Klodian Kondi, nëndrejtori i policisë së Vlorës është marrë i pandehur nga prokuroria e Sarandës, për shkak të dhunës fizike që ka ushtruar ndaj qytetarit, Genci Ahmeti, gjatë fazës hetimore të një çështje penale, që lidhet me vrasjen e 41-vjeçarit, Klodian Bakia.
Së bashku me Kondin, i pandehur në këtë dosje është marrë dhe shefi i krimeve në komisariatin e Sarandës, Erion Muho. Të dy akuzohen për veprën penale të “Përdorimit të dhunës gjatë hetimeve”.
Sipas prokurorisë së Sarandës, përdorimi i dhunës nga personi i ngarkuar me zhvillimin e hetimeve për ta detyruar shtetasin të bëjë deklaratë, të dëshmojë ose të pohojë fajësinë e tij a të një tjetri, dënohet me burgim nga 3 në 10 vite burgim.
Kjo dosje tregon dhe rikonfirmon një sërë precedentësh të tjerë që lidhen me denoncimet e rasteve të dhunimit në ambientet e komisariateve të qytetarëve shqiptarë.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se 1 ditë më parë, çështja penale ndaj zyrtarëve të Policisë së Shtetit, ka kaluar në konkluzionet përfundimtare, ku në pretencën e saj, prokuroria e Sarandës, i kërkoi gjykatës dënimin me 6 vite burgim për nën/drejtorin e Vlorës, Klodian Kondi.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit përfundimtar ndaj Kondit, u kërkua dënimi me 4 vite burgim. Të njëjtën masë dënimi prokuroria kërkoi dhe për shefin e Krimeve pranë Komisariatit Sarandë, Erion Muho.
Në dosjen e prokurorisë kundër dy punonjësve të policisë thuhet se:
“…të gjitha faktet-indicet të cilat janë listuar dhe analizuar më sipër çojnë në përfundimin se ato janë të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën, nga të cilat del se vepra penale është kryer pikërisht nga shtetasit Klodian Kondi dhe Erjon Muho, të cilët me veprime aktive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës Genci Ahmeti, me qëllim dhënien e deklaratës prej tij, për vendndodhjen e dy autorëve te ngjarjes së datës 17 Gusht 2022, e ndodhur në Ksamil…”.
Mësohet se kjo çështje u zbulua në sallën e gjyqit, kur Genci Ahmeti, doli para gjyqtarit Alban Velçani, për tu njohur me masën e sigurisë lidhur me vrasjen e Klodian Bakias.
Në 2022 Genci Ahmeti, u shoqërua pasi dy punonjës të hotelit të tij u konfliktuan me 41-vjeçarin Klodian Bakia për parkimin e një makine dhe më pas e vranë me thikë.
Ahmeti, shkoi vetë në komisariat për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes, por ai u mbajt gjatë gjithë natës në komisariat, duke u dhunuar fizikisht nga shefi i komisariatit, Klodian Kondi, dhe shefi i krimeve, Erion Muho.
Përveç dhunës fizike duke i shkaktuar shenja të dukshme në trup, policët kanë vendosur arrestimin e tij.
Por, kur ka dalë para gjykatësit Alban Velçani, për tu njohur me masën e sigurisë, Genci Ahmeti, është zhveshur i gjithi para gjykatës, duke ju drejtuar trupit gjykues që të shihte plagën që i kishin shkaktuar nga rrahja në komisariat.
Gjyqtari, sapo konstatoi faktin e dhunimit të qytetarit në ambientet e policisë, menjëherë urdhëroi prokuroren e çështjes të niste hetimet ndaj këtij rasti dhune, duke çuar më pas në ndjekjen penale ndaj Klodian Kondit që sot mban postin e nën/drejtorit të policisë Vlorë dhe shefit të krimeve të këtij komisariati, Erion Muho.
Në seancën e ardhshme, radhën për të dhënë konkluzionet përfundimtare e ka mbrojtja e dy policëve të pandehur, dhe më pas do jetë gjykata e Sarandës që do vendosi nëse Klodian Kondi dhe Erion Muho, do dënohen ose jo.











Discussion about this post