Johan Sterjo, drejtor i Ujësjellësit Rajonal të Pogradecit, është prekur nga këmbët e gjata të “oktapodit të tenderave”, Yzedin Bozhaj.

Me një procedurë fiktive, i është dhënë kontrata 2 miliardë lekëshe, kompanisë “Shëndelli” shpk. Biznesmeni Yzedin Bozhaj, jo vetëm që i përfiton kontratat padrejtësisht, por bën mashtrime edhe gjatë zbatimit të tyre. Madje ka dyshime se është futur në transaksione të pastrimit të parave.
Këtë radhë bëhet fjalë për tenderin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Pogradec me objekt “Ndërtimi i Ujësjellësit në fshatrat Urakë-Kotodesh-Katjel, Njësia Administrative Rrajcë”, Bashkia Prrenjas.
Fondi Limit i përllogaritur për realizimin e projektit është 202.4 milionë lekë të reja pa përfshirë TVSH.

Open Data Albania ka valëvitur menjëherë “Flamurin e kuq” për këtë procedurë, duke e shoqëruar me përshkrimin “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”. Shpjegojmë se flamuri përdoret për të sinjalizuar riskun e korrupsionit.
Në tenderin e mbajtur më 15 qershor 2026 morën pjesë 7 operatorë dhe bashkime firmash, por ka dyshime se fituesi ishte i paracaktuar. Komisioni i tenderit nuk është munduar për ta fshehur këtë prapavijë, por qysh në fillim ka vepruar me skualifikime gjoja për mosplotësim kushtesh dhe kriteresh.

Komisioni e hodhi në kosh ofertën e bashkimit të operatorëve të udhëhequr nga “Avduli” shpk me ofertë 185 milionë lekë pa tvsh.
Po ashtu, në këtë nivel është edhe oferta e bashkimit “Mela” shpk & Curri shpk me vlerë 178.3 milionë leke pa tvsh.
Përkundrazi, më 13 korrik 2026, Johan Sterjo ka shpallur fituese kompaninë “Shendelli” shpk me ofertë 195.3 milionë lekë pa tvsh.

Pasi verifikuam dokumentet e tenderit, zbuluam se kompania “Shendelli” shpk nuk e plotëson kriterin e kapacitetit teknik për të realizuar kontratën.
Sipas dokumenteve standard dhe kontratës, del se “Shendelli” duhet të angazhojë 60 punonjës për 1 vit, në punimet ndërtimit të ujësjellësit. Po ashtu, Drejtuesi Teknik i punimeve në objekt duhet të jetë i përfshirë në liçencën e shoqërisë dhe të mos jetë i angazhuar në kontrata të tjera.

Operatori ekonomik duhet të ketë në dispozicion apo mund t’i vihen në dispozicion mjetet e pajisjet teknike të nevojshme për ekzekutimin e kontratës, si kamion vetëshkarkues 10, 15 dhe 20 tonësh, rula, saldatrice, fadroma, eskavatorë, grejder, asfaltoshtruese, autobetoniere, fabrikë betoni, sonda, pompa, gjeneratorë dhe shumë mjete të tjera.
“Shendelli” zakonisht ka një numër mesatar 50 deri në 60 punonjës, por ndërkohë i ka të angazhuar në kontrata të tjera. Meqenëse, komisioni ka bërë një tender formal pa verifikimet përkatëse, po ofrojmë një informacion që është publik.
“Shendelli” ndërkohë është i angazhuar në kontratën me bashkinë Kamëz, me objekt “Ndërtim dhe Rikonstruksion Rrugët Blloku Babrru”, me fond limit 2.2 miliardë lekë pa TVSH. Shpallja e fituesit është bërë më 24 qershor 2026, ndërsa kohëzgjatja e e kontratës është 6 muaj.

Këtu, “Shendelli” ka premtuar me shkrim të angazhojë 54 punonjës dhe një numër akoma më të madh mjetesh, në kuadër të kontratës.
Ndërkaq, më 12 maj 2026, “Shendelli” është shpallur fitues nga Bashkia Fier për tenderin “Rikonstruksion i objektit 3K(Çerdhe+kopsht), Lagjja “29 Nëntori”, Fier”, me fond limit 445 milionë lekë. Në këtë kontratë që zgjat 9 muaj, kompani duhet të ketë 29 punonjës të tjerë.

Sikur të mos mjaftonin tërë këta “kunguj” për sqetullat e “Shendellit”, Bashkia Kamëz më 17 korrik 2026, i ka dhënë tenderin me objekt “Ndërtim Fusha Sportive + Parking dhe Rrugë, Valias”, me fond limit 638 milionë lekë pa TVSH.

Për këtë punë kërkohet për 3 muaj angazhimi i 33 punonjësve. Duke qenë se “Shendelli” ka 90% pjesëmarrje në kontratë, atëherë duhet një staf me 30 veta sipas specialiteteve të kërkuara.
Është e qartë se “Shendelli” duhej skualifikuar, por drejtorit Johan Sterjo i ka shijuar biznesi.
Yzedin Bozhaj e mori nën kontroll kompaninë e familjes më 2005 dhe qysh nga ajo kohë fitimet kanë kapur majat.


