Qysh nga viti 2013, kur në pushtet erdhi kryeministri Rama, oligarku i sigurimeve Avni Ponari ka vendosur sundimin në tregun e sigurimeve. SIGALI bashkërendon çmimet me kompanitë e tjera, duke zhvatur gjithjë e më shumë qytetarët shqiptarë.
Nga ana tjetër, kompania e tij ka gllabëruar tregun e tenderave të sigurimit nga istitucionet shtetërore. Këto para që paguhen nga taksapaguesit, Avni Ponari i merr pa garë nga zyrtarët e korruptuar.
Tenderin më të fundit, Ponari e ka marrë nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë, që drejtohet nga Petrit Tare.
Prokurimi titullohet “Blerje shërbimi për sigurimin e automjeteve, shëndetit në udhëtim, aktiveve dhe aksidentet personale”. 20 milionë lekë ka marrë SIGAL nga tenderi i mbajtur me 22 qershor 2026. Praktikisht i gjithë fondi limit është xhiruar për ofertën e vetme.
Shpjegojmë se procedura e prokurimit është zhvilluar me një pjesëmarrës, SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA-n.

Tenderi ka merituar “Flamur të kuq” nga Open Data Albania. Kujtojmë se kjo shenjë tregon riskun e korrupsionit.
Por çfarë sigurohet me 20 milionë lekë? Thuajse çdo gjë që i ka shkuar në mend Avni Ponarit, që ta vendosë në listën e shërbimeve.

Sidomos kujdes i shtuar është treguar për sigurimin e drejtorit Petrit Tare. Drejtori ka paguar për vete karton jeshil 1 vit, sigurim shëndeti në udhëtim 1 vit, sigurim kasko për fuoristradën.

Epo duhet mbajtur mirë drejtori Tare! Drejtori është dëshmitar i SPAK në dosjen e inceneratorëve. Emri i tij u fut në dosjen e SPAK, pasi u zbulua fotoja domethënëse e shkrepur në Romë.


Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi (në atë kohë kryetar bashkie) shfaqet me Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Arben Ahmetajn, Petrit Taren dhe një shtetas italian me emrin Francessco Pistritto. Folën për biznes parqesh fotovoltaikë.
Tare thuhet se u zbërthye në SPAK për këtë udhëtim që e kishte paguar Zoto. Drejtori i Ujësjellësit Korcë, Petrit Tare, burri i ish-gjyqtares në Korçë, Entela Priftit, ka dëshmuar në qershor 2024 në SPAK rreth lidhjes së tij aferën e Inceneratorit të Tiranës dhe rolin e Niko Peleshit. Sigurisht, që e kishte instruktuar bashkëshortja se si të flasë, për çfarë duhej ta mbyllte gojën.

Pra, Tare është drejtor i regjur në korrupsionin me fondet që administron. Prandaj, nuk është cudi, që SIGAL bën biznes me njeriun e Peleshit. Në fakt, për Taren, ky tender është lekë kafeje, kurse për Ponarin është biznes i përditshëm.
Në një nga këto ditë, në 16 janar 2026, Ponari bëri sigurimin e mjeteve të Ujësjellësit, Lushnjë.

Edhe ky tender, me flamur korrupsioni. Po si ka mundësi, që tenderi zhvillohet vetëm me shoqërinë e Avni Ponarit?
Më 20 janar 2026, SIGAL ka firmosur kontratën me Ujësjellësin Pogradec. Edhe këtu i janë xhiruar 5.6 milion lekë për shërbimet e sigurimit.

Nga Pogradeci dinin vetëm numrin e telefonit të Avni Ponarit dhe tenderi është bërë me vetëm një pjesëmarrës.
Në të njëtën ditë, zhvillohej në Fier prokurimi i sigurimit të automjeteve të Ujësjellësit. Janë 10 milionë lekë të dhëna “de facto” pa garë.

Flamuri i kuq valëvitet mbi tenderin e përfituar nga Avni Ponari.
Këta drejtorët e ujësjellësve sikur i ka telefonuar ish-zëvendëskryemnistrja Belinda Balluku, në atë kohë akoma në detyrë. Ndoshta kjo do të dalë nga zbërthimi i telefonit të Ballukut, kur ta marrë SPAK. Por nga mënyra e veprimit, tenderat janë të ngjashëm si pikat e ujit.
Ndërkaq, drejtori i Ujësjellësit Elbasan ka vendosur t’i sigurojë mjetet pikërisht tek Avni Ponari.

Janë 12 milionë lekë të dhëna pa garë, mëe tenderin me “Flamur” korrupsioni, zhvilluar më 17 mars 2026. Më tej, është bashkia Berat që e bën siguracionin e makinave të ndërmarrjes “Berat City Green” tek SIGAL.

E njëjta metodë: “Telefonohet” vetëm SIGAL. Ndërsa më 23 janar 2026, kryebashkiaku Armando Subashi i ka dhënë 10 milionë lekë Avni Ponarit pa konkurrence.

