Shtatë vjet pas tërmetit, shumë familje në Durrës nuk kanë ende ndonjë ndihmë për strehimin, ndërsa pushteti ndërton zyra luksoze për vete. Kryebashkiakja Emiriana Sako ka firmosur para një jave plot 800 milionë lekë për selitë e dy njësive bashkiake në Ishëm dhe Katundi i Ri. Paratë janë dhënë me dy tendera korruptivë, që i përfituan dy mikesha të përbashkëta të Vangjush Dakos dhe të Emiriana Sakos.
Janë tendera të “Rindërtimit”, që Sako i ndan në tavolinë me klientët e “Rilindjes”, duke shfrytëzuar një vendim të qeverisë të vitit 2019, që e lejon të bëjë “tender të kufizuar”. E thënë më thjesht, në këto tendera kufizohet gara.
Prokurimi i parë ka si objekt “Ndërtimi i godinës së Njësisë Administrative Ishëm” me Fondin Limit 418 milionë lekë pa përfshirë TVSH.
Në datën e mbajtjes së tenderit më 8 qershor 2026 janë ftuar vetëm dy operatorë, ku njëri është fituesi, ndërsa tjetri merr pjesë formalisht pa hyrë realisht në garë. Për shkak të shkeljeve të konstatuara, procedura e prokurimit është vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit.

Njëra kompani është “DION-AL” shpk, firmë e themeluar nga Shpresa Joanidhi. Pas problemeve që pati me drejtësinë, Joanidhi ia ndryshoi emrin kompanisë dhe ua kaloi fëmijëve. Në këtë tender, roli i subjektit është pasiv, në pritje të shpërblimit në tendera të tjerë të bashkisë.
Kompania tjetër, e paracaktuar si fituese, është “RAJLI NDERTIM” shpk. Megjithëse oferta e saj ishte më e lartë, gati e barabartë me fondin limit, komisioni e ka përcaktuar fituese.

Sic mund të dallohet nga dokumenti, oferta e operatorit ekonomik “DION-AL” shpk është më e ulët, por ky e hapur krahun duke mos dorëzuar sigurimin e ofertës.
Në vitin 2019, tërmeti dëmtoi edhe zyrat e Njësisë Administrative Ishëm.

Brenda një kohe të shkurtër u siguruan zyra të reja që mundësonin shërbimet ndaj qytetarëve. Por pushtetarët duan luks, pavarësisht situatës së banorëve.

Sipas preventimit, do të ketë shtrim me pllaka mermeri “Janina”, do të instalohen 17 kondicionerë dhe pajisje të tjera moderne.

Në të njëtën ditë është mbajtur edhe tenderi i dytë. Kjo kontratë ka si objekt “Ndërtimi i godinës së Njësisë Administrative Katund i Ri”. Punimet që duhet të përfundojnë brenda 1 viti, financohen nga fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i bashkisë Durrës.
Janë 396.5 milionë lekë pa përfshirë TVSH që u dhanë me një tender fiktiv.

Sërish janë ftuar vetëm dy kompani. Ato janë “RAJLI NDERTIM” shpk dhe “DION-AL” shpk, që ishin pjesëmarrëse edhe tenderin tjetër për zyrat në Ishëm.
Godina e Njësisë Administrative Katund i Ri u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019, ndërsa në vitin 2021 policia bashkiake e shëmbi përtokë.

