Zinedine Zidane është shumë pranë rikthimit në futboll, këtë herë në krye të Kombëtares së Francës. Sipas raportimeve të mediave franceze, vendimi për t’ia besuar drejtimin e “Gjelave” ish-trajnerit të Real Madridit është marrë që prej muajit nëntor, ndërsa tashmë pritet vetëm zyrtarizimi.
Burime pranë çështjes bëjnë të ditur se 53-vjeçari ka nisur përgatitjet për detyrën e re, duke përzgjedhur stafin teknik me të cilin do të punojë. Dokumentet e marrëveshjes pritet të firmosen gjatë këtij muaji, duke i hapur rrugë emërimit të tij në pankinën e Francës.
Për Zidane, ky do të ishte rikthimi në rolin e trajnerit pas katër vitesh, që nga largimi nga Real Madridi në vitin 2021. Gjatë dy periudhave në drejtimin e klubit madrilen, ai ndërtoi një epokë suksesi, duke fituar tre trofe radhazi të Ligës së Kampionëve, si edhe një sërë titujsh të tjerë të rëndësishëm.
Kombëtarja e Francës ka qenë prej kohësh objektivi i tij më i madh. Si futbollist, Zidane është një nga ikonat më të mëdha të vendit, duke udhëhequr “Gjelat” drejt triumfit në Kupën e Botës 1998 dhe Kampionatin Evropian 2000.
Nëse marrëveshja finalizohet, ai do të ketë në dorë drejtimin e një prej skuadrave më të forta në botë, me synimin për të fituar trofe në Ligën e Kombeve, Euro 2028 dhe Kupën e Botës 2030. Me një brez futbollistësh të mbushur me talent, pritshmëritë ndaj Zidane do të jenë të mëdha, ndërsa zyrtarizimi i tij pritet të shënojë nisjen e një epoke të re për Kombëtaren franceze.










Discussion about this post