Për shkak të favorizimeve, Bozhaj, jo vetëm i zvarrit punimet, por edhe përvetëson para edhe me situacione false. Këtë e ka konstatuar KLSH në auditimet e kryera në disa bashki.
Në dy procedura tenderuese të Bashkisë Sarandë, të audituara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me fitues kompaninë “Shendelli” të Yzedin Bozhajt, është konstatuar në të dy rastet vjedhja e parave publike gjatë zbatimit të kontratave, duke bërë situacione false për punime që nuk ekzistojnë.
Në mars 2023, Bashkia e Sarandës shpalli fituese kompaninë “Shendelli” të tenderit me objekt ‘Rikualifikim dhe riveshje e rrugëve “Onhezmi” dhe rrugës “Adem Sheme”‘, me vlerë 320 mijë euro. Ish- kryebashkiaku Adrian Gurma ka skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë për të shpallur fitues Yzedin Bozhajn.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se biznesmeni Bozhaj ka abuzuar me zbatimin e kontratës me Bashkinë e Sarandës, duke certifikuar punime që nuk ekzsitojnë, me situacione false, një praktikë e shpeshtë vjedhjeje.

Në qershor të vitit 2021, Bashkia Sarandë ka shpallur fituese kompanitë ED KONSTRUKSION dhe SHENDELLI me objekt “Furnizim me ujë i zonës Baba Rexhepi dhe Lugu i Dardhës faza II (loti përfundimtar)”, me vlerë 3.1 milionë euro. Edhe ky tender është shënjuar me “Flamur të kuq” pasi nuk ka pasur asnjë konkurrent tjetër përveç fituesit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar që dy kompanitë me pronarë respektivë Alfred Ibrahimin si dhe Yzedin Bozhajn, kanë vjedhur një pjesë të parave publike, përmes certifikimit me situacione false të punimeve që nuk janë kryer.

Ndërkohë Bozhaj është përfitues i disa koncesioneve për ndërtim hidrocentralesh në Tropojë dhe Kukës. Ka dyshime se këto i ka përdorur për pastrim parash.

Konkretisht “BRADOSHNICE HEC 20” i regjistruar në Kukës, nuk ka akoma një bilanc, pas 6 vjetëve nga krijimi. Koncesioni në bashkëpunim me Aurel Byberin, në fillim kaloi në status “I pezulluar”, më pas u kthye në aktiv. Byberi ka biznese në bashkëpunim me Elton Beqirajn nga Durrësi, i dënuar me 3 vjet burg, në dhjetor 2025, për skemë mashtrimi dhe vjedhje nëpërmjet faturave tatimore false të TVSH-së.
Po ashtu, shoqëria “Curraj Energy21” shpk qysh nga viti 2021 nuk ka regjistruar asnjë bilanc financiar, megjithëse me status “Aktiv”.
E njëjta situatë paraqitet edhe në kompaninë “ABEL ENERGY ALBANIA” shpk. Në këtë subjekt, dyshimi për aktivitetin të lind kur shikon se në Këshillin Mbikëqyrës është vendosur Jehon Breçani. Babai dhe vëllai i Jehonit janë subjekte të SPAK për trafik droge dhe pastrim parash të krimit.

Erzen Brecanit i është sekuestruar një hidrocentral me emrin “Drita”, ku u vërtetua se investonte paratë e drogës të të birit. Vendosja e djalit të Brecanit në Bordin e HEC-it të Bozhajt dhe Byberit nuk besojmë se është thjesht për t’i dhënë një pagë.


Ndërsa në rastin e tenderit të Ujësjellësit për Rrajcën, Yzedin Bozhaj është puqur me një ekspert pushteti, Johan Sterjon.
Drejtori i Ujësjellësit të Pogradecit në janar 2023, mbante dy poste, duke qenë njëkohësisht edhe nënkryetar i Bashkisë Pogradec. Sterjo u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit për shkak se është vëllai i Viola Sterjos, e arrestuar nën akuzën e mashtrimit dhe përvetësimit të parave.

Kanë qenë disa qytetarë nga Korça dhe Pogradeci që denoncuan Viola Sterjon të cilëve u kishte marrë shuma të mëdha parash. Ajo ju premtonte se do të ndikonte tek politikanë në Tiranë dhe në Bashkinë e Pogradecit, që ata të përfitonin financime nga AZHBR. Sterjo në atë kohë ishte drejtoreshë e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës dhe më pas në administratën e AKSHI-t.
Dyshohet se Sterjo u ka marrë qytetarëve të ndryshëm shuma që variojnë deri në qindra mijëra euro, duke premtuar leje për resorte dhe hotele me vlerë investimi nga 2.2 milionë euro deri në 4.5 milionë euro. Gjykata e Korçës e la fillimisht nën masën arrest me burg për mashtrim, por më pas e liroi në arrest shtëpie.
Kjo histori familjare forcon indicien se tenderi ka përfunduar në pazar. Nga ana tjetër, dhënia e kontratës Yzedin Bozhajt e bën të paparashikueshëm fatin e projektit të ndërtimit të ujësjellësit në Rrajcë.
Kujtojmë se në këtë zonë ka shembuj të investimit në ndërtimin e ujësjellësit të ri që nuk ka funksionuar më pas.
Banorët e fshatit Rrajcë Sutaj kanë protestuar vazhdimisht për mungesën e ujit të pijshëm. Investimi për rrjetin e ri të ujësjellësit me vlerë rreth 6 milionë euro duhet duhet t’i furnizonte me 24 orë ujë, por në rubinet nuk mbërrin ujë fare ose u shkon me orar të reduktuar.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post