Sipas rezultateve të shpallura më 8 korrik 2026, edhe këtë godinë do ta ndërtojë firma e parapëlqyer e Emiriana Sakos.
“Rajli Ndërtim” shpk është një kompani që e futi Vangjush Dako në skemën e korrupsionit me tenderat e Bashkisë Durrës, por Emiriana Sako e shpalli hapur si filialin e familjes së saj.
Sidomos tenderat e Rindërtimit në Durrës janë ekskluzivitet kompanisë “Rajli Ndërtim” shpk. Thuhet se në ndarjen e parave të tenderave, japin vendimin e tyre bashkëshorti i saj Landi Shahini, kunati Edmond Shahini dhe vëllai Anxhelo Sako. Ata prej vitesh kanë ndërtuar një skemë të sofistikuar korrupsioni për të kontrolluar çdo tender, leje ndërtimi dhe licencë në territorin e bashkisë së Durrësit. Për llogari të tyre janë 11 kompani përmes të cilave qarkullohen pagesat.
“Rajli Ndërtim” shpk ishte një kompani modeste e panjohur për publikun e gjerë, me seli në Durrës. Kjo kompani u krijua më 2006 nga Enkelejda (Çollaku) Gojashi.

Biznesmenia është anëtare e Partisë Socialiste dhe aktiviste e flaktë e “Rilindjes”. Në atë kohë ka qenë shpesh dhe anëtare e Komisioneve Zonale të Zgjedhjeve.
Në vitin 2010, Gojashi i shiti gjysmën e aksioneve Lediana Matës nga Tirana. Deri në vitin 2013, kompania kishte xhiro shumë të vogla, por pas ardhjes së PS në pushtet, firma do të bëhej pjesë e lojës së korrrupsionit me tenderat.
Sipas të dhënave zyrtare, në pesë vitet e fundit kjo kompani ka përfituar gjithsej 11.3 milionë euro pagesa nga fondet publike. Nga këto 11 milionë euro kanë ardhur vetëm nga Bashkia e Durrësit.
Dy shoqet, me ndihmën e kryebashkiakut Dako, e shfrytëzuan situatën e tërmetit të 26 nëntorit 2019 për të fituar në maksimum. Në bashkëpunim me kompaninë “G.P.G Company” shpk të oligarkut Paqsor Buzi, firma “Rajli Ndërtim” shpk në vitin 2022 u shpall fituese në dy nga tre tenderat duke përlarë plot 4.46 milionë euro.
Në tre tenderat e mbyllur të Bashkisë Durrës garuan vetëm dy pjesëmarrës. “Inerti” shpk dhe bashkimi i kompanive Rajli-G.P.G. Në tenderin e parë për riforcimin e pallatit “Rajfi” në rrugën Iljaz Reka, paraqiti ofertë vetëm “Inerti”, 14 mijë lekë ose 140 euro më pak se fondi limit. Me fushën bosh “Inerti” shpk u shpall fituese e tenderit 1.2 milionë euro.
Në tenderin e dytë, atë të riaftësimit të pallateve nr 8 dhe nr 10 në rrugën Pelikan u paraqitën dy oferta. Bashkimi i kompanive Rajli-G.P.G ofroi vlerën 2.9 milionë euro. Kurse “Inerti” shpk dha një ofertë që ishte më e lartë se fondi limit, duke u eliminuar me dëshirë.
E njëjta skemë u përsërit dhe në tenderin e tretë, atë për riaftësimit strukturor të pallatit Big Kristi. Bashkimi i kompanive Rajli-G.P.G ofertoi 3 mijë euro më pak se fondi limit, ndërsa “Inerti” sërish duke dhënë ofertë më të lartë se fondi limit. Këto janë qartazi tendera korruptivë të manipuluar me fitues të paracaktuar.
Me këtë metodë, në bashkëpunim me Paqsor Buzin, dy shoqet e “Rilindjes” morën 7 tendera. Ndërsa Buzi për këtë shërbim u shpërblye në tendera të tjerë nga bashkia Durrës.
Në këtë vale, këto dy kompani morën edhe tenderin e Rindërtimit në Rrashbull. Bëhet fjalë për tenderin me objekt: “Loti 2 Rikonstruksioni dhe riparimi mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në Bashkinë Durrës, Njësitë Administrative Nr.5 dhe Rrashbull (Programi i Rindertimit)”.
Fondi Limit i caktuar për këtë projekt është 206 milionë lekë të reja.
Tenderi u mbajt në datën 3 shkurt të vitit 2022, ndërsa fitues i tenderi u përzgjodh pjesëmarrësi i vetëm, bashkimi i kompanive “Rajli Ndërtim” dhe “G.P.G Company”.

