GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Breaking Views

QKUM i do ambulancat me urgjencë, por tenderi 1.5 miliard lekë bllokohet për Dulakun dhe Nikun e Ndraghetës

13:56 - 29/09/25
në Breaking Views, Fact-Checking & Analize, Kryesore2, Të fundit, Të Gjitha
Kohë leximi: 8 min
A A
QKUM i do ambulancat me urgjencë, por tenderi 1.5 miliard lekë bllokohet për Dulakun dhe Nikun e Ndraghetës
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Nuk ka institucion më të korruptuar se sa Komisioni i Prokurimit Publik, i cili formalisht varet nga Kuvendi, por zgjidhet me propozim të Kryeministrit. Këtë nuk e thonë vetëm dosjet e SPAK që ka marrë të pandehur ish-kreun e këtij institucioni, Jonaid Myzyri. Fenomeni pranohet edhe nga Rama, që ka prezantuar ministren që do të zëvendësojë KPP-në.

Dhe ndërsa Diella shëtit nëpër konferenca me Ramën, KPP vazhdon me pazaret. Rasti tenderit të ambulancave, është një i tillë. Komisioni nuk do t’ia dijë se duhen blerë me urgjencë ambulancat e Urgjencës, por kërkon me patjetër që prokurimi të anulohet dhe të bëhet siç e do Niku i Ndraghetës dhe oligarku Artan Dulaku.

Pas shumë zvarritjesh, ishte vendosur që në datën 8 shtator të mbahej tenderi me objekt “Blerje autoambulanca (me sisteme, pajisje dhe aparatura mjekësore) për shërbimin e urgjencës mjekësore për QKUM, me fond limit 146,315,245 lekë pa TVSH.

Por Fiorent Zguro (zyrtari që zëvendëson Jonaid Myzyrin e shkarkuar nga SPAK) i thotë “anulim loje” Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Jo vetëm kaq. KPP i vonon shqyrtimet deri në limitin e afateve, me qëllim që autoritetet kontraktore të jenë të detyruara të vazhdojnë sipas tekave dhe pazareve, mjaft që të shpenzojnë fondin e planifikuar.

“Duke pasur parasysh kohën e shkurtër që na ka ngelur në dispozicion për fondet si edhe nevojat urgjente për autoambulanca, lutemi një përgjigje nga ana juaj…[…]. …]”, i shkruan QKUM, Fiorent Zguros që nuk e lëshon tenderin e mbërthyer. Ky i ka marrë copy paste dhe i ka pranuar kërkesat për kushtet e tenderit nga “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” ShPK, kompania e Besnik Halilit dhe Albania Motor Company, e vëllezërve Dulaku.

Kërkesat e oligarkëve

Kërkesa kryesore e GTS lidhet me garancinë e autoambulancave. Halili e ul në 2 vjet nga 4 vjet afatin e garancisë që e kërkon QKUM në procesverbalin e argumentimit të kritereve.

Me sa duket, Halili ka kapur një lapsus në formulimin e kushtit për garancinë tek kriteret e kualifikimit, në gjuhën shqipe. “Duke qene se autoambulancat duhet të kenë garanci nga prodhuesi ose distributori i autorizuar prej tij 2 vjet, për pjesën motorike, mekanike, elektrike e të tjerë, operatori ekonomik duhet të paraqesë një preventiv të shërbimeve të mirëmbajtjes profilaktike periodike që kanë të nevojshme këto autoambulanca për periudhën e garancisë”, shkruhet në dokumentet standarde të tenderit.

Ndërsa në variantin anglisht të procesverbalit, kjo pikë është përcaktuar: “garancia jo më pak se 4 vjet ose 100 mijë kilometra”. Por propozimi i Besnik Halilit është që garancia e autoambulancave të jetë 2 vjet, nga 4 vjet që është kërkesa. “2-vjetëshi” që ka gjetur gabim Halili lidhet thjesht me mirëmbajtjen, e cila nuk futet në çmim.

