Vjosa lumi i fundit i egër i Evropës u përdor për një super tender nga Mirela Kumbaro. Ajo bëri pazar për këtë projekt me firmën e babait të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi dhe kompanianë e Asllan Hastocit. Ky i fundit, i familjarizuar me kryeministrin pasi po “rijetëzon” vilën qeveritare në Dajt.
Objekti i kontratës është :“Qendra multifunksionale në Luginën e Vjosës” me fond limit 569,366,644.34 lekë pa TVSH. Pasi riformatohet qeveria dhe vjen kabineti “Rama 4”, ministria e Turizmit ndahet nga Mjedisi dhe i bashkohet Kulturës dhe Ekonomisë, që e drejton Blendi Gonxhe. Në ditët e fundit, para largimit, ministrja Mirela Kumbaro njoftohet nga kompanitë fituese se nuk u dalin paratë! Ndërtuesit i shkruajnë ministres, që u kanë dalë disa “detaje” në projekt, prandaj duhet shtuar fondi me më shumë se 1 milion euro!
Kështu, në kushtet e kësaj domosdoshmërie, që realizohet sic duhet “vizioni” për këtë projekt, më 1 shtator u firmos kontratë e re.

Dhe nuk i dihet se sa do të shkojë deri në fund ky projekt, sepse e ka marrë në dorë Blendi Gonxhe, që e njeh erën e parasë më mirë se të gjithë anëtarët e kabinetit.
Shoqëria mbikëqyrëse e punimeve BOE “Arabel – Studio” sh.p.k. dhe “S&L Studio” sh.p.k. i shkroi ministrisë më datë 30 korrik 2025, ku i ka paraqitur relacionin teknik, në të cilin janë paraqitur dhe prezantuar të gjitha shkaqet teknike që kanë çuar në nevojën për këtë modifikim kontrate. Pjesë e kësaj korrespondence janë edhe propozimet e kontraktorit “I.D.K – KONSTRUKSION” sh.p.k. e Bajram Dalipajt dhe “HASTOÇI” sh.p.k. e Asllan Hastocit në lidhje me ripunimin e projektit me qëllim përmbylljen e punimeve të objektit “Qendra Multifunksionale në Luginën e Vjosës”.
Propozimet, të cilat janë shqyrtuar dhe miratuar nga Mbikqyrësi i Punimeve janë bërë për arsye të ndryshimeve në volume punimesh të nënvlerësuara në preventivin fillestar, duke sjellë nevojën për sasi më të mëdha në zbatim real; Së dyti, paska elementë arkitektonikë dhe funksionalë të përfshirë në projekt, por të pa reflektuar në preventiv nga stafi i Kumbaros.
Këtu fillon drama 1 milion euroshe. Komisioni i ngritur me urdhër të Mirela Kumbaros, i ka analizuar dhe i ka marrë në shqyrtim problematikat e evidentuara dhe propozimet e paraqitura dhe ka tundur kokën aprovuese.

Vlera e punimeve sipas projektit të tenderuar: është 546,097,766.65 lekë pa TVSH (përfshirë dhe fondin
rezervë prej 23,440,766.22 lekë pa TVSH). Babait të Blendian Dalipit nuk i del fondi rezervë, por kërkon 1 milion euro shtesë.
Vlera e punimeve që i shtohen vlerës së preventivit të kontratës së tenderuar është 108,165,768.31
lekë pa TVSH. Për një gabim aritmetik 2 % të vlerës së fondit limit nuk pranohet ofeta e operatorëve ekonomik më tender. Kurse ministrja e ka marzhin e gabimit mbi 20%. E po ministret e kanë dorën e rëndë kur bëjnë tendera.
Jo vetem kaq, por kompanitë që do zbatojnë projektin kërkojnë edhe 3 muaj shtesë. Në fakt, të dyja kompanitë janë të mbingarkuara me tendera të tjerë të përfituar njëkohësisht. Nëse do të shihej kriteri i kapacitetit teknik, këto dy kompani duhet të skualifikoheshin nga tenderi.
Qendra multifunksionale që do të ndërtohet në këtë zonë do të promovojë vlerat natyrore dhe kulturore që zotëron territori i lumit të fundit të egër në Evropë. Kompania fituese për projektin e qendrës multifunksionale është shpallur studioja “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.
Tri godina në Përmet, Vlorë, Tepelenë do të shërbejnë si pikë kontakti për turistët që kanë interes për Luginën e Vjosës.
Kush është Bajram Dalipi?
Familja e drejtorit të OSSH Blendian Dalipajt është favorizuar në projektet e ndërtimit, energjisë dhe koncesioneve me përfitime të shumta publike. Babai i Blendian Dalipaj duke pasur të birin si një nga drejtorët e rëndësishëm të zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka arritur të kapë tenderat në sektorin energjitik dhe infrastrukturë. Në koncencionin e dhënë nga Balluku për përfituesin e koncesioneve më të mëdha në Shqipëri, Bashkim Ulajn, të rrugës Milot Thumanë, pjesë e kësaj afere është dhe babai i Blendianit me përqindje më të vogël, por ka rolin e garancisë për Ballukun.