Për shkeljet e konstatuara, tenderi u shënua me “Flamur të kuq”.
Ndërsa audituesit e KLSH gjetën se dhënia e kontratës tek këto dy kompani ishte në shkelje të ligjit, për shkak se “Rajli Ndërtim” nuk plotësonte kriteret e vendosura. Po ashtu, kompanitë nuk kishin përcaktuar përqindjet në marrëveshjen e bashkëpunimit.
“Komisioni duhet të kishte bërë propozimin tek kryetarja e Bashkisë për anulimin e procedurës dhe fillimin e një tenderi të ri. Ky mosveprim ka sjellë lidhjen e një kontrate me vlerë 206,8 milionë lekë pa tvsh me një Operator Ekonomik, i cili është shpallur fitues në papajtueshmëri me legjislacionin dhe ngarkon me përgjegjësi anëtarët e komsionit” thotë KLSH në raportin e auditimit.

Por gjetjet e KLSH janë më të rënda se kaq. Sipas audituesve, marrëveshja e ndarjes së punimeve mes dy kompanive në “joint venture” ka qenë fiktive dhe kjo nuk ishte e rastësishme.
Sipas marrëveshjes, “Rajli Ndërtim” pretendonte se kishte 17.28 për qind të punimeve, ndërsa G.P.G Company 82.72 për qind. Por KLSH thotë se kjo ndarje ishte bërë pa preventiv çmimesh me qëllim që të mbulonte paaftësinë e “Rajlit” për të përmbushur kriteret e veçanta. Po kështu sipas KLSH, kjo kompani nuk plotësonte as numrin e kërkuar të punonjësve për të fituar tenderin dhe në këtë tregues dyshohet se ka falsifikuar letrat në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit.

Raporti KLSH nënvizon edhe rolin e Emiriana Sakos, e cila ka firmosur fituesin, por edhe raportin përmbledhës të komisionit të vlerësimit të ofertave, që ka bërë shkelje të ligjit të prokurimeve.
Operatori Ekonomik “Rajli Ndërtim” ShPK ka paraqitur listëpagesën e muajit Dhjetor 2021 për 13 të punësuar. Pretendimi i Komisionit të Ofertave të Bashkisë Durrës se kompania ka dorëzuar listëpagesën për 28 punonjës është i pakuptimtë” thotë KLSH.
Por dyshimi më i madh se i gjithë tenderi ka qenë fiktiv, lind nga fakti se paratë e paguara nga Bashkia Durrës nuk janë ndarë 17.28 për qind tek Rajli dhe 82.72 për qind tek “G.P.G. Company”. Paratë e këtij tenderi kanë shkuar të gjitha në llogarinë e “Rajli Ndërtim”, plot 2 miliard lekë, çka ngre dyshime se G.P.G ishte thjesht një pjesëmarrës fiktiv për të çuar paratë tek “Rajli Ndërtim”. Dhe në këmbim, “G.P.G Company” e Paqsor Buzit mori një kontratë 4 milionë euro nga Emirjana Sako vetëm pak muaj më vonë.
Meqenëse KLSH e nxori zbuluar skemën ku përdorej Paqsor Buzi, atëherë dy shoqet e “Rajlit” u shfaqën krah kompanive të tjera me pronar të sprovuar dhe të besuar në zyrën e Emiriana Sakos.
Dy vjet më vonë, Bashkia e Durrësit do t’i jepte para të tjera firmës “Rajli Ndërtim” nga fondet e Rindërtimit. Këtë radhë në bashkëpunim me kalorësin e korrupsionit Fiqiri Pali, pronari i “Sireta 2F” shpk. Tenderi është shpallur në fund të muajit tetor 2024, teksa objekti ka qenë “riaftësim strukturor i Pallatit nr.1047 (ARVI), Rruga Taulantia” me fond limit 740 milionë lekë pa TVSH.

