Eksperti amerikan Edward Joseph ka deklaruar se gjatë zgjedhjeve të 11 majit, partitë politike në Shqipëri nuk kishin të njëjtat mundësi. Gjatë një interviste televizive për Syri Tv, Joseph u shpreh se gjatë 11 majit u ushtrua presion mbi punonjësit e administratës.
Referuar raportit të nxjerrë nga OSBE, ai deklaroi se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të polarizuar dhe palët nuk ishin në një terren loje të drejtë. Në fund, Joseph tha se këto janë shqetësimet të cilat tashmë janë të ndara dhe i njohin që të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe se ato duhet të trajtohen në Shqipëri.
“Në fakt, unë mund t’jua lexoj raportin e OSBE-së prej zyrës së tyre të miratuar nga zyra në Varshavë dhe atje shprehen, zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të polarizuar dhe palët nuk ishin në një terren loje të drejtë. Domethënë, jo të gjitha partitë kishin të njëjtat mundësi dhe gjithashtu thuhet se ka pasur edhe raportime të frikësimit, të keqpërdorimit të burimeve publike si edhe presion ushtruar mbi punonjësit e administratës dhe thotë se kjo minon mundësitë e barabarta.
Është një raport profesional dhe është brenda misionit të OSBE-së, të cilin e drejtonte Lamberto Zannier, të cilin e njoh personalisht, i cili ka qenë ish-sekretar i përgjithshëm i OSBE-së. Unë kam punuar personalisht me të kur kam qenë zëvendëskryetar i misionit në Kosovë. Këtë po thotë OSBE dhe këto janë shqetësimet të cilat tashmë janë të ndara dhe i njohin që të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe ato duhet të trajtohen në Shqipëri,” tha Joseph.
Ai ka deklaruar se krimi i organizuar, trafikimi i drogës dhe emigracioni i paligjshëm, janë të gjitha problematika mjaft shqetësuese në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje.
Joseph tha se kur Serbia dhe Kosova të pranojnë rrugën e tyre drejt NATO-s, do t’i jepet fund tensioneve dhe konflikteve në të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas tij, nëse kjo arrihet këta vende do jenë më demokratike, më besimplota dhe do të ketë një qasje më të mirëorganizuar drejt krimit të organizuar dhe kriminalitetit.
“Patjetër që krimi i organizuar, trafikimi i drogës, emigracioni i paligjshëm, janë të gjitha problematika mjaft shqetësuese për Shtetet e Bashkuara, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje. Dhe kjo është pjesë e problemit të cilit ju referova që në krye të herës. Që në fillim, unë pyeta anëtarët e kongresit, pse ndodh që 35 vjet pas rënies së dhunshme të Jugosllavisë, pas rënies së komunizmit, përfshi edhe rënies në Shqipëri, ne vazhdojmë të kemi një rajon, i cili vazhdon të jetë i paqëndrueshëm dhe pse krimi i organizuar mbetet faktor. Secili prej këtyre vendeve mban përgjegjësitë e veta, por e dimë se është një ambient, një klimë gjithëpërfshirëse. Dhe për sa kohë që ti ke një vend të madh brenda këtij rajoni, i cili ka një qeveri jo demokratike, ose ka një pozicion anti-demokratik, që kërkon të ketë një kontroll autoritar prej një aktori, ai do të prekë gjithë rajonin.
Prandaj Shqipëria, po, ka përgjegjësitë e veta dhe shteti i së drejtës është në pikëpyetje dhe e dimë se SHBA dhe BE po adresojnë këtë çështje. Njëherazi e dimë se vendi më i madh i rajonit përbën një kërcënim serioz ndaj demokracisë dhe saboton punën e fqinjëve të vet. Dhe brenda Serbisë ka shembuj shqetësues të përfshirjes, të angazhimit me kriminelët. E gjithë kjo krijon një klimë mjaft negative në rajon. Po, vërtet Shqipëria ka përgjegjësitë e veta dhe të gjithë fqinjët e vet kanë përgjegjësitë e tyre, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina. Pra që të gjitha këto vende duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Por gjithashtu e dimë se vendi më i madh i rajonit, i cili ka një produkt të brendshëm bruto që është i barabartë me produktin e që të gjitha këtyre vendeve dhe ka një popullsi që është sa dy e treta e madhësisë së vendeve të tjera së bashku, ky është problemi.
Dhe për këtë arsye administrata Trump ndodhet në një moment kritik që ta bëjë Serbinë, ashtu si rekomandova unë, ta detyrojë Serbinë që në fund të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të angazhohet plotësisht për t’u bashkuar qasjes së Shteteve të Bashkuara, pra të bëhet anëtare e NATO-s. Jo vetëm anëtare e Bashkimit Evropian, por anëtare e NATO-s. Dhe unë besoj se kur Serbia dhe Kosova të pranojnë rrugën e tyre drejt NATO-s, do t’i jepet fund tensioneve dhe konflikteve në të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Do të jenë vende me demokraci më të fuqishme, më besimplotë dhe një qasje më të mirëorganizuar drejt krimit të organizuar dhe kriminalitetit,” tha ai.










Discussion about this post