Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë konferencës me mediat të mbajtur ditën e sotme ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar situatën aktuale si “dëshminë më flagrante të narkoshtetit shqiptar”. Në qendër të fjalës së tij ishte ngjarja e ndodhur në aeroportin e Rinasit, ku u ekzekutuan me armë zjarri dy persona të njohur për lidhjet e tyre me botën e krimit, Gilmando Dani dhe Muç Shaljani (i njohur si Sheqeri).
Kryedemokrati u shpreh se, ky akt “ekzekutimi publik në vendin më të sigurt të shtetit, aeroportin e Rinasit, është vepër e padiskutueshme e eksponentëve të krimit, të lidhur si mishi me thoin me qeveritarët shqiptarë”. Ai u shpreh se, kjo ngjarje është simbol i shkatërrimit të rendit dhe sigurisë publike, duke theksuar se krimi ka depërtuar në çdo strukturë të shtetit, deri në institucionet e sigurisë dhe inteligjencës policore.
Në vijim, lideri i demokratëve akuzoi mediat se po zbatojnë një censurë sistematike ndaj lajmeve që ekspozojnë lidhjet midis qeveritarëve dhe botës së krimit. ‘Mediat po e mohojnë, po e censurojnë faktin që Muç Shaljani ka qenë mbështetës dhe financues kryesor në fushatë elektorale i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Ai dhe banda e tij kanë blerë vota dhe kanë financuar fushatën e këtij ministri’, deklaroi Berisha, duke shtuar se ‘Shaljani është futur në radhët e policisë nga vetë ministri Hoxha pas ‘misionit të suksesshëm’ në vjedhjen e votave.’
Duke komentuar atentatin mafioz të ndodhur në Rinas, Berisha u shpreh se “Gilmando Dani ka qenë badigard dhe financues i ministrit kriminel Blendi Gonxhe. Ishte një ndër eksponentët kryesorë të akuzuar për një seri vrasjesh dhe akte të tjera të rënda, pjesë e bandës famëkeqe të Shullazit.” Duke lidhur vrasjen e Danit me konfliktet midis bandave që, sipas tij, mbështeten nga pushtetarë të ndryshëm, Berisha tha se aeroporti i Rinasit ishte nën kontroll të plotë të një bande rivale, gjë që e bëri të mundur “ekzekutimin me gjakftohtësi, ditën për drekë, para kamerave dhe dhjetëra policëve që kalonin aty, pranë sallonit të VIP-ave dhe komisariatit të policisë”. Në këtë kontekst, ai e quajti qeverinë aktuale ‘narkoshteti i Ramaduros, Noriegës së Europës’, duke e krahasuar me regjimet autoritare të Amerikës Latine që kanë bashkëjetuar me kartelët e drogës dhe korrupsionin shtetëror.
Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha akuzoi më tej zv/kryeministren Belinda Balluku, të cilën e përshkroi si “Lubi Balluku, e armatosur gjer në dhëmbë me dosje dhe regjistrime të paligjshme të bëra nga Oltion Bistri me urdhër të Edi Ramës”, që sipas tij përdoren për të shantazhuar dhe mbajtur nën kontroll ministrat e tjerë socialistë. “Lubia nuk i kërcënon me plumb pas veshit, por me dosje publike që mund t’u presin karrierën politike. Ajo u ka imponuar kodin mafioz të heshtjes, omertën e partisë së krimit”.
Në pjesën e dytë të konferencës, kreu i PD-së Sali Berisha ndalet te afera e inceneratorëve, duke e cilësuar atë “skandalin më të madh financiar të historisë së shtetit shqiptar”. Ai akuzoi qeverinë për mbrojtjen e kompanisë Integrated Energy SPV, që sipas tij është ‘kompania e Edi Ramës dhe e bashkëpunëtorëve të tij’, pavarësisht se hetimet zyrtare janë përqendruar vetëm te ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. “Kjo kompani, pas shpenzimit të 400 milionë eurove dhe dështimit total të projekteve të djegësave në Tiranë, Elbasan e Fier, vazhdon të marrë fonde publike dhe leje ndërtimi. Sepse është e paprekshme, është vetë kompania e Ramës”.
Lideri i demokratëve solli në vëmendje edhe një dokument për këtë çështje. “Me datën 2 prill 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për zgjerimin e kapaciteteve të depozitimit të mbetjeve në Tiranë për këtë kompani, por leja u dha zyrtarisht vetëm 8 muaj më vonë. Ndërkohë, kompania vazhdonte punimet, e paguar nga buxheti i shtetit”.
I pyetur nga gazetarët për çështjen e 21 janarit, duke e quajtur atë një histori të përdorur politikisht për propagandë dhe duke akuzuar sërish kryeministrin Rama si “organizatorin e vërtetë të protestës më të dhunshme në historinë e vendit. Edi Rama ishte shoferi që i solli mish për top njerëzit, siç e ka pranuar shkrimtari Ben Blushi”.
Sipas Berishës, sistemi i drejtësisë është sot ‘i përfshirë këmbë e kokë nga krimi, i udhëhequr nga krimi’, ndërsa prokurorë të caktuar si Altin Dumani dhe Dritan Prençi janë, sipas tij, përgjegjës për mos hetimin e aferave të mëdha që përfshijnë drejtuesit më të lartë të qeverisë.
“Kjo është dëshmi tjetër flagrante e narkoshtetit të Ramaduros. Kjo është dëshmi tjetër e lidhjeve të bandave dhe krimit me nivelet më të larta të qeverisë. Dhe kjo është dëshmi tjetër e turpshme e censurës ku mediat heshtin për lidhjen si mishi me thoin të krimit me pushtetin”, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët.










Discussion about this post