Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho ka komentuar çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Në një seancë dëgjimore për krimet zgjedhore në Komisionin e Ligjeve dhe në përgjigje të deputetit të PD, Oerd Bylykbashi, Braho tha se qëndrimi i SPAK për rastin e Ballukut është publik.
Sipas Brahos, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nga ana tjetër nuk pengon zhvillimin e hetimeve të plota dhe të pavarura nga ana e organit të akuzës.
Braho theksoi se mungesa e masës së sigurimit mund ta vështirësojë apo edhe ta dëmtojë një hetim të caktuar, por prokuroria është e detyruar të veprojë brenda kuadrit aktual ligjor dhe kushtetues.
“Për çështjen konkrete, qëndrimi i prokurorisë është publik. Sa i takon situatës kushtetuese dhe ligjore, imuniteti ndalon vendosjen e masës së sigurimit, por nuk e ndalon prokurorinë që të zhvillojë hetimet të plota dhe të pavarura.
Mungesa e një mase mund ta vështirësojë një hetim të caktuar, edhe mund ta dëmtojë, por ne nuk jemi institucioni që miratojmë ligje. Ne kemi këtë kuadër kushtetues ligjor dhe jemi të detyruar ti bindemi këtij kuadri kushtetues ligjor”, tha Braho.
Ai shtoi se, nëse do të kishte rol në ndryshimet ligjore, personalisht është i mendimit që imuniteti nuk duhet të ekzistojë fare.
“Të ishim ne pala që miratonim ndryshimet kushtetuese ligjore personalisht jam i mendimit se nuk duhet të ketë imunitet fare. Por ky është kuadri ligjor dhe kushtetues. Prokuroria do angazhohet me ato mjete ligjore që ka në kompetencë të saj”, – tha Braho.
Braho u pyet nga deputeti Oerd Bylykbashi nëse SPAK do t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Nuk do të kishte çështje nëse nuk do të kishte shkelje të ligjit. Qëndrimi i Prokurorisë është i qartë dhe po aq e qartë është edhe mënyra se si hetimet kanë vijuar edhe pas refuzimit të kërkesës së mëparshme. Faktet tregojnë se Prokuroria ka bërë punën e saj,” deklaroi Braho.
Ai shtoi se çështja mbetet në fazën e hetimit dhe se nuk mund të paragjykojë vendimin përfundimtar.
“Nuk mund të them sot nëse do të ketë apo jo një kërkesë tjetër. Ajo që mund të garantoj është se çdo vendim do të merret në përputhje me ligjin, mbi bazën e provave që do të sigurohen gjatë hetimit, duke marrë në konsideratë edhe arsyetimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së mëparshme,” u shpreh kreu i SPAK.










Discussion about this post