Dy vajza të mitura humbën jetën mesditën e kësaj të premteje në bregdetin e Tales në Lezhë. Jonida Dajlani 9 vjeç dhe Adelajda Misha 11 vjeç, kishin hyrë në det për t’u larë por në orët e mesditës, kur nisën dallgët ato nuk mundën të dalin në breg.
Pas kërkimeve për disa minuta të familjarëve por dhe pushuesve të tjerë, trupat e tyre janë konstatuar pas shenja jeta në breg, disa metra më larg vendit ku kishin hyrë për t’u larë.
Vajzat e mitura janë nga Fushë-Kruja dhe i përkasin komunitetit rom. Ato kishin shkuar për të bërë disa orë plazh bashkë me familjet por pushimet u kthyen në tragjedi.
Vendi ku po qëndronin vajzat është një plazh i pamenaxhuar nga bashkia, që nuk ka çadra, shezlongë dhe as sinjalistikë. Një kullë vrojtimi është e braktisur dhe ka mbetur si relike nga vitet e kaluara.
Për ngjarjen tragjike ka reaguar kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu i cili shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia.
“Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment”, thekson Ndreu.
Kjo është ngjarja e dytë tragjike që shënohet brenda muajit, duke e çuar në 4 numrin e të mbyturve në det.
Më 4 qershor, tek Rana e Hedhun, u mbytën Leonit Aliu, 22 vjeç nga Fushë-Kosova dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç nga Prishtina. Ata ishin pjesë e stafit organizativ të Festivalit Ndërkombëtar “Unum”.
gijotina.com/










Discussion about this post