Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me operacionin antidrogë të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Mësohet se nga Antidroga janë arrestuar 15 persona, dy prej të cilëve u është komunikuar akuza në qeli pasi janë kapur më herët në operacione të mëparshme. Ndërkohë blutë kanë shpallur në kërkim 16 persona të tjerë.
U arrestuan shtetasit Arsen Shahollari, Ilir Baruti, Visar Alla, Xhemal Gjoka (Boja), Jurgent Ibrahimi, Ermond Osmani, Aljon Çezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Çela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi dhe Glerjan Hoxhalli
Burime bëjnë më dije se ky grup kriminal ishte përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë.
Të akuzuarit dyshohet se furnizonin me drogë disa zona të ndryshme të Tiranës, por shpërndanin gjithashtu drogë dhe në afërsi të shkollave.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar doza narkotike. Hetimi ndaj tyre ka nisur përpara disa muajve dhe është procedim i nisur në kuadër të goditjeve të mëparshme ku në përgjime dhe zbërthime të mesazheve janë zbuluar dhe personat e arrestuar dhe të shpallurit në kërkim si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Si rezultat i operacionit, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe pasuri të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Konkretisht, janë bllokuar mbi 60 kg kanabis, rreth 2 kg kokainë, 4 armë (një pistoletë dhe tre armë gjahu), si dhe shuma të mëdha parash: 121 mijë euro, 60 milionë lekë dhe 5000 paundë.
Edhe Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me goditjen e disa grupeve kriminale që shisnin lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në kudër të operacionit të koduar “Final” janë identifikuar 36 persona, pjesëtarë të grupeve, të cilët të veçuar ose në grupe, shisnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet pas 3 muajsh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Final”.
Goditen disa grupe që shitnin lëndë narkotike.
Identifikohen 36 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shitnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 pjesëtarë të grupit. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 16 të tjerëve.
5 shtetas janë vënë në pranga gjatë periudhës hetimore.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Si rezultat i punës hetimore intensive të kryer gjatë 3 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është finalizuar operacioni i koduar “Final”, për goditjen e disa grupeve që shitnin lëndë narkotike.
Gjatë operacionit, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 shtetas që kryenin këtë veprimtari kriminale, konkretisht:
-A. Sh., 31 vjeç; I. B., 66 vjeç; V. A., 29 vjeç; Xh. Gj(B)., 26 vjeç; J. I., 28 vjeç; E. O., 47 vjeç; A. Ç., 42 vjeç; A. G., 41 vjeç; K. N., 26 vjeç; A. C., 21 vjeç; S. D., 32 vjeç; E. M., 29 vjeç; E. H., 25 vjeç; E. I., 30 vjeç; G. H., 37 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrolleve në banesat e tyre, gjatë periudhës hetimoe dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë, janë gjetur dhe sekuestruar: 60 kg e 300 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, 14 celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete.
Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar dhe arrestuar shtetasit: A. M., E. K., A. K., E. M. dhe I. C..
16 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.










Discussion about this post