Një aksident i rëndë rrugor ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në autostradën Lushnjë–Rrogozhinë, pranë fshatit Zham Sektor, ku një automjet tip fuoristradë përplasi një grua 75-vjeçare.
Sipas informacioneve paraprake,Bajame Ramazani, 75 vjeçe, po përpiqej të kalonte autostradën për të shkuar drejt tokave bujqësore. Ajo kishte kaluar mbi trafikndarësen, rreth 50 metra larg mbikalimit, kur u godit nga automjeti që po qarkullonte në rrugë.
Si pasojë e përplasjes së fortë, e moshuara pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Lushnjës. Mjekët bëjnë të ditur se ajo ndodhet në gjendje kritike dhe po trajtohet në repartin e terapisë intensive.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë efektivët e Policisë Rrugore, të cilët kryen veprimet hetimore. Drejtuesi i fuoristradës është shoqëruar nga policia, ndërsa po punohet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Ky aks rrugor është një nga segmentet ku ngjarje të tilla janë të shpeshta.
Edhe pse në hyrjet e fshatrave ka mbikalime për këmbësorët, banorët zgjedhin të rrezikojnë jetën duke kaluar në mes të autostradës.










Discussion about this post