Gjashtë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve vendore, forcat politike në vend nuk i kanë zyrtarizuar ende kandidaturat e tyre për nëntë majin, por në kampin socialist janë intensifikuar takimet organizative pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe Asamblesë së Tiranës. Sfida më e rëndësishme dhe më e vështirë e mazhorancës mbetet bashkia e kryeqytetit, ku brenda forumeve drejtuese qarkullojnë deri më tani tre emra si kandidatura të mundshme, përkatësisht ministri i Brendshëm Ervin Demo, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu, të cilët konsiderohen si figurat politike me gjasa për të garuar në bashkinë më të madhe të vendit.
Në tre bashkitë e tjera të qarkut të Tiranës pritet të ketë vijimësi me rikandidimin e Rakip Sulit në Kamëz dhe të Blerim Sherës në Vorë, ndërsa për Kavajën emri që lakohet për të hyrë në garë nën siglën e Partisë Socialiste është ai i drejtorit të spitalit, Arben Rugia. Ndërkohë, me hyrjen në fuqi të hartës së re territoriale, Bashkia e Elbasanit merr përmasa edhe më të mëdha duke përfshirë edhe Belshin e Cërrikun, territor për të cilin mazhoranca pritet t’i besojë garën ministrit të Bujqësisë, Andis Salla.
Një tjetër qendër me peshë të veçantë elektorale mbetet Bashkia e Durrësit, ku një prej emrave të përfolur brenda radhëve socialiste për të kandiduar është deputeti i këtij qarku, Ani Dyrmishi. Megjithatë, vendimmarrja përfundimtare dhe fjalën e fundit për përzgjedhjen e dyzet e gjashtë kandidatëve për kryetarë bashkish do ta kenë kryeministri Edi Rama dhe kryesia e Partisë Socialiste.
gijotina.com/







Discussion about this post