Vjedhje të parave të bashkisë Bulqizë, inaugurime, mashtrime për vota dhe kështu vazhdon ta përdor me “mjeshtri” pushtetin Festime Mjeshtri.

Pas cdo fotoje të shkrepur pranë udhëheqësit, Mjeshtri forcon pozitat e saj dhe njëkohësisht zullumet me paratë që i janë besuar të administrojë.

Por ka një Bulqizë tjetër, jashtë festave dhe takimeve të PS-së. Banorët e Njësisë Shupenzë ndihen më të zhgënjyerit.
Në tetor të vitit të kaluar, Festime Mjeshtri u shfaq disa herë dhe bënte inaugurime të disa rrugicave të ngushta fare, ku me zor shkëmbehen dy bicilketa. Vazhdonte traditën e paraardhësit Lefter Alla, që përfundoi në burg për këto marifete.

Dhe pa kaluar një muaj, banorët e fshatit Kovashicë, në njësinë administrative Shupenzë, kanë denoncuar shembjen e rrugës së re! Rruga ishte inauguruar në tetor 2026 nga kryebashkiakja Festime Mjeshtri. Sipas banorëve, infrastruktura është jashtë çdo standardi dhe u prish nga shiu i parë që ra në Shupenzë.

Edhe këto ditë, kryebashkiakja Festime Mjeshtri vë në lojë qytetarët e Bulqizës me një tender fiktiv ku ”konkurrentë” janë dy vëllezër.
Asfalti i premtuar para zgjedhjeve vendore është fasada e pazarit me vëllezërit Murati me fondin e bashkisë prej 325 milionë lekë.
Tenderi i Bashkisë Bulqizë për asfaltimin e rrugëve në Njësinë Administrative Shupenzë ka nxjerrë në pah një element që ngre pikëpyetje mbi konkurrencën reale në procedurë. Dokumentet zyrtare tregojnë se oferta më e ulët në garë u paraqit nga bashkimi i operatorëve “KEGLI-DURI”, “MURATI” dhe “LAÇAJ”, por u skualifikua për “mangësi” dokumentacioni.
Kontrata iu dha më pas kompanisë “LIS Konstruksion”. Verifikimet në regjistrat publikë tregojnë se kompanitë “MURATI” dhe “LIS Konstruksion” kanë lidhje të drejtpërdrejta familjare përmes vëllezërve pronarë Imer dhe Bujar Murati.


Më konkretisht, po raportojmë mbi tenderin e Bashkisë Bulqizë “Sistemim, asfaltim i disa rrugëve të lagjeve të Njësisë Administrative Shupenzë”.

Procedura është vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit. Data e njoftimit të tenderit ishte më 17 prill 2026 përmes Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërsa procedura u mbajt më 4 maj 2026.
Megjithëse kanë aplikuar 11 kompani dhe bashkime operatorësh ekonomikë, kjo ka qenë thjesht formale, sepse komisioni ka bërë lojën e dy vëllezërve nga Bulqiza.

Bashkimi i operatorëve “KEGLI-DURI”, “M U R A T I” dhe “LAÇAJ” u skualifikua sepse “nuk e kishin firmosur të tre marrëveshjen e noterizuar të bashkëpunimit”. Ky subjekt kishte ofertën më të ulët. Në fakt, ky është një konkurrent fiktiv, sepse Imer Murati i kompanisë “Murati” nga Bulqiza, është marrë vesh në shtëpi me vëllain e tij Bujarin për rolet në tender.
Dhe në këtë mënyrë, “LIS KONSTRUKSION” SHPK e Bujar Muratit, më 4 qershor 2026, është shpallur fitues i tenderit me firmën e Festime Mjeshtrit.

Duke i njohur personalisht të dy vëllezërit nga Bulqiza dhe duke e firmosur vetë shpalljen e fituesit, Festime Mjeshtri ka treguar guxim të madh, sepse këto janë dokumente që e cojnë direkt në SPAK.

Nuk është rastësi, që Mjeshtri bën korrupsion me Bujar Muratin, që është personazh i dosjeve të drejtësisë.
Prandaj le të flasim pak për të shkuarën e errët të Muratit, i cili shpërdoronte detyrën dhe përvetësonte fonde përmes firmës së tij.
Murati ka themeluar kompaninë e ndërtimit “Euro Alb” në vitin 1999. Në vitin 2006, Murati ia dhuroi aksionet në masën 100 % bashkëshortes së tij, Doriana Murati.
Në vitin 2009, Murati mbante postin e drejtorit të përgjithshëm të Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, kur u arrestua për tenderin e uniformave të Policisë. Drejtori e kishte paracaktuar fituese kompaninë “Gjergjefi”, me pronar Jani Gjergjefi.
Në dhjetor 2009, gjatë operacionit ‘Prokurimi i fundit”, u arrestuan edhe pronari i kompanisë fituese Jani Gjergjefi, specialisti Redi Popescu, shef i prokurimeve në Gardën e Republikës, Tahir Imami si dhe biznesmenët Artan Berberi dhe Agur Sadiku.
Sipas Prokurorisë, tre biznesmenët do t’u jepnin një pjesë të fitimit tre funksionarëve publikë, në këmbim të shpalljes fitues të tenderit.
Bujar Murati, jo vetëm i shpëtoi dënimit, por në janar të vitit 2014 depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e burgut.
Pas shkarkimit si drejtor prokurimesh, arrestimit dhe më pas shpëtimit nga dënimi, Bujar Murati, në dhjetor të vitit 2013, i rimerr sërish aksionet, tashmë përmes dhurimit nga bashkëshortja e tij.

