Kontrolli i Lartë i Shtetit e paralajmëroi me shkrim, me fakte dhe me shifra atë që ndodhi më 6 maj 2026. Askush nuk e dëgjoi. Raporti përfundimtar i auditimit në Akademinë e Sigurisë, i cili mbulon vitet 2022-2023, është një dokument shkatërrues që tregon se shteti shqiptar e dinte në detaj kalbëzimin e shërbimit të ushqimit dhe nuk bëri asgjë.
SORI-AL, kompania e çiftit kriminal Nikolin Jaka dhe Alma Tafani, furnizon Akademinë e Sigurisë prej shtatë vitesh. Nga viti 2019 deri sot, kjo dyshe ka përfituar tre kontrata rresht, pa garë, pa konkurrencë, me një rritje prej 70 për qind të tarifës mujore. Nga 47 mijë euro në muaj në vitin 2019, në 80 mijë euro në muaj në vitin 2025. Pikërisht në mes të kësaj periudhe, në vitet 2022-2023, KLSH hyri në Akademinë e Sigurisë dhe auditoi kontratën e ushqimit. Gjetjet ishin shkatërruese.
Raporti i KLSH-së konstatoi se për 44 raste, në vitet 2022 dhe 2023, u paguan vakte ushqimi për të cilat nuk u mbajt asnjë procesverbal i marrjes në dorëzim. Pra, paratë e taksapaguesve u derdhën në xhepat e SORI-AL pa u vërtetuar se ushqimi ishte shërbyer realisht. Komisionet e pranimit firmosnin bosh. Dokumentacioni ishte farsë.
Po i njëjti raport gjeti se për 9 raste të dokumentuara, SORI-AL faturonte më shumë racione se sa merreshin në dorëzim nga komisioni. Diferenca përfundonte në xhepin e kompanisë. KLSH arriti të përllogariste se vetëm për këto raste, për të cilat u bë e mundur gjurmimi, vlera e abuzimit arrinte në 9.45 milionë lekë. Pjesa tjetër, e pagjurmueshme për shkak të mungesës së dokumentacionit, mbetet mister.
Por kjo nuk ishte e gjitha. KLSH zbuloi se Akademia e Sigurisë, në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimit dhe marrëveshjen kuadër, përdori kontratën e SORI-AL për të furnizuar me ushqim edhe Institutin e Përgatitjes së Qenve të Policisë, një institucion që nuk ishte palë në kontratë. Për këtë shërbim jashtë çdo parashikimi ligjor, shteti i pagoi SORI-AL mbi 1.7 milionë lekë. Pikërisht për këtë shkelje, KLSH rekomandoi masë për shpërblim dëmi dhe kërkoi nxjerrjen e përgjegjësive të nëpunësve që e lejuan.
Raporti i KLSH-së nuk la asnjë ekuivok. Në faqet e tij thuhet shprehimisht se procedurat e menaxhimit dhe kontrollit të ushqimit ishin të parregullta, se mungonte gjurma e auditimit, se nuk u shpërndanë asnjëherë bonot e ushqimit siç e parashikonte kontrata, se procesverbalet mbaheshin pa numrin e vakteve dhe se komisionet e pranimit nuk përmbushën asnjë nga detyrimet e tyre. E thënë shkurt, kontrata ishte një vrimë e zezë ku derdheshin para publike dhe askush nuk kontrollonte se çfarë ndodhte me to.
Dhe çfarë bëri shteti shqiptar pas këtij raporti? Asgjë. Nuk e ndërpreu kontratën. Nuk e skualifikoi SORI-AL nga tenderat publikë. Nuk e çoi çështjen në prokurori. Përkundrazi, i dha kompanisë së Alma Tafanit kontratën e tretë rresht, 2.8 milionë euro, me tarifën më të lartë të historisë. E shpërbleu me më shumë para për shkeljet e dokumentuara.
Kontrata e dytë, ajo e audituar nga KLSH, u fitua nga SORI-AL në gusht 2022 me një ofertë prej 206 milionë lekësh, 97.92 për qind e fondit limit. E vetme në garë. Pa konkurrentë. Një tender i klasifikuar si flamur i kuq nga Open Procurement Albania. Ndërkohë që ky tender po zhvillohej, Nikolin Jaka, themeluesi i SORI-AL dhe ish-zëvendësministri i arrestuar për korrupsion, mbante postin e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Alma Tafani, bashkëshortja ose ish-bashkëshortja, firmoste dokumentat.

Sot, pas shtatë vitesh furnizimi, 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në Repartin Infektiv të QSUT-së me helmim masiv. Të vjella, dhimbje barku, serum. Fëmijë që përgatiten të mbajnë uniformën e rendit u shtrinë në shtretër spitali sepse shteti u besoi ushqimin e tyre një dysheje që i kishte të dokumentuara shkeljet.
Raporti i KLSH-së është aty. I disponueshëm. I firmosur. I vulosur. Çdo faqe e tij përshkruan me detaje një skemë që funksiononte në sy të shtetit dhe që u shpërblye me kontrata gjithnjë e më të majme. Pyetja e vetme që mbetet është: edhe sa njerëz duhet të helmohen që prokuroria të lexojë atë që KLSH ka shkruar prej vitesh? /Pamfleti










Discussion about this post