Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka bërë thirrje SPAK-ut që t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke kërkuar që të zbatohet i njëjti standard si në raste të tjera të hetuara nga Prokuroria e Posaçme.
Përmes një reagimi mbi raportin e Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës, Bardhi u ndal te shqetësimi i ngritur nga Brukseli lidhur me vendimin e shumicës socialiste për të mos miratuar kërkesën e SPAK-ut ndaj ish-zëvendëskryeministres.
Sipas tij, raporti evidenton se mazhoranca i ka ofruar mbrojtje politike Ballukut, duke penguar vijimin e procedurave të kërkuara nga drejtësia.
Bardhi kërkon që SPAK të reagojë menjëherë dhe të depozitojë një tjetër kërkesë në Kuvend për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetes socialiste.
“SPAK-u ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli në çështjen Balluku: të zbatojë ligjin, të aplikojë standardin që vetë ka vendosur gjashtë muaj më parë dhe t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut”, deklaron Bardhi.
Deklarata e tij vjen në vijim të debatit politik të nxitur nga raporti i Komisionit Evropian, i cili trajton funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe bashkëpunimin e tyre me institucionet shtetërore në Shqipëri.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Komisioni Europian, në raportin e publikuar dje, shprehet qartë se: “Refuzimi nga Parlamenti për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit. Në mars të vitit 2026, Parlamenti rrëzoi një kërkesë nga SPAK për të hequr imunitetin e një deputeteje të Parlamentit për akuzat për shkelje të barazisë në tendera. Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit.”
Por, ndërsa Komisioni Europian shpreh shqetësim për moslejimin e arrestimit, duke nënvizuar cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të vetmit që nuk shfaqin shqetësim janë prokurorët e SPAK-ut, të cilët po bëhen pjesë e çimentimit të pandëshkueshmërisë në këtë rast.
SPAK-u, prej disa javësh, po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun. Edhe pse vetë SPAK-u ka bërë publike se pozita e saj penale është rënduar me dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po zbaton standardin që vetë deklaroi gjashtë muaj më parë, sipas të cilit, kur rëndohet pozita penale, rëndohet edhe masa e sigurimit.
SPAK-u ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli në çështjen Balluku: të zbatojë ligjin, të aplikojë standardin që vetë ka vendosur gjashtë muaj më parë, t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.










Discussion about this post