Në Bashkinë Sarandë ndërtohen zyra, ndërkohë që projektet publike mbeten zvarrë pa u përfunduar. Këto ditë u prezantua projekti i parkingu publik, kur duhet të kishin mbaruar 4 të tillë, sipas premtimeve.

Ndërtimi i terminalit për autobusët urbanë në hyrje të Sarandës rezulton i papërfunduar, edhe pse afati ishte 14 muaj nga nisja e punimeve. Pas 24 muajsh, objekti nuk është dorëzuar plotësisht funksional.
Rrugët në “Gjashtë” janë shqepur dhe nuk dihet kur do të mbyllen. Ndërsa rehabilitimi i segmeteve të brendshme në qytet është kthyer në një gropë të zezë që merr paratë e dhjetëra tenderave, herë për pllaka e beton dhe herë për asfalt.
Kështu ndodh, kur kryetari Oltion Çaçi dhe nënkryetari Florjan Sali bëjnë tender për zyra në mes të këtyre punëve.


Zyrat dhe magazinat, kjo bashki nuk i ka domosdoshmëri, por qëllimin e vërtetë do ta shohim më poshtë.
Në muajin mars 2026, Bashkia Sarandë ka shpallur një procedurë të re prokurimi publik për ndërtimin e një zyre dhe magazine në shërbim të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në zonën e Volloderit.
Sipas dokumenteve, projekti ka si objekt ndërtimin e një strukture të re administrative dhe magazinuese për Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike.

Fondi limit i parashikuar për këtë investim është 394 milionë lekë të vjetra pa TVSH. Duke përfshirë TVSH-në 20%, vlera totale e projektit shkon në 473 milionë lekë.

Tenderi është zhvilluar me shkelje të rregullave të prokurimit publik. Open Data Albania e ka shënuar me “Flamur të kuq”, që sinjalizon riskun e korrupsionit.
Ajo që ka ndodhur në këtë tender është tallje me paratë e taksapaguesve, por edhe me bizneset pjesëmarrëse.
Fituesi dyshohet se është i paracaktuar. Kështu nga shtatë operatorë ekonomikë që merrnin pjesë, 6 janë skualifikuar menjëherë.
Praktikisht tenderi ëstë zhvilluar me një ojesëmarrës, firmën fituese “TEA-D” shpk, me pronar Dintar Thanasin.

Pa u kujdesur të kursejë buxhetin, komisioni i vlerësimit i emëruar nga Oltion Çaçi, ia ka dhënë tenderin Thanasit megjithëse kishte ofertën më të lartë.
Kështu, bashkimi i operatorëve “O.B.KONSTRUKSION ” SHPK & ”ALBA KONSTRUKSION” SHPK kanë propozuar ta bëjnë këtë punë me 320 milionë lekë.
Po ashtu, “ EURONDERTIMI 2000 ” SHPK ka prezantuar ofertën 352 milionë lekë. Ndërsa “ DRINI-1” SHPK ka një ofertë akoma më ekonomike, 312 milionë lekë.
Në nivel të përfafërt është kompania “AL – STEEL CONSTRUCTION 01” SHPK që ka ofruar t’i ndërtojë zyrat me 327 milionë lekë.

Megjithatë është zbatuar porosia nga lart. Më 11 maj 2026, është shpallur fitues operatori “TEA-D” shpk me ofertën e lartë 370 milionë lekë pa TVSH. Për komisionin nuk janë asgjë 60 milionë lekë më tepër, se janë paratë e taksapaguesve! Procedurës fiktive ia vë qershinë mbi tortë një nga operatorët pjesëmarrës, që ka bërë ofertë me vlerë 0 (zero) lekë pa TVSH.
Po si ia gjeti anën Dintar Thanasi kryebashkiakut Oltion Çaçi dhe nënkryetarit Florjan Salli? Thanasi është një “ujk i regjur” nëpër pazaret e fshehta me tenderat. Emri i kompanisë së tij është lakuar në SPAK për tenderat e dyshimtë të pëfituar nga bashkia Gjirokastër, kur në drejtim ishte Zamira Rami.
Por, vulën zyrtare, veprimet e Dintar Thanasit e kanë marrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Autoriteti i Konkurrencës.
Më 7 mars 2018, Autoriteti i Konkurrencës, në një rast të rrallë, kur ky institucion merret me tenderat, ka zbuluar një pakt të fshehtë të Dintar Thanasit.

Komisioni i drejtuar nga kryetarja Juliana Latifi, kishte marrë një kërkesë nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP), më datë 26 dhjetor 2017, lidhur me shqyrtimin e “marrëveshjes në oferta” në prokurimin publik elektronik me objekt “Riparime të zyrave të objektit Njësia Administrative Lukovë”, Bashkia Himarë.
APP bazohej në raportin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për këtë tender. KLSH dyshonte se kishte shkelje të nenit 4 (marrëveshja në oferta) sipas Ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.
Komisioni në vijim nisi një hetim paraprak, ku grumbulloi provat në Bashkinë Himarë dhe në KLSH.
Në këtë tender, fitues ishte shpallur subjekti “A.E.K & Co” SHPK me ofertë sa 99.79% të fondit limit.
Operatori i dytë ekonomik pjesëmarrës në tender, ishte ndërmarrja “Tea-D” SHPK. Nga hetimi rezulton se të dy operatorët kanë ngarkuar të njëjtin dokument në sistemin elektronik të prokurimit. Bëhet fjalë për shkresën “Vërtetim Debie –për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike”, të lëshuar nga Drejtoria Rajonale Gjirokastër e OSHEE. Kjo shkresë ishte tërhequr nga “Tea-D” SHPK më datë 6 gusht 2015.
Po ashtu, referuar preventivave të depozituara nga të dy operatorët ekonomik, “Tea-D” SHPK dhe “A.E.K & CO” SHPK, rezulton se janë pothuajse identike dhe kanë ndryshime të disa zërave me një shtesë uniforme 10 lekë tek disa kategori punimesh.
“Nga vlerësimi i kërkesës së APP, materialit të KLSH-së dhe dokumenteve të depozituara nga “Tea-D” SHPK dhe “A.E.K & CO” SHPK, në tenderin me objekt “Riparime të zyrave të objektit Njësia Administrative Lukovë”, vlerësojmë se mund të jemi përpara një marrëveshje të ndaluar në oferta midis këtyre 2 kompanive”, nënvizohet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Në këto kushte, AK vendosi hapjen e hetimit të thelluar ndaj kompanisë së Dintar Thanasit dhe firmës tjetër.
Dy vjet më vonë, KLSH do të lint detyrë në Bashkinë Himarë, që kompania Tea-D shpk të kthente në arkën e shtetit një sasi lekësh të marra për punë të pakryera.

Dhe sa më shumë mashtrime dhe zhvatje kryheshin nga kjo kompani, aq më lart është ngjitur Thanasi në hierarkinë e përfitimit të fondeve publike.
Duke qenë se ka përvojë në mashtrimet me tenderat e zyrave, iu dha edhe ndërtimi i këtij filiali nga Oltion Çaçi. Si gjithmonë, me “Flamur” korrupsioni!
gijotina.com/









Discussion about this post