Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit ka çuar në zbulimin e një call center-i në Tiranë, i cili dyshohet se përdorej për aktivitete të paligjshme të mashtrimit kompjuterik. Si rezultat i operacionit të koduar “End Point”, janë arrestuar shtatë persona, ndërsa 27 të tjerë janë vënë nën hetim.
Mes të arrestuarve ndodhen katër shtetas shqiptarë, një shtetas nga Paraguai dhe dy shtetas nga Angola. Ndërkohë, mes personave të proceduar në gjendje të lirë janë edhe tre shtetas të huaj nga Brazili dhe Franca.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Gjatë kontrolleve të kryera në ambientet e dyshuara si të përshtatura për ushtrimin e veprimtarisë kriminale, policia arrestoi shtetasit shqiptarë Z. A., 36 vjeç, E. N., 31 vjeç, A. Sh., 28 vjeç dhe B. K., 30 vjeç, si dhe shtetasin paraguajan L. R. M., 41 vjeç dhe dy shtetasit angolezë J. I. C., 28 vjeç dhe S. L. S., 28 vjeç. Të gjithë rezultojnë banues në Tiranë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e përfshirë ushtronin veprimtari të kundërligjshme që lidhen me veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, “Punësimit të paligjshëm” dhe “Fshehjes së të ardhurave”.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një shumë parash në euro, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe 70 kompjuterë dhe 49 telefona celularë të përdorur për këtë veprimtari.
Operacioni u zhvillua në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Tiranës të datës 15 qershor 2026, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore për secilin prej tyre.
gijotina.com/










Discussion about this post