Shoqëria koncesionare G2 BLU, e themeluar në prill 2023, mori përsipër ndërtimin dhe menaxhimin e segmentit rrugor Milot–Thumanë me një kontratë PPP 35-vjeçare që kap vlerën 44.6 milion euro (pa TVSH). Në përbërje të saj janë GENER 2 sh.p.k –98% e kapitalit (familja Ulaj) I.D.K Konstruksion – 1% (familja Dalipaj) Illyrian Consulting Engineers – 1%.
Kompania ABNID sh.p.k, e themeluar nga Blendian Dalipi në vitin 2016, është një tjetër firmë e familjes. Ajo ka marrë vazhdimisht nënkontrata nga I.D.K, duke realizuar mbi 11 milion euro faturim. Në vitin 2022, Blendian ia shiti kompaninë për vetëm 1000 euro një kushëriri.
Familja Dalipaj ka investuar edhe në sektorin energjetik, përmes kompanisë MD Green Energy, ku I.D.K është ortak me kompaninë DABAR (50/50). Projekti për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Fier, me vlerë 94 milion lekë në kredi, është miratuar nga KKT me firmë të Kryeministrit.
Asllan Hastoci me fijet e lidhura në Kryeministri
Kompania “Hastoci” paralelisht m këtë tender ka përfituar kontrata të tjera gjigante.
Rezidenca e qeverisë në Dajt po “rivitalizohet” me një tender sekret që e ka organizuar Dhurata Frashëri, e besuara e Kryeministrit Edi Rama për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.
Dhurata e Shërbimeve ka njoftuar për kontratën kompaninë “HASTOÇI” SHPK me pronar Asllan Hastoçin.
Procedura e zgjedhur për prokurim është nga ato “sekretet”: Me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Asnjë sekret nuk ka për punimet e kësaj vile përveç mendjes së keqe të Edi Ramës, që përdor gjithçka për të përvetësuar buxhetin e shtetit: Për të bërë tendera të tillë përdori pandeminë, tërmetin, tani “sigurinë”. Më sekrete është vila personale e Edi Ramës në Surrel se sa kjo që është ndërtuar në kohën e komunizmit.
Më konkretisht, tenderi me objekt, “Zbatimi i projektit: Rivitalizimi i Rezidencës Qeveritare, Vila Dajt”, me fond limit 619.786.829,32 pa TVSH është regjistruar në protokoll në datën 2 korrik 2025.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli (i besuar i Ramës ashtu si edhe Dhurata) ka firmosur një tender të majmë për Asllan Hastoçin, vetëm një ditë pasi u mor në pyetje në SPAK për korrupsionin me fondet e prokuruara. Për lyerje fasadash nëpër fshatra, Hastoçit do t’i xhirohen 4.22 miliardë lekë në një tender të hartuar dhe të qepur me porosi.
Megjithëse formalisht tenderi u zhvillua në nëntor 2024, Agolli e ka mbajtur dosjen në sirtar dhe e ka dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP) tre muaj më pas.
Më konkretisht, më 11 shkurt 2025 Agolli ka firmosur kontratë me “Hastoçi” shpk me vlerë 422,292,719 lekë përfshirë TVSH. Kjo ishte finalja e tenderit “Rigjenerimi Urban në zona periferike dhe informale dhe në fshatra me popullsi të dendur, etj. Rajonet 3&4” Fondi limit që ishte caktuar nga komisioni i tenderit ishte 416,666,666.67 lekë pa TVSH dhe është buxhet i planifikuar për Programin “100 Fshatrat”.
Një kompani sado e fuqishme të jetë, nuk mudn të mëarrë tërë këto kontrata njëherësh. Është e qartë, se Hastoci është përfshirë në një projekt të pastër korrupsioni me tenderat.
T’i japësh këto lekë biznesmenit Asllan Hastoçi, është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Kompania e tij është kapur vazhdimisht në falsifikime dokumentesh në tendera, mos kryerje të punimeve sipas kontratave, marrje parash për punë të pabëra. Madje, punët kanë shkuar aq larg sa në një rast, me një nga punët kësaj firme është marrë edhe prokuroria.
Rasti më tipik është kur kjo kompani mori paratë e projektit 300 milionë lekë për të rregulluar me kalldrëm rrugët e Voskopojës. Hastoçi mbushi xhepin ndërsa, nga verifikimi në teren që bëri KLSH për zbatimin e projektit dhe kontratës, doli se puna mbeti përgjysmë. E po, korrupsioni ka tarifën e vet.
KLSH i rekomandoi Agjencisë së Prokurimit Publik, përjashtimin e “Hastoçi” sh.p.k, nga pjesëmarrja në prokurimet publike për një periudhë 1 vjeçare. Ndërkaq, Hatoçi mori më qafë edhe kolaudatorin që kishte firmosur punët e tij.
KLSH më datë 10.10.2014 ka bërë kallëzim penal duke dërguar për veprime të mëtejshme procedurale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, A.T., me detyrë mbikëqyrës i punimeve në objektin “Shtrim i rrugës me kalldrëm”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post