Banorët dhe fëmijët e zonës së Luzit në Fushë-Krujë kanë dalë sërish në protestë, duke bllokuar për të dytën ditë me radhë rrugën kryesore. Shkak është bërë gjendja e mjerueshme e këtij aksi rrugor, i cili prej vitesh është lënë në harresë totale nga autoritetet.
Mëngjesin e kësaj të marte, 3 shkurt, iu janë bashkuar edhe fëmijët e shkollës “Gjon Luka”, të cilët shprehen se bëhen pis çdo ditë duke shkuar në shkollë, por edhe se kanë frikë kur kalojnë nga kamionët që shpeshherë, për të evituar gropat e mëdha në rrugë, hipin mbi trotuar.
Banorët thonë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga shteti, ndërsa paralajmërojnë se do të protestojnë derisa kërkesa e tyre të merret parasysh.
“Hera e tretë që dalim nuk na kanë sjellë asnjë përgjigje. Sot kemi marrë edhe fëmijët, i kanë këpucët krejt baltë, kanë protestuar e fëmijët pa i çuar në shkollë sot ne presim përgjigje nga shteti.
E treta herë që po dalim në protestë dhe asnjë reagim nga shteti. Kemi dalë me gjithë kalamaj. Do të dalim derisa të kemi një përgjigje.
Është me të ardhur keq për gjendjen në të cilën ndodhet rruga. Gjynah për këta fëmijë që vijnë këtu, reshjet kanë qenë të shumta dhe ka pasur baltë.
Nuk bën ky çakull, ta shtrojnë me asfalt dhe tamam. Nuk do të hapet rruga derisa të marrin masa. Kanë filluar banorët duke vënë gurë në trotuar se vijnë kamionat dhe hipin në trotuar.”, thanë disa nga banorët.
I pranishëm është gjithashtu krah banorëve edhe ish kandidati i PD për deputet, Aulon Kalaja, i cili thotë se krahas rrugës, autoritetet duhet që të ndërtojnë edhe një mbikalim për shkak të prezencës së fëmijëve që duhet të kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë.
“Duam t’i bëjmë thirrje qeverisë që të reagojë. Nuk është zgjidhje çakulli, do asfalt dhe të standarteve evropiane që të mbajë kamionët e tonazhit të rëndë. Edhe fëmijët e tyre kanë zgjedhur të protestojnë me baballararët. E drejta e tyre për të kërkuar rrugën se këpucët e tyre janë me baltë. Shikojmë se çfarë ndodh edhe për mungesën e një mbikalimi. Detyrohen prindërit që t’i marrin e t’i çojnë deri te dera e shkollës. E para është rruga dhe e dyta mbikalimi.”, u shpreh Kalaja.
Pasditen e djeshme në rrugë është hedhur një kamion me çakull për të mbyllur gropat e mëdha, por banorët thonë se kjo nuk është zgjidhje. Ata kërkojnë rikonstruksionin e plotë të rrugës, e cila është një arterie kryesore dhe ku kalojnë shumë kamionë në ditë.
Banorët e bllokuan sot rrugën për mbi një orë, ndërsa deklarojnë se do të vijojnë me protestat, madje do t’i përshkallëzojnë nëse nuk ndërhyhet seriozisht në rikonstruksionin e saj.











Discussion about this post