimi i këtij neni për justifikim duket si gabim që ka bërë stafi i Vasilit në përcaktimin e bazës ligjore, sepse më sipër kufizohet dhe ndalohet kryerja e këtij tenderi në kushtet që ka RTSH për marrjen e shërbimit DVB T-2. “Emergjenca” është krijuar nga shtyrje dhe anulimet e tenderit, që janë veprime të drejtoreshës dhe të paraardhëses së saj.
Por le t’ia lëmë organeve të tjera kontrolluese dhe hetimore ta shikojnë këtë pikë dhe të merremi me rrugën se si erdhi deri këtu vendimmarrja e Vasilit.
Drejtoresha e kishte anuluar tenderin strategjik të RTSH për shërbimin DVBT-12 me vlerë afro 10 milionë euro, pas shumë ankesave të pjesëmarrësve në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP). Por më 21 korrik 2025, Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH për anulimin e tenderit dhe skualifikimin e njërës prej kompanive. Çështja është nisur nga Jonaid Myzyri, por meqenëse u shkarkua nga SPAK, komisioni ka marrë vendim nën drejtimin e nënkryetarit Fiorent Zguro.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me fond limit 907,816,536.8 lekë pa TVSH ose 9,156,914.8 euro pa TVSH (bazuar në kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë – 99,14 lekë/euro më datë 06.03.2025). Procedura është zhvilluar më datë 7 prill 2025, nga Drejtoria e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar.
Sipas dokumenteve, rezulton se në datën 28 prill 2025, autoriteti kontraktor ka njoftuar operatorët ekonomikë pjesëmarrës mbi rezultatet e vlerësimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si më poshtë:
“TBS 96” SHPK 761,420,000 lekë skualifikuar
“R & T” SHPK 7,998,000 euro skualifikuar
BOE “Idea Tel” SHPK & “Real Com” SHPK 900,000,000 lekë skualifikuar
Kompania “R & T” SHPK me pronar Renis Tërshanën, sipas vendimit të RTSH, nuk ka kapacitet teknik për ta mirëmbajtur rrjetin. “Referuar ekstraktit të QKB, R&T nuk e ka objektin e prokurimit ne objektin e shërbimeve që ofron”, citojmë dokumentin e RTSH.
“Çdo operator ekonomik që do të angazhohet për mirëmbajtjen e kësaj infrastrukture, duhet të zotërojë kapacitete të larta teknike, menaxheriale dhe operacionale, të dëshmuara përmes përvojës së ngjashme në menaxhimin e rrjeteve të transmetimit televiziv. Pas shqyrtimit të kontratave dhe dokumenteve të paraqitura nga kompania R&T shpk, konstatohet se:
Asnjë nga kontratat e paraqitura nuk dëshmon eksperiencë direkte ose të ngjashme me mirëmbajtjen e rrjeteve të transmetimit të sinjalit televiziv në standardin DVB-T2 ose sisteme të ngjashme për shembull DVB T2”, shkruhet në argumentimin për skualifikimin e kompanisë së Renis Tërshanës.
Kompania gjermane ofruese e rrjetit dhe mbështetëse në mirëmbajtje, u përjashtua pas presioneve dhe mosrespektimit të pagesave nga ana e RTSH-së. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të mbajtur funksional rrjetin, vendimet arbitrare dhe mungesa e transparencës çuan në tërheqjen e tyre. Ndërkohë, kompania e re e përzgjedhur, sipas të dhënave publike, nuk ka as autorizim nga prodhuesi e as trajnim të stafit teknik për mirëmbajtjen e pajisjeve.
Së pari, vendimi e konsideron të padrejtë skualifikimin dhe anulimin nga RTSH dhe i jep urdhër këtij institucioni të lidhë kontratën 4-vjeçare me R&T.

Së dyti, eliminohen në KPP edhe dy konkurrentët e Renis Tërshanës, “Idea Tel” shpk dhe “Real Com” SHPK, të cilëve u rrëzohet ankesa. Operatori tjetër në këtë garë, “TBS 96” SHPK, që ka ofertën më të ulët, nuk është ankuar dhe ka pranuar vendimin e RTSH për skualifikim.
Për të tejkaluar vendimin e KPP që e urdhëroin Eni Vasilin të kualifikojë ofertën e Renis Tërshanës, gjendet zgjidhja tek “emergjenca”. Klienti i vjetër i tenderave RTSH-së, Idlir Karkini, pronar i kompanisë “IDEA-TEL” shpk, për momentin do të marrë 1.1 miliardë lekë.
Kush është Idlir Karkini?
Përgjigja e pyetjes i jep shpjegim veprimeve të drejtoreshës Eni Vasili me këtë tender, që duken si porosi nga lart. Idlir Karkini është raportuar nga KLSH si biznemen që ka cenuar sigurinë kombëtare duke mos zbatuar kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes për mbajtjen në funksion të radarëve të hapësirës detare.
