Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ka deklaruar sot se përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë më 9 nëntor janë ndërprerë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në një dalje për mediat, Celibashi ka deklaruar se nëse përgatitjet për zgjedhjet do të vazhdonin, do të ishte shkelje e rëndë e Kushtetutës.
“Është pezulluar që ditën e djeshme. Në datën 9 nëntor është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë te tjera përjashto bashkinë e Tiranë.
Se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtuese merr një vendim apo një vendim tjetër nuk do të preferoja ta bëja sepse do të isha në pozitën e një komentatori. Në kapacitetin tim, mendoj që vlen të them se sa do të vijojmë. Kushtetuesja ka caktuar datën 31 për të vendosur mbi këtë çështje që mund të jetë vendimi përfundimtar, në çdo lloj versioni qoftë KQZ, qoftë Këshilli i Ministrave ose Presidenti s’do të shohin nëse do të ketë vend në secilin këto institucione, për të marrë vendime.
Nuk do te preferoj të flisja se çfarë duhet të bënin institucionet. Nuk është çështje ditësh, pasi kushtetuesja mund ta shqyrtonte edhe këto ditë ose edhe pas 31 tetor, nga pikëpamja e asaj që mund të prodhojë nga pikëpamja juridike nuk lidhet me datën si vetvete.
Procesi i përgatitjes së zgjedhjeve është një proces që kërkon një periudhë kohe të caktuar, në rastin e zgjedhjeve të pjesshme është e përcaktuar qartë se nuk do të bëhen jo më afër se 30 ditë që nga momenti që është bërë vakanca, dhe jo më shumë se 45 ditë pas shpalljes së vakancës. Zgjedhjet do të mbahen 30 ditë më vonë nga momenti i vakancës, tha Celibashi.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ditën e djeshme dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. Vendimi i Kushtetueses ka ardhur pasi, Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës si dhe dekretin e Begajt për zgjedhjet.
Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në 6 Bashki, përfshi dhe Tiranën. Dekretimi i Begajt për zgjedhjet në Tiranë erdhi një ditë pasi Kushtetuesja e quajti procesin të pezulluar. Ndërsa më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.
Tashmë Bashkitë që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme janë Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena.










Discussion about this post