Pas një operacioni të koordinuar me partnerë ndërkombëtarë, autoritetet shqiptare kanë arritur të kthejnë në vend Eva Dumanin, që prej vitesh ndodhej në një kamp në Siri.
Burimet bëjnë të ditur se në këtë proces janë përfshirë Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të strukturave kundër terrorizmit, në bashkëpunim me autoritetet turke.
Eva Dumani ka mbërritur paraditen e sotme në aeroportin e Rinasit, pas transferimit nga Turqia me linjën Pegasus.
Historia e Evës nis në vitin 2014, kur ishte vetëm 9 vjeç. Babai i saj, Shkëlzen Dumani, e mori bashkë me të vëllanë 7-vjeçar me pretendimin për një udhëtim fundjave në Mal të Zi. Ai kishte kërkuar prokurë nga bashkëshortja për të nxjerrë fëmijët jashtë Shqipërisë.
Por udhëtimi rezultoi të ishte vetëm hapi i parë drejt Sirisë. Pasi kaloi nga Stambolli, ai iu bashkua frontit të luftës. Vite më vonë, babai i tyre u vra në konflikt, duke lënë dy fëmijët të vetëm në një zonë lufte.
Pas vitit 2019, Eva dhe i vëllai përfunduan në kampin Al Hol, ku strehoheshin dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e Shtetit Islamik.
Operacioni i vitit 2020: U kthye vetëm i vëllai
Më 26 tetor 2020, qeveria shqiptare ndërmori një operacion të vështirë riatdhesimi për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane. Në atë operacion u kthye në Shqipëri vetëm vëllai i Evës, Endri Dumani, atëherë 13 vjeç, së bashku me katër anëtarë të familjes Rasha.
Eva mbeti në kamp. Në atë kohë u raportua se ajo ishte fshehur dhe nuk kishte pranuar të kthehej, por ky informacion nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht.
Përpjekje shumëvjeçare për ta nxjerrë nga Siria
Pas viteve të tëra përpjekjesh nga familjarët, daja i saj arriti ta nxirrte Evën nga kampi dhe ta kalonte përtej kufirit Siri–Turqi rreth dy javë më parë. Më pas, me ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, ajo u rikthye përfundimisht në atdhe.
Rikthimi i saj shënon fundin e një ndarjeje 12-vjeçare nga e ëma dhe 6-vjeçare nga i vëllai, i cili sot është 19 vjeç.
Tragjedia familjare
Gjatë qëndrimit në kamp, familja e Evës përjetoi edhe një tjetër humbje të rëndë. Gjyshja e saj, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë me shpresën për të marrë nipërit, mbeti e bllokuar në kampin Al Hol dhe ndërroi jetë atje.
Rikthimi i Evës në Shqipëri mbyll një kapitull të dhimbshëm për familjen Dumani, ndërsa tashmë ajo do të përballet me sfidën e një jete të re pas më shumë se një dekade në një nga kampet më të rënda të Lindjes së Mesme.










Discussion about this post