Një kërkesë tjetër që ka bërë GTS është ndryshimi i kriterit për inxhinierin mekanik me disa specializime, që duhet të ketë operatori ekonomik në stafin e vet. Propozimi është që edhe teknik i mesëm mund ta bëjë këtë punë, madje edhe me profil biomjekësor.

Ndërsa kërkesa kryesore e Ardian Dulakut është të mos vendoset kufiri për fuqinë motorike jo më e vogël se 2100cc.

Zguro e qep tenderin siç e duan oligarkët

Më 15 shtator 2025,  KPP vendosi që Autoriteti kontraktor të kryejë modifikimet dhe të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik, për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi ka dështuar të zbatohet për shkak të teknologjisë, siç mësojmë nga korrespondenca e QKUM me KPP. Siç ka ndodhur shumë herë kohë e fundit, platforma online e tenderave del jashtë funksionit ose punon në mënyrë të kufizuar. Më datë 22 shtator 2025, QKUM dërgon shkresën “Kërkesë për Asistencë” drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik.

QKUM informon në mënyrë të përmbledhur se […]QKUM pasi u njoh me vendimin më datë 08.09.2025 bëri rishikimet sipas këtij vendimi, por e ka të pamundur të kryejë pezullim ose anulim të procedurës pasi ka skaduar koha ligjore për të kryer veprimet. Ditën e sotme duke tentuar përsëri për të zbatuar vendimin tuaj nuk e kishim të mundur të vepronim në sistem….lutemi një përgjigje nga ana juaj…[…]. …]

Me stilin e Shvejkut, nënkryetari Zguro argumenton: Referuar shkresës sipërcituar si edhe verifikimeve në SPE, autoriteti kontraktor nuk ka publikuar shtojcën mbi modifikim të dokumenteve të tenderit. Komisioni gjykon, se Autoriteti Kontraktor duhet të anulojë procedurën e prokurimit, të dërgojë pranë KPP-së kopje të DST së re (shqip dhe anglisht) me ndryshimet përkatëse.

Po të mos ishte fjala për një tender 1.5 miliardë lekë të paguar nga taksat tona do të qeshnim me këto lloj korrespondencash.

Dhe më tej vijohet me vendimin: Të mos lejojë autoritetin kontraktor me vijimin me hapa të mëtejshëm të procedurës së prokurimit me objekt “Blerje autoambulanca (me sisteme, pajisje dhe aparatura mjekësore) për shërbimin e urgjencës mjekësore për QKUM.

Hetimet për Besnik Halilin

Besnik Halili është bërë i njohur për publikun pas daljes së përgjimeve italiane të Ndraghetas, ku thirrej me shkurtimin Niku dhe kishte rolin e ndërmjetësit për leje ndërtimi në kryeqytet për kullat e mafias.

Zyrat e Grupit “G.T.S” në Shqipëri që administrohen nga biznesmeni Besnik Halili, i cili zotëron monopolin e tregtimit të oksigjenit të lëngshëm dhe kompresuar, i janë nënshtruar një vale kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

Hetimi nr.17 i rregjistruar kryesisht nga SPAK në datën 25 janar 2021, brenda katër viteve ka kryer një seri verifikimesh, ku është duke u verifikuar nëse zyrtarë të Ministrive të ndryshme në bashkëpunim me punonjës të kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kanë paracaktuar kriteret dhe format e procedurave tenderuese, duke shpallur fituese në të gjitha rastet kompaninë e oksigjenit të Besnik Halilit.

Hetimi i këtij rasti ka nisur pas shkrimeve në media lidhur me bisedat e transkriptuara nga Autoritet Italiane të Drejtësisë, nga të cilat rezulton se italianët e klanit mafioz “Ndragheta”, Antonio Gallo, Antonio Speziali dhe Claudio Larusa, flasin për një person shqiptar i njohur prej tyre me emrin “Nik”, i cili sipas bisedave, kishte lidhje në Bashkinë Tiranë dhe mund të siguronte leje ndërtimi të objekteve të reja që po ndërtoheshin në qëndrën e Tiranës kundrejt rryshfetit të dhënë tek punonjësit e Bashkisë Tiranë.

