Protesta e zhvilluar këtë të martë para Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione, ndërsa protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të godinës së Parlamentit, ku po zhvillohej seanca plenare.
Me qindra qytetarë u grumbulluan përpara Kuvendit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij. Pavarësisht temperaturave të larta, protestuesit vijuan tubimin me pankarta dhe thirrje kundër mazhorancës dhe Kuvendit.
“Poshtë diktatura!”, “Parlament i krimit!”, “Parlament analfabet!” dhe “Anuloni ligjet!” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës.

Protestuesit iu përgjigjën edhe deklaratës së bërë disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili iu drejtua protestuesve me shprehjen “F*ck you!”. Nën ritmet e këngës së njohur të grupit Queen, “We Will Rock You”, ata brohoritën në kor: “Rama, Rama, f*ck you!”.
Mes parullave të mbajtura në protestë u panë edhe mesazhe si “Shqipëria kërkon revolucion”, “F*ck you Parlamenti”, si dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur pakënaqësi si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj klasës politike në tërësi.
Disa protestues kanë vendosur një kazan plehrash pranë derës së Kuvendit. Veprimi është shoqëruar me thirrje: “Këtu e keni vendin!”
Po ashtu protestuesit dëgjohen duke hedhur thirrje kundër kryeministrit Rama dhe kreut të PD, Sali Berisha: “Rama n’kosh, Berisha n’kosh”.

Protesta u zhvillua paralelisht me seancën plenare të Kuvendit dhe u organizua në kuadër të vijimit të tubimeve kundër qeverisë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
















Discussion about this post