“Në tender ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘Rajli Ndërtim’ dhe ‘Sireta 2F’ me ofertën me vlerë 73.984.248 lekë”, thuhet në këto dokumente. Diferenca me fondin limit ka qenë vetëm 95.519 lekë.
Në dhjetor 2025, Bashkia Durrës i ka dhënë “Rajlit” kontratën me objekt: Rikonstruksion i objekteve të Njësive Administrative Nr.1, 4, Sukth dhe Rrashbull”. Janë 376 milionë lekë të buxhetit për Rindërtimin, që Emiriana Sako i dërgon me arrogancë në llogarinë e kompanisë që favorizohet prej saj.

Sic mund ta shihni nga formulari i shpalljes së fituesit të tenderit të Bashkisë Durrës, kompania “Rajli Ndërtim” shpk ka bërë ofertë me të lartë se pjesëmarrësja tjetër.
Ndërkaq, qysh pas thirrjes në SPAK, kryebashkiakja e Durrësit, nuk përpiqet as të maskojë veprimet e saj korruptive, por ka dalë hapur. Madje nuk pyet as për Komisionin e Prokurimit Publik, me qëllim për ta çuar tenderin 1.7 milionë euro, tek kompania “Rajli Ndërtim” shpk.
Bëhet fjalë për kontratën “Riaftësimi strukturor i pallatit nr.167 ”Viko” lagjja 13, Plazh, Rruga Pavarësia”. Shkeljet janë aq të dukshme, sa KPP është detyruar të ndërhyjë me dy vendime. Ndërsa Sako refuzonte t’i zbatonte.

Kjo procedurë u zhvillua nga Bashkia e Durrësit në datën 17 prill 2025. Në të u paraqitën 6 oferta nga kompani apo bashkime firmash të ndryshme. Bashkia e Durrësit skualifikoi 5 ofertat duke kualifikuar vetëm “Rajli Ndërtim” shpk.
Por menjëherë pas vendimit të Bashkisë, një nga pjesëmarrësit, “Lis Konstruksion” është ankuar në KPP.
Në datën 28 prill KPP e shqyrtoi ankesën dhe urdhëroi Bashkinë e Durrësit që të rivlerësonte procedurën e prokurimit dhe skualifikimin e “Rajlit”.
Dy ditë më vonë, Bashkia i kthen përgjigje Komisionit të Prokurimeve duke e informuar se e ka rivlerësuar procedurën në përputhje me vendimin e KPP. Por kjo nuk ishte e vërtetë, çka e ka detyruar KPP të nxjerrë një tjetër vendim ku i kërkon Sakos që të zbatojë vendimin e parë të KPP-së.
Për shkak të kësaj situate, KPP ka vendosur të pezullojë tenderin duke e ndaluar Bashkinë e Durrësit të vijojë më tej me procedurën, pa zbatuar më parë vendimin e parë të KPP-së.
Pas ndonjë ndërhyrje nga lart, KPP është dorëzuar më 22 maj 2025 dhe ka lejuar bashkinë të vazhdojë me shpalljen e fituesit të këtij tenderi.
Kujtojmë se Kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako, është paraqitur në SPAK, më 17 maj 2024. Sako qëndroi përreth dy orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Pas daljes, ajo dha një prononcim të shkurtër për gazetarët ku tha se ishte thirrur për një çështje në hetim, por refuzoi të jepte më shumë detaje.

Një cështje e freskët, është përmbytja që ndodhi në janar 2026 në disa lagje të Durrësit, për shkak, sic dyshohet, të mosfunksionimit të hidrovorit të ri, ku ishin investuar 20 milionë euro.

Humja e jetës së një punëtori shënon pikën më të rëndë të përmbytjeve katastrofike në Durrës që kanë shtyrë Prokurorinë të nisë hetimet kryesisht, për 3 vepra penale’; “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post