Po kështu, sipas bisedave, personi i cili njihej me emrin “Niku” kishte marrë pjesë dhe ishte shpallur fitues dhe në disa tendera të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, ku sipas mediave operonte kryesisht në fushën e furnizimit të spitaleve me oksigjen.

Nga verifikimet e bëra nga SPAK, ka rezultuar se personi i njohur me emrin “Nik” është Besnik Halili, i cili është themeluesi dhe administratori i shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”

Halili rezulton të ketë ngritur një zinxhir kompanish si “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, ”Hydro Energy Sotira”, “Idro Energia Pulita”, “Adr-Trans”, “Green Tech”, “N3H”, “Messer Albagaz”, “Sofigaz”, “Sapio Produzione Idrogeno” ku në disa prej këtyre qëndron si pronar në hije, duke kryer dhjetëra transaksione të dyshimta. Përmes këtyre kompanive, SPAK dyshon dhe po heton nëse janë lëshuar fatura fiktive duke sjellë transaksione bankare për fshehje.

Sipas dosjes hetimore rezulton se nga periudha e vitit 2014 deri në vitin 2020, shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” që administrohet nga Besnik Halili, ka lidhur 223 kontrata, kryesisht në furnizimin me gazra teknike mjekësore, ndër të tjera me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe me Drejtoritë e Spitaleve Rajonale.

Gjatë hetimit të këtij rasti SPAK, ka kërkuar nga Agjensia e Prokurimit Publik, të gjitha kontratat që janë lidhur me këtë subjekt.

“GTS-Gazra Teknike Shqiptare” është një shoqëri e krijuar nga shoqëria italiane S.O.L s.p.a dhe më saktë kjo e fundit ka 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”. “…në këto rrethana shoqëria “S.O.L” s.p.a funksionon si një shoqëri guaskë…”-thuhet në dosjen e SPAK.

Të nisur nga dyshimet të forta se punonjës të kompanisë dhe zyrtarë shtetërorë kanë paracaktuar në tavolinë tenderat me vlera miliona euro, në datën 20 Maj 2024, SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në zyrat e biznesmenit Besnik Halili dhe tek rrethi i punonjësve të kësaj kompanie.

SPAK dhe BKH, kanë kryer bastisje në zyrat e grupit “S.O.L”, duke sekuestruar prej andej kompjuterat, dokumenta dhe aparate telefonike.

Veprimet e SPAK janë kryer nga prokurori Sotir Kllapi, i cili ka autorizuar 14 oficerë të BKH-së, për ekzekutimin e veprimeve kontrolluese.

Më konkretisht kontrollet janë kryer tek zyrat e kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kontroll personal i është bërë biznesmenit Besnik Halili, të cilit i është marë telefoni dhe sende të tjera elektronike.

Më tej kontrolli është kryer dhe tek bashkëshortja e Besnik Halilit, Luneda Sufali, e cila ka qënë ish-punonjëse e kompanisë së tij. Sufali aktualisht drejton Shërbimin Social Shtetëror.

Në nëntor të vitin 2015, Sufali dha dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Financave dhe u emërua Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, e cila në atë kohë drejtohej nga Blendi Klosi.

Më pas, në nëntor 2017, zonja Sufali do të emërohej Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, me firmën e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe vëllai i Besnik Halilit, Ergys Halili, i cili është administrator i kompanisë “NCI”, kjo e fundit ka kryer dhjetëra transferta të shumta parash me shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.

Telefonat dhe kompjuterat i janë marrë shtetasit Aldo Muça, administrator i kompanisë “N3H”, shoqëri e cila ka transferta të shumta bankare me kompanitë e administruara nga Besnik Halili.

