Ilirjan Celibashi i ka marrë “masat”, nëse nuk punojnë pajisjet dixhitale me të cilat bën votimin dhe numërimin gjatë zgjedhjeve e shpallura në 6 bashkitë! Dëmin do ta “paguajë” Avni Ponari i Sigalit.
KQZ zhvillon pa fund tendera të kushtueshëm, për aplikimin e teknologjisë në votime dhe asnjëhrë nuk ka krijuar besim tek procesi.Tani po bëhet sigurimi këtyre sistemeve. Nëse shkatërrohen nga ndodhi të paparashikueshme ose nga ndonjë sulm nga Irani, nga sot e tutje “përgjigjet” Avni Ponari. Të gjithë e dimë se si i paguan dëmet oligarku i sektorit të sigurimeve! Kompania e tij rrit fitimet dhe ul pagesat për dëmet, megjithëse numri i aksidenteve vjen në rritje. Tani i erdhi radha Ilirjan Celibashit të blejë shërbimet e Avni Ponarit me taksat e shqiptarëve.
“Sigurimi i disa sistemeve të informacionit dhe komunikimit që i shërbejnë aplikimit të teknologjisë në zgjedhje”, kështu quhet kontrata mes Ilirjan Celibashit dhe Avni Ponarit. Nuk dihen detajet e prokurimit, se cilat lloje të dëmeve mbulon Sigali, dhe në cilën masë do të jetë dëmshpërblimi. Po ashtu nuk dihet se kush e konstaton ngjarjen dhe si bëhet vlerësimi. Gjithsesi kontrata është lidhur tashmë dhe Thesari i Shtetit do të ketë bërë xhirimin e parave në llogarinë e Sigalit.
Më 17 shtator 2025 është shpallur fituesi dhe palët kishin 5 ditë kohë që t’i firmosnin letrat.
Tenderi nuk ka pasur nevojë të bëhet, pasi kompanitë e sigurimit funksionojnë së bashku si një kartel dhe cmimet i vendosin me marrëveshje. Në këtë tender ka marrë pjesë “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA” sh.a me ofertën 68,615,960 lekë pa TVSH; “INSIG” sh.a, me vlerë 69,659,948 lekë pa tvsh dhe “SIGMA VIENNA INSURANCE GROUP” sh.a, me propozimin 69,664,953 lekë pa tvsh.

Pra, tri oferta si tri pika uji, për të siguruar sistemet e KQZ-së. Pa u futur shumë në detaje, këto oferta mund të mbulojnë vetëm prishjen e ndonjë kamere ose skaneri, por sistemet e teknologisë dixhitale të identifikimit, votimit dhe numërimit kushtojnë shumë. Pra, larg qoftë, nëse këto dalin jashtë loje, këtu nuk hyn vetëm dëmi fizik, por mbi të gjitha pasoja morale dhe politike që sjell keqfunksionimi i procesit të votimit.
Për organizimin e zgjedhjeve 2025, u morën nga KQZ 137 milionë euro, ku pjesa më e madhe u prokuruan për sistemet dixhitale. Vetëm sistemi fundit i investuar në prill 2025 kushtoi 2.3 miliardë lekë ( pa llogaritur kostot e mirëmbajtjes). Më 10 prill, është bërë nënshkrimi i kontratës me objekt “Ngritjen e sistemit për regjistrimin e procesit të numërimit të votave në VNV, VNVJ dhe transmetimit në kohë reale në KQZ”. Njoftimi i marrëveshjes është bërë i ditur më 28 prill 2025 nga Agjencia e Prokurimit Publik. Tenderi ishte “sekret” me negocim pa shpallje paraprake. Për këtë është ndarë fondi limit 150,000,000 lekë pa TVSH, por siç mësojmë vlera e kontratës së firmosur është 176,729,832 lekë të reja përfshirë TVSH.
Paratë e shërbimit i shkojnë kompanisë së Renis Tërshanës “R&T” Sh.p.k.
Edhe në këto zgjedhje, Komisioni Rregullator ka në plan miratimin e përdorimit të kamerave regjistruese dhe monitorëve në qendrat e numërimit të votave.
Po ashtu, është gati vendimi për transmetimin me video në kohë reale të monitorimit të numërimit të votave nga jashtë dhe brenda vendit në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përdorimi i kamerave regjistruese e monitorëve (ekraneve), dhe sistemi i transmetimit video në kohë reale nga çdo vend i numërimit të votave në KQZ, do të bëhet në bazë të rregullave procedurale të miratuara me akt normativ nga Komisioni Rregullator.
I kënaqur nga bashkëpunimi me “R&T” shpk, Celibashi një ditë më pas, më 11 prill 2025, ka vendosur qershinë mbi tortën e Renis Tërshanës! I jep edhe 260 milionë lekë të tjera, sërish me kontratë sekrete.
Objekti i kontratës është “Shërbime tik live vote 2025 për brenda dhe jashtë vendit”.
Ky shërbim kushton 21,794,333 lekë pa TVSH, por siç mësojmë nga dokumentet e kontratës, vlera totale përfundimtare është 26,040,000 lekë me TVSH.
Dy ditë më pas, më 14 prill 2025, në vrullin e kontratave sekrete, Celibashi ka vazhduar me një marrëveshje, që e ka bërë sërish me procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit.
Objekti i kontratës së firmosur nga kreu i KQZ është “Shërbime të sigurisë kibernetike”. Mos u habisni, por siguria kushton shumë! Sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet, lekët nuk kursehen. Fondi limit i caktuar nga komisioni i Celibashit për tu siguruar nga hakerat është 17,300,000 lekë pa TVSH. Megjithatë vlera totale përfundimtare e kontratës është 19,680,480 lekë me TVSH.
Edhe po nuk funksionoi siguria kibernetike, në këto zgjedhje kemi “sigurinë” e Avni Ponarit!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post