Këtë e ka bërë përmes Ndermarrjes së Shërbimeve Publike të bashkisë. Në të njëjtën ditë dhe me “Flamur të kuq”, në Bashkinë Poliçan, kryetari Adriatik Zotkaj i jepte Ponarit tenderin e sigurimit të makinave.

Më pas, më 5 shkurt 2026, kryebashkiaku i Librazhdit Mariglen Disha do t’i firmoste Ponarit tenderin 6.7 milionë lekë të sigurimit të automjeteve.
Njësoj ka vepruar edhe Kryebashkiakja e Roskovecit, Rajmonda Bufi, me tenderin e sigurimit të makinave.
Ndërsa Josif Gorrea, më 10 mars, në prokurimin “Siguracion per mjetet e Bashkise Divjake per vitin 2026” “ftoi” vetëm SIGAL-in e Ponarit, të cilit i xhiroi 6.2 milionë lekë.

Bosi i sigurimeve gjatë këtyre ditëve arkëtoi për siguracione edhe paratë e bashkive Patos, Memaliaj, Pogradec, Lushnjë, Devoll, Elbasan, Korcë. Të gjitha me procedura me vetëm një pjesëmarrës. Nga janari 2026 numerohen 21 tendera te tille.
Oligarku Avni Ponari e ka nën kontroll të plotë AMF, e cila duhet të kontrollojë çmimet e sigurimeve. Ndikimi i tij malinj ka bërë që rregulloret të hartohen sipas interesave të SIGAL. Faktet janë bërë publike dhe akuzat kanë shkuar deri në sallën e Kuvendit.

Nuk pritet ndonjë reagim as nga Autoriteti i Konkurrencës (AK) që duhet të lëvizte me rastin e këtyre tenderave. Qysh kur në krye të AK u vu Denar Biba, oligarku Avni Ponari e bën gjumin e qetë.
Në vitin 2012, ishte gjoba e fundit që iu vendos kompanisë SIGAL nga AK. Në atë kohë, institucioni i drejtuar nga Lindita Lati, veproi në mënyrë të guximshme, sepse Ponari kishte mbështetjen e ish-kryeministrit Berisha.
AK vendosi “të gjobisë për pjesëmarrje në marrëveshjen e ndaluar “SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA SHA (SIGAL)”, në shumën prej 22.496.193 (njëzet e dy milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e nentëdhjetë e tre) Lekë”.

Hetimi kishte nisur nga informacionet e dhëna në mediat, sipas të cilave nga data 1 Shkurt 2012 midis operatorëve në tregun e sigurimeve është rënë dakort për të rritur çmimet e sigurimit të mjeteve motorrike. Më datë 9 shkurt 2012, inspektorët e Drejtorisë së Mbikqyrjes dhe Hetimit të Tregut realizuan një monitorim të çmimeve duke mbledhur evidencat nga agjentët e shitjeve.
Nga monitorimi, u konstatua që të gjitha kompanitë e sigurimit, në mënyrë të menjëhershme, kanë aplikuar çmime të njëjta pothuajse për të gjitha produktet e MTPLsë së brendshme.
Së fundmi, na bie në sy përdorimi zyrtar i emrit të vjetër të shoqërisë nga Avni Ponari në tenderat e sipërcituar. Sipas dokumenteve, Ponari prezantohet me emrin SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA. Ky është një lloj mashtrimi, sepse austriakët kur panë ambientin e korrupttuar, vendosën të largoheshin nga SIGAL.

Në shkurt 2025, AK autorizoi rikthimin e aksioneve nga pala austriake 100% tek Avni Ponari. Kjo do të shoqërohej me rritjen në treg të çmimit të policave të sigurimit, si rrjedhojë e marrëveshjeve të ndaluara të shoqërive të sigurimit dhe rolit inaktiv të AMF.

Krahas SIGAL, me favorizimin direkt nga qeveria, Avni Ponari ka ngritur një perandori financiare me paratë e shqiptarëve. Avni Ponari është zotërues i kuotave respektivisht në shoqëritë: “AVEL” SHPK; “CITYPARK” SHPK; “INST. I ING. FINANCIARE PER BANKE & SIG”. SHPK; “SIGAL UNIQA INVEST” – Shoqëria Administruese e Fondeve të Pensionit Privat dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive; SIGAL- AD SHPK; “SIGAL RESORT Rëra e Hedhur” SHPK; “TIRANA Shopping CENTER” SHA; “VALBONA Resort” SHPK; “SELECT ENERGY” SHPK.
Shoqëritë e kontrolluara nga Avni Ponari operojnë në import eksport dhe riparimin e automjeteve, trajnime pasuniversitare, dhënie me qira e ambienteve, bar, restorant dhe hoteleri, si dhe agjenci doganore.
Avni Ponari është edhe Kryetar i Bordit Menaxhues të SIGAL UGA LIFE Kosovë; Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të SIGAL UGA Maqedonia e Veriut; dhe Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të SIGAL UGA LIFE Maqedonia e Veriut.
Këto biznese shpjegojnë shumë mirë përse SIGAL është i pari për fitimet e realizuara dhe treti apo katërti në renditje për dëmshpërblimin e të dëmtuarve të siguruar.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post