Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, dy herë brenda dy muajve, do të hetohet në një dosje nga Prokuroria e Tiranës.
Në fillim të muajit maj, kur 52 studentë përfunduan në spital me shenja helmimi, dyshimet u ngritën ndaj kompanisë, Sori-Al, që çonte ushqimin me katering. Në makaronat që konsumuan, rezultuan bakteret escherichia coli dhe stafilokok.
Edhe këtë 24 dhe 25 qershor, kur 64 studentë u paraqitën në spital, mendohet që sërish shkaku i helmimit të ketë qenë ushqimi, sërish nga e njëjta kompani, në pronësi të Alma Tafanit, ish-bashkëshortja e oligarkut Nikolin Jaka. Megjithatë, do të jetë përgjigjja e analizave ajo që do të përcaktojë shkakun përfundimtar.
Për rastin, reagoi edhe ministri i Bujqësisë Andis Salla.
“Kemi marrë masat për të bllokuar ambientet në Akademi. Po ndiqet nga autoritetet për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Në helmimin e parë nuk ka qenë prej ushqimeve, por prej higjienës. Do të presim edhe analizat që do të dalin sot për të përcaktuar nga vjen shkaku”, tha Salla.
Verifikimet nuk janë përqendruar vetëm te kompania SORI-AL, por janë shtrirë edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky autoritet mori masa pas helmimit në maj të studentëve, por hetuesit kërkojnë të sqarojnë nëse pas rikthimit të aktivitetit të kompanisë në Akademinë e Sigurisë gjatë dy muajve të fundit, janë bërë apo jo kontrollet e nevojshme.
Vetë AKU bëri një reagim publik këtë të premte, duke njoftuar se akvititeti i Sori-Al është pezulluar deri në daljen e analizave. Nga kontrollet, sipas AKU nuk u konstatuan shkelje, por megjithatë u morën 14 mostra ushqimi për analizë mikrobiologjike.
Administratorja e kompanisë Sori-al, Alma Tafani, e cila po hetohet në gjendje të lirë, u tha hetuesve se gjithçka është realizuar në përputhje me procedurat dhe kushtet higjieno-sanitare duke mohuar që shkaku i helmimit të ketë ardhur nga ushqimi. Në një reagim kompania citon “informacionet e mbledhura nga burime të ndryshme”, se në ambientet e Akademisë së Sigurisë është evidentuar edhe prania e virozave sezonale, që mund të kenë sjellë dhe problemet shëndetësore të studentëve.
Në pyetje u morën edhe kuzhinieri i kompanisë, punonjësit që bënë ndarjen e ushqimit në porcione, stafi i shpërndarjes, si edhe studentët e prekur. Por deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona në akuzë.
Në vaktin e darkës të mërkurën studentët konsumuan pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë. Fillimisht në mbrëmje patën të vjella, dhimbje barku 31 studentë, 29 mëngjesin e së enjtes, dhe 4 të tjerë në orët e pasdites.
gijotina.com/










Discussion about this post