Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi SPAK-un për mosveprim lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke deklaruar se, sipas tij, për një aferë që kap vlerën e 130 milionë eurove nuk është vënë në pranga asnjë zyrtar i lartë.
Berisha tha se në këtë dosje janë të akuzuar vetëm disa ish-zyrtarë, ndërsa sipaas tij, përgjegjësit politikë, nuk janë hetuar.
Ai akuzoi Edi Ramën se ka firmosur dhënien e bonusit për një kompani që, sipas pretendimeve të tij, u krijua disa muaj më vonë, ndërsa hodhi akuza edhe ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe Belinda Balluku, duke pretenduar se nuk kanë ushtruar kontroll mbi zbatimin e projektit.
“Nuk ka akt më të shëmtuar se për 130 milionë euro të mos ketë një zyrtar të lartë të prangosur, qoftë ai ministër, qoftë ai zëvendëskryeministër apo kryetar bashkie. Kjo është amnisti e krimit”, u shpreh Berisha ndër të tjera.
Berisha: Djegësi i Tiranës, 130 milionë euro të zhdukura, para të qytetarëve të Shqipërisë, taksapaguesve. Dhe janë gjithsej të akuzuar Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu. Dhe dy punonjës të thjeshtë, kaq janë.
Paçka se Edi Rama ka firmosur me dorën e tij të zezë, dhënien e bonusit tetë pikë kompanisë e cila u krijua tetë muaj më vonë mbasi mori bonusin.
E shpalli fituese kompaninë, e cila u themelua dy ditë pasi u shpall fituese. Kurse Erion, Lali Vjedhësi, që kishte detyrë ligjore të kontrollonte punimet së bashku me Lubi Ballukun, bëjnë luftë kundër njëri-tjetrit, Lubia e përcolli Lali Vjedhësin dhe vetë tani firmos urdhër-arrestet nga Skapi i partisë.
Pra, nuk ka akt më të shëmtuar se për 130 milionë euro të mos ketë një zyrtar të lartë të prangosur, qoftë ai ministër, qoftë ai zëvendëskryeministër apo kryetar bashkie. Kjo është amnisti e krimit.
Përveç kësaj, siç e shihni ju, a ka dëshmi më flagrante të përkatësisë partiake të këtij institucioni, i cili mban të fshehtë emra. Ose si Engjëll Agaçi, Ergys Agasi e të tjerë, të cilët përfliten se janë në dosjen Aruba dhe dalin emrat e trafikantëve, dalin emrat e biznesmenëve të dërguar në Aruba me porositë e qeverisë, por jo të qeveritarëve sepse kjo do të ishte dëshmia absolute e narkoshtetit shqiptar.
Ka gjë më të turpshme, ka gjë më të papërgjegjshme se kjo?
Pyesni shqiptarët: Pse nuk tregojnë cilët qeveritarë tuaj shkuan te trafikantët e drogës? Këta janë më të këqij se ata, ata që fshehin emrat e tyre. Dhe njëri prej tyre, më kryesori, është Altin Dumani i cili ka dosjen.










Discussion about this post