Edhe pse Veliaj ndodhet në burg, grupi i tij vazhdon të ruajë monopolin e tenderave jo vetmë në Bashkinë e Tiranës, por edhe në institucionet qendrore. Kompania e Florjan Muhas është njëra prej rrethit të ngushtë të Veliajt. Me mbështetjen direkte të kryebashkiakut kompania ka përfituar pjesë të konsiderueshme nga buxheti i tenderave, po ashtu edhe lejet e ndërtimit. Pasoja është prishja e konkurrencës në tendera, ndërkohë që Muha merr paratë dhe punët nuk i kryen as në afat as me cilësi.
Rasti i shkollës
Kështu kompania përfitoi tenderin me fond limit 494 674 210,00 lekë për riparimin e shkollës “Edith Durham” në Tiranë dhe i zvarriti punimet pa i mbaruar në afat. Tenderi ishte hapur më 2 gusht 2024, ndërsa kontrata iu dha kompanisë “Inerti SHPK” në 26 shtator dhe, sipas dokumenteve, punimet duhet të mbylleshin për 10 muaj. Dy herë shkoi Veliaj në kantier dhe bënte foto duke promovuar kompaninë e mikut të tij. Në një rast ishte bashkë me ministren Delina Ibrahimi. “Mezi pres t’i japim një çikë gaz këto kohë, që çunat dhe gocat, engjëjt e vegjël të Njësisë 5, në shtator të futen te shkolla e re”, tha ai.
Në shtator në oborrin e shkollës “Edith Durham” nuk u dëgjuan zëra fëmijësh, por zhurma punimesh.

Pse nuk i mbaron punimet Muha? Është e pamundur të mbash shumë kunguj në një sqetull. Biznesmeni është i mbingarkuar me tendera. 10 ditë para shkopllës së kryeqytetit, më 16 shtator 2024, Muha kishte marrë tenderin e bashkisë Gramsh për rikonstruksionin e shkollës ”Rilindja” me fondin limit 92 556 705,00 lekë pa TVSH. Tenderi u shënua me ‘Flamur të kuq” nga Open Data Albania, sepse kryebashkiaku i Gramshit, Besion Ajazi, i skualifikoi të katër pjesëmarrësit e tjerë dhe ia dha tenderin njeriut të ‘Rilindjes”.
Akoma më tej, më 8 gusht 2024, “Inerti” i Muhas kishte marrë një kontratë nën tavolinë nga Miriana Sako me fondet e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Riaftësim strukturor i Pallatit “Rajfi” shpk, Rruga ” Iljaz Reka”, Kod GIS 26380 (Programi i Rindertimit). Janë 118 997 888,00 lekë pa TVSH të marra nga ky tender.
Ndërsa më 11 dhjetor 2024, Muha mori kontratën nga Veliaj për të rregulluar rrugën e fshatit ku banon kryeministri Edi Rama. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërhyrje emergjence në rrugën “Rexhekri”, fshati Surrel, NJA Dajt” me fond limit “Ndërhyrje emergjence në rrugën “Rexhekri”, fshati Surrel, NJA Dajt” me fond limit 79 852 391,00 lekë pa TVSH.
Rasti i Burgjeve
Nga shkollat, Muha është hedhur tek Burgjet. Sepse “Rilindja” tashmë i ka kthyer sytë nga represioni dhe po investon në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Pra, pa mbyllur mirë punët me tenderat e tjerë, Muha ftohet të ndajë fondet e shtetit diku tjetër. Tenderi i radhës i përfituar nga Muha, kontrollohet nga ministri Blendi Gonxhe përmes Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara që e ka në varësinë e tij. Institucion kontraktues është Drejtoria e Pergjithshme e Burgjeve, por vetëm sa për të dorëzuar letrat.

Objekti i Tenderit është “Ndërtimi i një kompleksi poligoni qitjeje dhe palester për forcat operacionale dhe ato speciale në Sistemin e Burgjeve”. Për këtë projekt nga buxheti i shtetit do të derdhen 296 309 312,00 lekë. Njerëzit akoma nuk kanë hyrë në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, ndërsa qeveria kujdeset të bëjë një poligon qitjeje për gardianët. Nuk shkojnë dot të kryejnë qitje në poligonet e ushtrisë forcat speciale të burgjeve?! Populli zhytet në varfëri (përfshirë edhe gardianët) ndërsa paratë përdoren për projekte të tilla si në filma.

Me organizimin e tenderit është marrë drejtorja e OBP, Arlinda Pogaj, vartësja e vjetër e Blendi Gonxhes. Pasi ka skualifikuar 9 pjesëmarrës, komisioni më 10 tetor 2025 ka shpallur fitues biznemenin Florjan Muha.
Tenderi denoncohet në KPP
Sipas ligjit për prokurimet, “INERTI” sh.p.k me Nipt J66926804L duhet të përmbushte kriteret e shpallura të tenderit që të kualifikohej. Konkretisht, duke qenë e shpërndarë në punë të tjera publike, kompania mund të mos ketë kapacitete t’i përgjigjet këtij projekti në afat dhe në cilëinë e kërkuar.
Menjëherë sapo është shpallur fituesi, vendimi është kundërshtuar në KPP nga Bashkimi i Operatorëve: “KEVIN CONSTRUKSION” & “APIS CONSTRUCTION”.

Kompanitë ankohen se vlerësimi i bërë nga komisioni nuk përputhet me dokumentet e paraqitura. Të shohim se si vazhdon në KPP kjo telenovelë korrupsioni!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post