Kreshnik Hajdari, kryetari i Bashkisë Kuçovë, përkulet para Arbër Abazit, nipit të politikanit të “Rilindjes”. Një tender fiktiv mbi 1 milion euro është nderi që i ka bërë ALKO-ve të Abazit duke eliminuar të gjithë konkurrentët.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt: “Rikonstruksion, krijimi i ambienteve sportive dhe ndërtimi i palestrës në shkollën “Aleksandër Markaçini”, Havaleas, Bashkia Kuçovë” me fondin limit 104 455 909,00 lekë pa TVSH.
Tenderi është mbajtur me shpetësi rrufe më 15 tetor 2025 dhe fituesi është shpallur direkt pas dy javëve më 31 tetor 2025. Nuk ka pasur kohë as për ankesa dhe as për sqarime, sepse fituesi, jo vetëm që është i paracaktuar, por konkurrentët me sa duket kanë marrë pjesë formalisht.

Në tender kanë marrë pjesë 6 operatorë konkurrues, të cilët kanë bërë oferta mbi 95% të vlerës së fondit limit.
Ofertat janë: 100 207 804 lekë pa TVSH, 102 401 224 lekë, 103 132 402 lekë pa TVSH, 99 480 281 lekë pa TVSH, 97 020 102 lekë pa TVSH. Këto shifra duhet ta shtynin komisionin që të anulonte tenderin për shkak të ofertave të papërshtatshme.
Në fazën e parë janë skualifikuar pesë prej pjesëmarrësve dhe ka mbetur në tavolinë vetëm zarfi me ofertën e Arbër Abazit.

Operatorët “AGBES CONSTRUKSION” shpk, “ARKONSTUDIO”, “BESTA” shpk dhe “NDËRTIMI” shpk dhe “SHPRESA – AL” shpk, sipas dokumentit të mësipërm, janë skualifikuar për mungesa në dokumente. Shumica e tyre nuk ka dorëzuar Formularin përmbledhës të vetdeklarimit. Kjo do të thotë se nuk kanë hyrë fare në garë dhe janë tërhequr duke i lënë rrugën e lirë Arbër Abazit që të marrë tenderin.
Njëra prej ofertave është bërë prej kompanisë ARKONSTUDIO” shpk, e cila është partnere biznesi e Arbër Abazit dhe kanë fituar bashke tendera në formën e bashkëpunimit BOE. Nipi i politikanit të Rilindjes merrte pjesë me dy kompanitë e tij “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” & ALKO-IMPEX General Construcion” i mbështetur nga “MF INVEST GROUP” e Dritan Metajt dhe u shpall fitues më 31 tetor 2025.
ALKO-t e Abazit, si u fituan miliarda lekë?
Nga fundi i vitit 2018 do të plaste skandali me tenderin e Unazës së Madhe, tender i cili i kushtoi disa drejtorë qeverisë shqiptare duke “sakrifikuar” edhe ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Do të ishte pikërisht ky skandal që do të largonte nga detyra Gjiknurin për t’u zëvendësuar në 17 janar 2019 nga ish-vartësja e tij, drejtoresha e AlbControlit Belinda Balluku. Pikërisht nga viti 2018 deri në vitin 2019, kompania “Alko Impex Construction” do të shumëfishonte të ardhurat nga 28 milionë lekë në 354 milionë lekë, ose gati 3.6 milionë euro të ardhura në vit nëpërmjet fondeve publike.
Mallkimi i tenderave të Unazës së Tiranës me fondet e ARRSH-së nuk do të mbyllej me kaq, pasi ashtu si paraardhësi i saj Gjiknuri, edhe Balluku do të ishte pjesë e një skandali për paracaktimin e fituesve me institucionet në varësi të saj.
Lidhjet e Arbër Abazit me Belinda Ballukun nuk janë vetëm përmes Sadriut në parti, por edhe në familje. Sipas mediave, Arbri bashkëjeton me vajzën e tezes së Belinda Ballukut.
Më 11 prill 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të hapte garën për Marrëveshjen Kuadër për mirëmbajtjen e rrugëve të Rajonit Verior dhe Qendror me fond limi 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë euro. Ky tender do të njollosej nga gara pa garë, pasi në 6 Qershor 2022 dy kompanitë “Alko” që administrohen nga Arbër Abazi do të fitonin tenderin pa patur asnjë konkurrent, duke u shënuar me flamur të kuq. Sipas platformës “Openprocurement.al” të AIS-it, kjo procedurë paraqet dyshime për korrupsion dhe favorizime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në vend që t’i skualifikonte kompanitë për mosplotësm të kritereve dhe të anullonte tenderin, ish-Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi ka bërë të kundërtën duke shpallur fituese kompanitë në kundërshtim me ligjin e Prokurimeve Publike.
Ndërkaq, ish-Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, ka qenë i punësuar si jurist prej disa vitesh në kompanitë e Arbër Abazit. Vetë Myzyri është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme sepse dyshohet se ka favorizuar disa kompani në përfitimin e tenderave publikë.
Arbër Abazi renditet si një ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike, ashtu si në rastin e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Djegies Plastike ku oferta fituese arrin 90% të fondit limit. Kjo procedurë e tenderit është shënuar me flamur të kuq nga “Openprocurement.al” pasi ka dyshime për korrupsion dhe favorizim të kompanive fituese.
Shumica e tenderave të fituar nga ALKO IMPEX CONSTRUCTION (Ish KLEDOR ALBANIA-09) janë me “flamur të kuq” pasi skualifikohen nga gara të gjithë pjesëmarrësit ose garon vetëm kjo kompani në tender duke u shpallur automatikisht fituese.
Institucioni i drejtuar nga Jonaid Myzyri ka dhënë të paktën 6 vendime në favor të dy Alko-ve. Fondi limit total për këto 6 tendera është tejet i lartë dhe përllogaritet në mbi 13.6 miliardë lekë të vjetra ose rreth 13 milionë euro me kursin aktual.
Arbër Abazi maska e Sadri Abazit
Qysh kur OSBE e futi Sadri Abazin në rrethin e politikanëve të inkriminuar, filloi të dalë në plan të parë Arbri me kompanitë ALKO.
Sadri Abazi është deputeti i përmendur në një raport sekret të OSBE, që është publikuar para 9 vjetësh. Aty thuhet ndër të tjera: Lidhjet e tij të forta me liderët e PS-së i kanë siguruar mbrojtje dhe fshehje të aktiviteteve kriminale të kompanive te tij. I karakterizuar nga një arrogancë ekstreme dhe një tendencë për shantazh, ai është gjithnjë nën shoqërinë e vëllezërve të tij, të cilët janë shumë agresivë. Pasuria e tij përllogaritet në rreth 100 milionë euro”.
Në raportin konfidencial të OSBE thuhet gjithashtu se, një burim pranë deputetit socialist Sadri Abazi ka pranuar se ai investoi 800 mijë euro në fushatën elektorale të PS-së në Dibër dhe i dha Partisë Socialiste 500 mijë euro të tjera që të gjente një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë të vitit 2009”.
Prandaj, duke parë këtë lidhje të Ramës me Sadri Abazin, kryetari Kreshnik Hajdari nuk është menduar dy herë t’ia japë tenderin familjes së Abazëve.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post