Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zhvilluar këtë të martë operacionin e koduar “Basti i Fundit”, në kuadër të luftës kundër organizimit të paligjshëm të basteve sportive dhe lojërave të fatit.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet u kryen në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit me inicialet A.S., në zonën e njohur si “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës.
Gjatë operacionit, efektivët e AMP-së sekuestruan katër kompjuterë, katër monitorë, pajisje serverike dhe pajisje të tjera teknologjike, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin dhe zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të basteve sportive.
Autoritetet bëjnë të ditur se pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale.
AMP njofton se po kryhen të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore për identifikimin e personave të përfshirë, si dhe për verifikimin e rolit të secilit në këtë aktivitet të paligjshëm.
Operacioni “Basti i Fundit” është pjesë e aksioneve të vazhdueshme të autoriteteve për goditjen e lojërave të fatit dhe basteve të paligjshme, të cilat mbeten një nga prioritetet e strukturave ligjzbatuese në vend.










Discussion about this post