Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar fondet e nevojshme për të vijuar operacionet ushtarake kundër Iranit deri në fund të janarit, ndërsa paralajmëroi demokratët se ndërprerja e parakohshme e konfliktit mund të shndërrojë atë që ai e cilëson si “fitore totale” në një disfatë. Në një intervistë për New York Post, dhënë nga Zyra Ovale, Trump pranoi se marrja e kontrollit të Kongresit nga demokratët në janar mund t’i kufizojë mundësitë e tij për të vijuar operacionet ushtarake. Megjithatë, ai shprehu bindjen se opozita nuk do të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund luftës në këtë fazë. Sipas presidentit amerikan, ushtria iraniane ka pësuar dëme të rënda dhe kapacitetet e saj ushtarake janë shkatërruar. Ai përmendi flotën detare, forcën ajrore, sistemet e mbrojtjes dhe udhëheqjen e vendit, duke argumentuar se SHBA-të e kanë fituar tashmë përballjen.
“Marina e tyre është shkatërruar, forca ajrore është shkatërruar, mbrojtja ajrore, gjithçka. Udhëheqësit e tyre janë zhdukur. Nëse demokratët ndërhyjnë, do ta kthejnë një fitore në humbje”, deklaroi Trump. I pyetur nëse mundësitë e tij për të urdhëruar sulme pa kufizime shtesë mund të ngushtohen pas ndryshimit të kontrollit të Kongresit, ai tha se deri në fund të janarit operacionet janë të financuara. Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli edhe për objektivat e luftës, duke bërë dallimin mes qëndrimit amerikan dhe atij izraelit. Ndërsa Izraeli kërkon rrëzimin e regjimit në Teheran, Trump tha se ky nuk është kushti që ai ka vendosur për përfundimin e konfliktit.
“Unë thjesht nuk dua që ata të kenë armë bërthamore. Nuk kam qenë kurrë pro apo kundër ndryshimit të regjimit. Kjo nuk ka qenë asnjëherë kriter për mua”, u shpreh ai. Trump theksoi se synon të ruajë bllokadën ndaj porteve iraniane, me qëllim që të detyrojë Teheranin të pranojë një marrëveshje për programin bërthamor. Presidenti amerikan komentoi gjithashtu pretendimet e Iranit për kompensim financiar nga SHBA-të, pas një sulmi ajror ndaj një shkolle ku humbën jetën dhjetëra nxënës dhe mësues.
Ai tha se Uashingtoni mund të kërkojë gjithashtu dëmshpërblim për viktimat e sulmeve dhe veprimeve që ia atribuon Teheranit. Trump pretendoi se Irani ka vrarë 75 mijë protestues gjatë shtatë muajve të fundit, por ky numër nuk u shoqërua me të dhëna mbështetëse në intervistë. Ai përmendi edhe sulmin ndaj anijes amerikane USS Cole, duke e përdorur si argument për pretendimet e tij ndaj Iranit. Megjithatë, sulmi ndaj kësaj anijeje në vitin 2000 në Jemen i atribuohet organizatës terroriste al-Kaeda.
Gjatë intervistës, Trump foli edhe për raportet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke lënë të hapur mundësinë e rifillimit të komunikimit mes tyre. Ai mohoi raportimet se Kim kishte refuzuar një letër të dërguar prej tij, e cila, sipas Wall Street Journal, ishte kthyer e pahapur nga përfaqësuesi i Phenianit në Kombet e Bashkuara. Trump tha se nuk bëhej fjalë për një refuzim dhe se të dy mund të takohen në një moment tjetër. Ai kujtoi edhe shkëmbimin e mëparshëm të letrave me liderin koreano-verior, të cilat gjatë mandatit të tij të parë i kishte cilësuar si “letra dashurie”.
Sipas tij, një komunikim i ri mund të përqendrohet te çështja bërthamore, ndërsa shtoi se aktualisht nuk kanë shkëmbyer letra. Një tjetër temë e intervistës ishte lufta në Ukrainë dhe pretendimi i presidentit Volodymyr Zelensky se negociatorët amerikanë synojnë të arrijnë një marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit deri në janar. I pyetur për këtë afat, Trump reagoi me të qeshura dhe kërkoi të dinte se kush e kishte bërë deklaratën. Ai sqaroi se nuk ka vendosur një datë për përfundimin e luftës dhe se arritja e një marrëveshjeje varet nga gatishmëria e të dyja palëve.
“Nuk jam i detyruar nga asnjë afat kohor. Do të doja vetëm të shihja luftën të përfundonte. Do të doja shumë ta bëja këtë që sot, por duhen dy për të kërcyer tango”, tha ai. Trump vuri në dukje se qëndrimet e presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky ndryshojnë vazhdimisht gjatë negociatave. “Disa herë Putini duket i gatshëm dhe Zelensky jo. Herë të tjera Zelensky dëshiron shumë një marrëveshje, por Putini nuk është dakord. Varet nga dita”, përfundoi presidenti amerikan.









Discussion about this post