Dokumentet zyrtarë të rrjedhur nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë se mirëmbajtja e sistemit të radarëve detarë është një histori e mbushur me tendera të dyshimtë dhe abuzime të mëdha financiare.
Në vitin 2011, kur pas largimit të gjigantit amerikan “Lockheed Martin” në lojë hyn kompania shqiptare “Idea Tel” me administrator Idlir Karkinin. Në gusht të vitit 2011 komanda e forcave detare përmes një tenderi të sekret i jep kompanisë “Idea Tel” mirëmbajtjen e radarëve një periudhë 4 mujore deri në fund të vitit me vlerë 487 mijë dollarë.
Ndërkohë për 2010-ën, sistemi ishte mirëmbajtur nga “Locked Martin” për të gjithë vitin me vetëm 330 mijë dollarë. Kontrata me “Idea Tel” e forcave detare u gjet në shkelje nga një audit i Ministrisë së Mbrojtës. Përveç shkeljeve financiare, kontrollet e mëvonshme për zbatimin e saj treguan se radarët nuk mirëmbaheshin siç duhej dhe disa prej tyre ishin jashtë funksionit.
Pas këtyre shkeljeve Ministria e Mbrojtjes e përjashtoi kompaninë nga pjesëmarrja në tenderin për radarët. Por “Idea Tel” rikthehet sërish në lojë në vitin 2013.
Në gusht të 2013-ës, kur kishin përfunduar zgjedhjet por ishte ende në pushtet qeveria e Partisë Demokratike, Ministria e Mbrojtjes zhvilloi një tjetër tender, këtë herë të hapur. Për mirëmbajtjen e radarëve dhe rivënien e tyre në gatishmëri të plotë me fond limit 560 mijë dollarë. Fituese u shpall kompania shqiptare “AR and TI”.
Por dy javë pas formimit të qeverisë, ish ministrja Mimi Kodheli e anuloi tenderin. Një muaj më vonë, qeveria miraton një vendim për ribërjen e tenderit, saktësisht me të njëjtin objekt, por fondi limit u rrit me 50 për qind nga 560 mijë dollarë në 850 mijë dollarë.
Tenderi sekret u bë pa garë, sipas një procedure ku ministria e mbrojtjes ftoi kompanitë e përzgjedhura nga vetë ajo që të bënin ofertë. Nga ftesat u përjashtua “Lockheed Martin” dhe tenderi u fitua pikërisht nga “Idea Tel” në një bashkëpunim të paqartë me italianen “Gem electronica”. Çmimi fitues rezultoi saktësisht sa fondi limit pra 850 mijë dollarë ose 50 për qind më i lartë nga tenderi i anuluar vetëm 4 muaj më parë. Ministria e Mbrojtjes jep pak të dhëna në lidhje me këtë kontratë sepse e klasifikon si sekret.
Çështja e radarëve shpërtheu publikisht në vitin 2015 kur një audit i KLSH gjeti se procedura ishte e paligjshme. Sipas KLSH, Ministria e Mbrojtjes duhet të bënte tender të hapur dhe të thërriste në garë kompaninë “Locked Martin”, e cila përveçse ndërtuesja e sistemit më parë e kishte mirëmbajtur atë për vetëm 220 mijë dollarë në vit.
Por rritja e kostos nuk ka qenë abuzimi i vetëm në tender sipas institucioneve shtetërore. Më vonë një raport kontrolli i AKEP gjeti se një pjesë e madhe e radarëve të instaluar nga “Idea Tel” funksiononin në frekuenca të paautorizuara, ndërsa një audit i vetë Ministrisë së Mbrojtjes gjeti se funksionimi i radarëve ishte problematik.
Në vitin 2015, Karkini shfaqet sërish dhe merr tenderin 8.8 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit dixhital qe ende nuk është i ndërtuar. Kontrata u dha pa zhvilluar tender, siç po vepron drejtoresha Vasili në këtë rast.
Në shkurt 2018, ndaj Idlir Karkinit merret masa e arrestit në mungesë nga Gjykata e Kavajës. Karkini akuzohej për tjetërsim pronash në Spille në territorin e Ministrisë së Mbrojtjes “Poligoni i qitjes”. Abuzim për të cilin u lanë në burg pesë zyrtarë të Bashkisë së Rrogozhinës dhe hipotekës së Kavajës, ndërsa në hetim është marrë edhe kryebashkiaku i atëhershëm Beqir Nuredini të cilit iu bllokua pasaporta.
Ndërsa vazhdimi i tenderit strategjik të RTSH për transmetimet me dekodera DVBT12 duket një telenovelë e gjatë korrupsioni, që do të vazhdojë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post