Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin në Francë të Ermal Beqirit, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) pas aferës me AKSHI-n.
Në njoftimin zyrtar të publikuar në orët e vona të 28 korrikut, policia sqaron se 44-vjeçari Ermal Beqiri, u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim, ndërsa ditën e sotme (29 korrik) pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
GJKKO i ka caktuar Ermal Beqirajt masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Njoftimi i i policise
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit Ermal Beqiri 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Shtetasi Ermal Beqiri, u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Sipas raportimeve, hetuesit francezë ngritën dyshime për itinerarin e fluturimit, uljen e avionit nën lartësinë e lejuar mbi objektin strategjik dhe faktin se gjatë kontrollit iu gjetën tre pajisje gjurmimi AirTag.
Autoritetet franceze po hetojnë nëse bëhet fjalë për një shkelje të rregullave të fluturimit apo për një veprim të organizuar.
I lidhur ngushtësisht me politikën, ai u ngrit në lartësitë e fitimit të tenderave, deri në shpalljen në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në vitin 2025.
Por, teksa qëndronte në rehati në Francë, kompania e Ermal Beqirit “Soft & Solution” vijonte të fitonte tendera në administratën publike.
Bëhet fjalë për kompanitë “Soft & Solution” dhe “Horizon”, të cilat, edhe pse janë në sekuestro teksa hetimet për AKSHI-n vijojnë, rezultojnë se kanë përfituar një tender.
Rasti i fundit lidhet me Universitetin e Tiranës, i cili ka shpallur fitues “Soft & Solution” dhe “Horizon” në një procedurë prokurimi me vlerë mbi 50 mijë euro për “Mirëmbajtjen e Sistemit Informativ të Institucionit”.
Tenderi u shpall në maj të këtij viti nga administratori i Universitetit, Skerdi Dafa, nën drejtimin e rektorit Artan Hoxha, ndërsa biznesmeni Ermal Beqiri vijon të jetë në arrati dhe në kërkim nga SPAK.
Mësohet se në tenderin në fjalë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.
Por njëri prej tyre rezulton të jetë skualifikuar menjëherë, pasi nuk ka paraqitur asnjë ofertë, duke lënë të vetëm në garë bashkimin e operatorëve në pronësi të Ermal Beqirit, të cilët u shpallën edhe fitues.
Shoqëritë “Soft & Solution” dhe “Horizon” gjenden nën sekuestro prej muajit prill 2026, me urdhër të Gjykatës së Posaçme, në vijim të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Ato menaxhohen nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara, megjithëse pronari përfitues vijon të jetë Ermal Beqiri.
Beqiri është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, nën dyshimet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës dhe shkelje të pabarazisë në tendera.
Ndërsa hetimet lidhen edhe me procedura tenderimi në institucione të rëndësishme publike. Ndaj Beqirit u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, e cila vijon të jetë e paekzekutuar nga Policia e Shtetit.
Ish-drejtoresha Karçanaj fillimisht u vendos në “arrest shtëpie”, ndërsa më pas u la në detyrim për paraqitje nga Gjykata e Lartë.
Hetimet e SPAK
Sipas SPAK, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasin, Armand Frangun dhe persona të tjerë për paracaktimin e fituesve të tenderëve, si edhe për kërcënimin e bizneseve konkurruese që të tërhiqeshin nga garat.
Hetimi, që përfshin edhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, fokusohet në 12 procedura prokurimi me vlerë miliona euro për mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore.
Sipas SPAK, Beqiraj dyshohet se ka përfituar tenderë të manipuluar përmes kompanisë së tij, ndërsa Partia Demokratike ka denoncuar se vetëm në vitin 2024 “Soft & Solution” ka fituar kontrata me vlerë mbi 22.7 milionë euro, pjesë e mbi 30 milionë eurove të përfituara nga AKSHI ndër vite.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu transaksionet financiare të Beqirajt, përfshirë edhe blerjen e një jahti luksoz me vlerë 930 mijë euro, të regjistruar në emër të një shtetaseje rumune 24-vjeçare.










Discussion about this post