Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me koncertin që pritet të mbajë Kenye West në Tiranë më 11 korrik, aktivitet për të cilën do të shpenzohen 4 milionë euro. Në një dalje për mediat, Berisha tha se Rama po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij, ndërsa shtoi se paratë e marra nga fondi i emergjencave mund të përdoreshin për rastet e zjarrit.
Berisha ngriti gjithashtu akuza se institucionet shtetërore, përfshirë ministritë dhe shkollat, po angazhohen për të siguruar pjesëmarrje në koncert, duke thene se biletat nuk janë shitur.
“Dhe dy fjalë për ta mbyllur. Për 4 milionë euro, të marra nga fondi i emergjencës të një vendi me potenciale të mëdha zjarri, për një këngëtar, kjo përbën në mënyrë absolute një nga aktet më të rënda, më të papërgjegjshme.
Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave përdoret vetëm në emergjenca kombëtare. Por Edi Rama ka shtrirë fondin rezervë në llogarinë e tij personale.
Më 10 dhe 11 maj të vitit 2025, ai i dha Giro d’Italia 7 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë për të grabitur votat e qytetarëve, për të gënjyer e mashtruar qytetarët për vota.
Dhe tani, në këtë moment të vështirë të urrejtjes së përgjithshme popullore ndaj tij, të shpërthimit të zemërimit të përgjithshëm kombëtar ndaj tij, të shqiptarëve kudo që ndodhen, ai përpiqet të sfumojë sentimentet armiqësore me koncertin e një këngëtari shumë të njohur, por që ka edhe ai problematikat e tij në deklarime dhe në vlerësime.
Sidoqoftë, nuk kam asgjë kundër koncertit të tij, por nuk pranoj kurrë që ai të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky është një akt që e bën vetëm një njeri që është i aftë për të shpëtuar lëkurën e tij të marrë çdo vendim.
Ju informoj se të gjitha ministritë dhe shkollat kanë bërë listat për të dërguar punonjësit dhe nxënësit në koncert, mbasi biletat nuk janë shitur. Pra, përveç 4 milionëve do të jenë dhe disa milionë të tjera, se punonjësve do u mbahen në rroga ato bileta.
Që do paguhen për koncertin me të cilin Edi Rama beson se duke u përqafuar me Kanye West do mund të përmirësojë imazhin e tij të shkatërruar, do mund të qetësojë urrejtjen e përgjithshme që buron nga shpirti dhe zemrat e shqiptarëve ndaj tij”, tha Berisha.










Discussion about this post