Kryebashkiakja e komanduar e Tiranës, Anuela Ristani, për Lavdimir Barajn fshin me gomë 20 kompani dhe i skualifikon nga tenderi. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”.

Këto dy veprime të Anuelës, i ka kapur filtri anti-korrupsion. Për shkeljet e konstatuara, Open Data Albania e ka shenjuar me “Flamur të kuq”. Biznesmeni ka bërë vend tashmë në aferat e Ristanit me paratë e rrugëve.
Së fundmi, Bashkia Tiranë ka zhvillluar tenderin “Ndërtim rruga e fshatit ISMAJLE dhe ÇEKËVE, fshati GËRBLLESH”

Për këtë projekt që financohet nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë për vitin 2026 janë ndarë 133 milionë lekë të reja pa TVSH.
Në tenderin e mbajtur më 26 mars 2026 aplikuan 32 operatorë ekonomikë dhe bashkime kompanish. Nga ana tjetër, komisioni i Anuela Ristanit i skualifikoi menjëherë 20 operatorë, mes të cilëve të gjitha ofertat që ishin më të ulëta se shifra e propozuar nga “Glavenica” shpk me pronar Lavdimir Barajn, i mbështetur në këtë tender nga “Lacaj” shpk.
Nga shqyrtimi i dokumenteve del se bashkimi i operatorëve ekonomik “INERTI” shpk & “ALGES KONSTRUKSION” shpk ka bërë ofertën 69.2 milionë lekë të reja pa TVSH. Në këtë nivel është edhe oferta e bashkimit të firmave “AGI KONS” shpk & “C O L O M B O” shpk.
Ofertë më të ulët kanë bërë edhe “L.T.E CONSTRUCTION”, bashkimi “ROZAFA 94” shpk & “OUEN” SHPK, po ashtu kompania “VELLEZERIT HYSA” shpk. Me ofertë më të ulët prezantohet edhe bashkimi “COMPANY RIVIERA 2008” shpk & “ASI INVEST” shpk. Me ofertë më ekonomike se sa ajo fituese është edhe bashkimi i firmave “Colombo LTD” shpk & “DAJTI PARK 2007” shpk. Edhe joint venture “NDERTIMI” shpk & “SELAMI” shpk është në këtë nivel oferte.
Për të ardhur tek “NIKA” shpk që, po ashtu, ka ofertë më të ulët se bashkimi “LAÇAJ” shpk & “GLAVENICA” shpk.

Megjithatë kompania “GLAVENICA” e Barajt do të shpallej fituese më 11 qershor 2026, pavarësisht këtyre fakteve.
Tenderi është për një rrugë të shkurtër afro 1 kilometër, që kryetarja Ristani ka premtuar ta mvyllë para zgjedhjeve vendore. Por duke parë se si eci tenderi dhe cili e fitoi, kemi rezerva. Kjo pasi kompania në të kaluarën ka mashtruar me situacionet e punimeve.

Operatori Ekonomik Kontraktues “GLAVENICA” shpk ka pronarë Lavdimir dhe Majlinda Baraj, ndërsa administratore është Jona Baraj. Kompania e familjes Baraj, duke qenë se favorizohet nga zyrtarët e PS-së, është e mbushur plot me kontrata nëpër duar.


Kështu, 19 shtator 2025, “Glavenica” shpk ka marrë një tender 1 milion euro sërish me ofertën më të lartë. Pronarët e firmës fituese “Glavenica” Shpk me bazë në Ballsh, janë mbështetës të hapur të PS-së. Në faqen zyrtare në rrjetet sociale promovohen aktivitetet elektorale të Edi Ramës dhe të Taulant Ballës. Si shpërblim kanë marrë gjithë paratë e “Rilindjes urbane” në këtë zonë.
Dhuratë e “Rilindjes” për këtë subjekt ishte edhe tenderi i Bashkisë Korçë me objekt “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Sotir Gurra” dhe ndërtim palestre”.

Fondi afro 1 milion euro është përfituar në gusht 2025 me “Flamur të kuq”.
Ndërkohë në datën 1 shtator 2025, “GLAVENICA” shpk kishte marrë nga kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, kontratën 230 milionë lekë “Urbanizimi i qendrës Karbunarë ”.

Në të njëjtën kohë ka përfituar edhe tenderin me objekt “Rikonstruksioni i rrugës në kodrën Kuzum Baba” me Fondin Limit 38 868 932,00 lekë pa TVSH.
Prokurimi është mbajtur më 9 shtator 2025 në zyrat e Bashkisë Vlorë dhe fituesi është shpallur më 17 tetor 2025.
Dhe mbaruar këto punë, më 9 janar 2026, kryetarja Anuela Ristani do t’i jepte Lavdimir Barajt tenderin me objekt “Ndërtimi i rrugës Verri – Urë”. Edhe këtë radhë Anuelës i valëvitet flamuri.