Është pikërisht kompania “Euro Alb”, e cila ishte paracaktuar fituese tenderit abuziv me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës në Bitaj të Lushnjës. Sipas dosjes, kompania e Muratit e kishte fituar tenderin me dokumente të falsifikuara, me ofertë gati sa fondi limit, përmes përjashtimit arbitrar të kompanive të tjera.

Në korrik të vitit 2021, Murati u arrestua me urdhër të SPAK për afera me tenderë me ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe dhe grupin e tij. Theksojmë se pas arrestimit të dytë, Murati ia shet sërish aksionet e kompanisë gruas së tij.
Megjithatë, tenderi korruptiv për kanalin e ujitjes në Lushnje, mund të jetë maja e ajsbergut. Vetëm gjatë katër viteve (2017-202) kompania e Bujar Muratit, herë e vetme dhe herë duke u bashkuar me kompani të tjera, është shpallur fituese e të paktën 66 tenderave në total, me vlerë miliona euro. Nga 66 tendera, kompania e Bujar Muratit, 18 tendera i ka marrë me procedura tejet të dyshimta. 18 tenderat karakterizohen nga mungesa e plotë e garës dhe skualifkimi në bllok të të gjithë konkurrentëve të tjerë.
Murati është jo vetëm zhvatës serial i fondeve publike, por nuk ka as humanizëm. Mori tenderin 2.5 milionë euro për të rregulluar një pallat në Durrës të krisur nga tërmeti i vitit 2019 dhe e la pa e riparuar. Banorët u detyruan të paguanin nga xhepi për të mbaruar punimet.
Të revoltuar ata shkuan në SPAK ku bënë kallëzim për kompaninë.
Historia nisi më 12 prill 2021, kur Bashkia Durrës shpalli tenderin për “Riforcim godine banimi 12-13 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, rruga “Jahja Ballhysa” nr.6, kod GIS 3092 me fond limit 247 milionë lekë ose rreth 2.5 milionë euro me procedurë të kufizuar. Ky fond ishte akorduar për riforcimin e njësive të banimit në ndërtesat (pallat), që ishin klasifikuar si godina të pabanueshme që kishin nevojë për punime rikonstruksioni.
Kompania EURO-ALB) kishte ndryshuar tashmë emrin zyrtar dhe quhej “Lis Konstruksion” shpk. Bujar Murati ia kishte dhënë aksionet gruas së vet Doriana Murati, e cila në 2012 do ia dhuronte mbesës së bashkëshortit, Erilda Murati, e bija e Imer Muratit. Ky është pronar i një tjetër kompanie ndërtimi “Murati” shpk. Më pas, në 2013, mbesa do t’ia dhuronte aksionet Bujar Muratit, i cili do të rimerrte kontrollin e kompanisë për t’ia dhuruar më pas kompaninë bashkëshortes, Doriana Murati. Kuptohet se këto transaksione fshehin gjurmët e fitimeve të korrupsionit me tenderat.
Nga të dhënat e QKB, rezulton se në vitin 2013, kompania “Lis Konstruksion” (ish EURO-ALB) e Bujar Muratit do të fillonte procedurat e bashkimit nëpërmjet përthithjes me kompaninë “MURATI” shpk në pronësi të vëllait të vet, Imer Murati. Ky process deri më sot nuk ka përfunduar.
Sipas dokumenteve zyrtare të bashkimit, “MURATI” shpk ka përgjegjësi për kontratat e punës të siguruara nga “EURO-ALB”, sot “Lis konstruksion”.
Dhurimi i aksioneve dhe ndryshimi i emrit kanë ndodhur në periudhën mars-prill 2023, dy vite pas operacionit të Prokurisë së Posaçme në 2021, ku u arrestua ish kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe. Zyrtari kishte favorizuar kompaninë “Lis Konstruksion” (Ish EURO-ALB) për një tender të akorduar nga Bashkia e Lushnjes.
Në rastin konkret, së bashku me ish- kryebashkiakun u arrestua edhe Murati nën akuzë për falsifikim dokumentesh e kryer në bashkëpunim.
Tani që paratë e rrugëve të Shupenzës, kryetarja Mjeshtri ia ka dhënë Muratit, jemi të shqetësuar edhe për fatin e projektit. Banorët duhet të hapin sytë dhe të mos presin që asfaltin t’ua shembë shiu!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post