Harry Kane ka konfirmuar edhe një herë dominimin e tij absolut në Bundesligë. Në sezonin e tij të tretë me Bayern Munich, sulmuesi anglez është shpallur sërish golashënuesi më i mirë i kampionatit gjerman, duke e mbyllur sezonin me 36 gola.
32-vjeçari e vulosi paraqitjen e tij të jashtëzakonshme në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku shënoi tripletë në fitoren e thellë 5-1 ndaj Këlnit. Një fund sezoni spektakolar që pasqyron një ecuri të qëndrueshme dhe të nivelit të lartë gjatë gjithë vitit.
Për Kane kjo është një vazhdimësi mbresëlënëse: në sezonin e tij debutues në Bundesligë (2023/24) kishte shënuar 36 gola, ndërsa në sezonin pasues u ndal në 26 gola, duke mbetur sërish në krye të listës së shënuesve. Me edicionin 2025/26, ai hyn në histori si lojtari i parë që shpallet golashënuesi më i mirë në të tre sezonet e para në Bundesligë.
Shifrat e tij totale janë rekord: 98 gola në 94 ndeshje në kampionatin gjerman, një mesatare që e vendos mes sulmuesve më produktivë të të gjitha kohërave. Pas tij në renditjen e golashënuesve u rendit Deniz Undav i Stuttgartit me 19 gola, Serhou Guirassy i Borussia Dortmund me 17 dhe Patrik Schick i Bayer Leverkusen me 16. Në dyshifror përfunduan edhe shokët e tij të skuadrës, Luis Díaz dhe Michael Olise, me nga 15 gola secili.
Anglezi gjithashtu i është afruar rekordit legjendar të Robert Lewandowski-t, i cili kishte shënuar 41 gola në sezonin 2020/21 me Bayernin e Mynihut. Megjithatë, rotacionet dhe disa probleme fizike e kanë penguar që ta arrijë atë shifër. Pavarësisht kësaj, askush më parë nuk kishte arritur të bëhej golashënuesi më i mirë në tri sezonet e para në Bundesligë.










Discussion about this post