Një incident ka ndodhur ditën e sotme në sallën brenda ambienteve të GJKKO-së, ku gjatë seacës gjyqësore të akuzuarit për vrasjen e Renis Dobrës janë konfliktuar fizikisht. Sherri ka ndodhur mes të pandehurit Petrit Çakri dhe vëllezërve Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj.
Sipas burimeve, konflikti ka nisur pasi kishte filluar seanca, kur vëllezërit Bushgjokaj dyshohet se kanë sulmuar fizikisht Petrit Hoxhën, i njohur edhe me mbiemrin Çakri. Dyshimet paraprake janë se ata e akuzonin këtë të fundit se i kishte spiunuar dhe kishte bërë deklarime të rreme në dëm të tyre.
Mësohet se gjatë incidentit, Petrit Çakri është goditur me grushte dhe është përplasur pas murit, ndërsa ndërhyrja e forcave të sigurisë ka qenë e menjëhershme për të neutralizuar situatën.
Si pasojë e përplasjes fizike, raportohet se janë lënduar edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të të burgosurve, të cilët ndërhynë për të ndalur konfliktin mes të pandehurve.
Ngjarja ka krijuar tension të lartë në sallën e gjyqit, e cila për disa momente është kthyer në një skenë kaosi, ndërsa autoritetet pritet të dokumentojnë incidentin dhe të marrin masat përkatëse ndaj personave të përfshirë.
Ata akuzohen për vrasjen dhe hedhjen në lumë të 23-vjeçarit Renis Dobra.
Si ndodhi krimi:
23-vjeçari nga Dibra, Renis Dobra u rrëmbye dhe u vra me litar mbrëmjen e 8 korrikut, ndërsa trupi i tij u gjet në liqenin e Shkopetit.
Vrasja e 23-vjeçarit u zbardh më 16 Korrik, ku u vendosën në pranga 2 prej autorëve të dyshuar, të cilët dhanë dëshmi kontradiktore para hetuesve, por janë kamerat e sigurisë në bizneset e aksit Burrel-Tiranë që i kanë tradhtuar.
E kaluara e errët në Gjermani, besohet të jetë bërë shkak i vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra në Shqipëri. Policia kriminale e Dibrës, ka zbuluar se Dobra ishte dënuar me disa vite burgim nga Drejtësia Gjermane për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Të tre vëllezërit Aleksandër, Fatjon dhe Kristi Bushgjokaj, personazhe të njohur për policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, të cilin pasi e vranë me litar e hodhën bashkë me makinën e tij buzë liqenit të Shkopetit. Dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë çuan grupin hetimor në drejtim të tre vëllezërve nga Tropoja.
Eliminimi i 23-vjeçarit është realizuar pas një plani të mirëmenduar. Për të kryer vrasjen, vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakri kanë marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Përmes kësaj skeme shpresonin të ishin të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet. Madje, makinave kanë tentuar t’u heqin edhe GPS-in, por nuk kanë mundur. Pasi policia identifikoi auromjetet përmes pamjeve, kuptoi se ishin marrë me qira, dhe më pas, përmes gjurmimit të GPS-së u dokumentuan me prova të gjithë lëvizjet kriminale për eliminimin e 23-vjeçarit. Vëllai më i vogël, Aleksandër Bushgjokaj, dyshohet se në krim ka bashkëpunuar për nxjerrjen për në Kosovë të vëllait tjetër, po me makinë të marrë me qira.










Discussion about this post