Kontrollit i është nënshtruar dhe Gerti Idrizi, i cili është punonjës i “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe figuron si përfaqësues ligjor në QKB tek të gjitha shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.

Valës së kontrollit nuk i ka shpëtuar dhe Alban Zoraqi, Elona Hoxhafi, të cilët janë financierët kryesorë dhe njerëzit që kanë kryer veprime të transfertave bankare tek të gjitha kompanitë e administruara nga Besnik Halili.

Gjithashtu kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe tek Ardian Strazimiri, administrator i kompanisë “Sofigaz”

BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë “Messer Albagaz”, e cila në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.

Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë “Messer Albagaz”, i është marë telefoni dhe kompjuteri.

Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë “Messer Albagas”, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive “Messer Albagas” dhe “G.T.S”.

Oligarku Dulaku kap tenderat e makinave

Ndërkaq, vetëm gjatë viteve të fundit, Dulaku ka marrë afro 6 milionë euro tendera përmes kompanisë ALBANIA MOTOR COMPANY për mjete transporti, makina, goma, bateri etj. Albania Motor Company është një shoqëri që ka për objekt importimin, eksportimin, transportimin, shitjen, leasing, qiramarrjen apo qiradhënien dhe të gjitha operacionet e tjera tregtare që lidhen me automjetet tregtare dhe industriale, të çdo tipi dhe modeli. Ajo zotërohet nga dy aksionerë. Aksioneri i parë me 50 për qind të aksioneve është shoqëria Iner, e cila zotërohet nga vëllezërit Dulaku, ndërsa aksioneri i dytë është një kompani me bazë në Qipro.

Megjithatë lekët nga tenderat e administratës për makina janë vetëm “lekë për kafe” për oligarkun Dulaku, që prej 25 vjetësh ka kapur pjesë të rëndësishme të buxhetit të shtetit për ndërtime, koncesione dhe licenca.

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Etiketa: Artan DulakuBesnik HaliliFiorent ZguroQKUMtender

Lajme të lidhura

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës
Aktualitet

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës

23:17 - 04/12/25
Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA
Breaking Views

Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA

22:25 - 04/12/25
Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet
Breaking Views

Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet

22:10 - 04/12/25
Para
“Na ofenduat Diellën!” Zegjine Çaushi flet për herë të parë në Kuvend, duartrokitet edhe nga opozita

“Na ofenduat Diellën!” Zegjine Çaushi flet për herë të parë në Kuvend, duartrokitet edhe nga opozita

Discussion about this post

TË FUNDIT

Lista Serbe merr pushtetin në komunat veriore të Kosovës, të pranishme edhe forcat e KFOR
Kosovë & Rajon

Lista Serbe merr pushtetin në komunat veriore të Kosovës, të pranishme edhe forcat e KFOR

10:55 - 05/12/25

Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor...

Lexo më shumë
(VIDEO) Berisha nxjerr blof  Ramën: Kryeministri gënjeu në Londër për vizitën e tij në Rusi

“Pezullimi i Ballukut ka bllokuar qeverinë”, Berisha–Ramës: Mashtrim banal i kryehajdutit

10:49 - 05/12/25
Vrasja e Santiago Malkos, Apeli konfirmon dënimin për Blendi Tetën

Vrasja e Santiago Malkos/ Gjykata e Lartë prish vendimin, kthen për rigjykim Ilir Selmanin dhe Elvis Gaçaj

10:27 - 05/12/25
Takimet e Salianjit, reagon Berisha: Janë takime për interesa personale, s’kanë lidhje me partinë

Lëvizja për ndryshim e Salianjit trazon ujërat brenda Partisë Demokratike

09:44 - 05/12/25
Seanca paraprake për Erion Veliaj, biznesmeni Elman Abule paraqitet në GJKKO

Seanca paraprake për Erion Veliaj, biznesmeni Elman Abule paraqitet në GJKKO

09:38 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com