Vitin e kaluar, në Kanë u vendosën rregulla të reja për tapetin e kuq. Vetëm një ditë para se të fillonte Festivali i Filmit në Kanë 2025, organizatorët përditësuan kodin e veshjes, duke ndryshuar planet e shumë personazheve të famshëm. Rregullat e reja ndalonin lakuriqësinë dhe fustanet “shumë voluminoze”, dy elemente që ishin bërë gjithnjë e më të zakonshme në tapetin e kuq në vitet e fundit.
Edhe pse festivali nuk e përsëriti në mënyrë të detajuar këtë vit kodin e veshjes, rregullat e Festivalit të Kanës 2026 mbeten të njëjta me ato të vitit të kaluar. Sipas udhëzimeve zyrtare: “Për arsye të mirësjelljes, ndalohet lakuriqësia në tapetin e kuq, si edhe në çdo zonë tjetër të festivalit. Nuk lejohen veshjet shumë të mëdha, sidomos ato me bisht shumë të gjatë, që pengojnë lëvizjen e të ftuarve dhe e bëjnë të vështirë uljen në sallën e shfaqjeve.”
Më tej thuhet: “Ekipet pritëse të festivalit janë të detyruara të mos lejojnë hyrjen në tapetin e kuq për këdo që nuk i respekton këto rregulla.”
Pas publikimit të këtij ndryshimi vitin e kaluar, një përfaqësues i zyrës së shtypit të Kanës sqaroi për The Hollywood Reporter se këto rregulla nuk janë të reja, por përfaqësojnë “rregulla që kanë qenë prej kohësh në fuqi”. Sipas tij, qëllimi nuk është të kontrollohen në detaje veshjet e tapetit të kuq, por të ndalohet lakuriqësia e plotë. Kjo do të thotë se fustanet transparente në parim lejohen, për sa kohë nuk kanë bishta shumë të gjatë.
Kujtohet se bishtet e gjatë u bënë problem i madh në festivalin e vitit 2024. Aktorja Massiel Taveras pati një përplasje me rojet e sigurisë gjatë ngjitjes së shkallëve të Palais, pasi po përpiqej të pozonte me një fustan shumë të gjatë që kishte të stampuar fytyrën e Jezusit. Siguria e ndaloi të pozonte në shkallë, duke shkaktuar tension, gjë që shpjegon pse organizatorët duan të shmangin situata të tilla.
Ndërkohë, pavarësisht raportimeve për ndalimin e mëparshëm të këpucëve të sheshta, të ftuarit në shfaqjet gala në Grand Théâtre Lumière (premierat kryesore) inkurajohen të veshin këpucë elegante, qofshin të sheshta apo me taka. Megjithatë, nuk lejohen çanta të mëdha ose çanta udhëtimi. Po ashtu, nuk lejohen deklarata politike apo protesta në tapetin e festivalit.










Discussion about this post