Këto jane 2 miliardë lekë për një rrugë prapa Dajtit, që akoma nuk ka përfunduar.
Ndërsa në 30 mars 2026, Baraj do të merrte tenderin “Shërbimi i mirëmbajtjes së Gjelbërimit” të bashkisë Kavajë, me fond 2,4 miliardë lekë.

Janë shumë kunguj në sqetullat e Barajt, që i ka nisur gjithë këto projekte. Duket qartazi se zyrtarët nuk po kujdesen të verifikojnë kapacitetet teknike të kompanisë së Barajt, por vetëm besnikërinë e tij ndaj “Rilindjes” duke qarkulluar paratë e tenderave korruptivë.
Biznesmeni Bare nuk mjaftohet që i fiton tenderat duke u favorizuar, por kërkon vazhdimisht të paguhet për punë të pakryera. Këtë gjetje e ka bërë auditimi i KLSH i vitit 2024 në Entin Kombëtar të Banesave. Nga auditimi i zbatimit të kontratës “Ndërtim objekt banimi 8 kate dhe një kat
parkimi nëntokë, në Qytetin e Gramshit”, kanë rezultuar mangësi të cilat kanë të bëjnë me:
Në lidhje me pagesën e situacionit përfundimtar, pasi janë shtuar volumet e punimeve.
Nga ana e kontraktorit dhe mbikëqyrësit të punimeve nuk është reaguar për rishikimin e librezës së masave dhe situacionit përfundimtar, megjithatë nga ana e bashkisë është zbritur vlera 15 milionë lekë.

“Mosplotësimi në tërësi i kërkesave për këtë sistem, konsiderohet si punë e parealizuar”, thekson KLSH.
“Shuma është përfituar padrejtësisht nga kompania dhe përbën dëm ekonomik. Enti të kërkojë në rrugë ligjore arkëtimin e vlerës 9.4 milionë lekë, nga bashkimi i operatorëve “Glavenica” dhe “Alba Konstruksion” SHPK, për punime të parealizuara dhe në mos respektim të specifikimeve teknike.

Ndërkaq në vitin 2023, nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Ndërtimi i pritave malore dhe mur mbajtës në Barç dhe Voskop”, Bashkia Korçë, me vlerë kontratës (me TVSh) afro 68 milionë lekë, realizuar nga OE “Glavenica” SHPK, rezultuan diferenca në volume, pune të pakryera në fakt në vlerën 1.2 milionë lekë pa TVSh.

“Nga Bashkia Korçë të merren masa për arkëtimin e shumës nga “Glavenica” SHPK, vlerë që përfaqëson dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit, si pasojë e likuidimit të punimeve të pakryera”, rekomandon KLSH.

Por le të kthehemi tek banorët e fshatit Gërbllesh, të Njësisë Administrative Ndroq, të cilëve u është premtuar kjo rrugë sa herë ka zgjedhje.


Do të ishte mirë që të denonconin menjëherë nëse do të ketë vonesa të projektit, sepse “Glavenica” e Lavdimir Bares, mikut të Anuelës, është e mbingarkuar me punë publike! Nga ana tjetër, qytetarët duhet të hapin sytë, të mos mashtrohen me dy makina me cakull dhe asfaltin përsipër! Dyshohet se kjo mund të ndodhë, pasi mbikëqyrësja e punimeve, e caktuar nga bashkia Tiranë për këtë rrugë, për koincidencë është gjithashtu nga Mallakastra. Pra, ka afersi mes paleve.
Më 14 maj 2026, tenderi “Loti i I-rë: Mbikqyrja e punimeve për objektin “Ndërtim rruga e fshatit ISMAJLE dhe ÇEKËVE, fshati GËRBLLESH” i është dhënë kompanisë “Arena MK”.
“ARENA MK” sh.p.k, rezulton se ka qenë pjesë e disa raporteve të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në institucione të ndryshme, si Bashkia Mirditë, Ujesjellesi Shkodër, Bashkia Dimal, dhe Bashkia Peqin. KLSH ka gjetur mangësi apo parregullsi në zbatimin e mbikëqyrjes së kontratave. A është zgjedhur kjo kompani enkas që të mbyllë sytë kur Lavdimir Baraj të lërë punime pakryer?
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post