Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së enjtes një magazinë në zonën e Shkozetit, në Durrës, duke shkaktuar panik dhe ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të konsiderueshme të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, flakët dyshohet se janë shkaktuar pasi dy kabllo të tensionit të lartë u shkëputën për shkak të temperaturave të larta dhe ranë mbi magazinë, duke i vënë zjarrin objektit.
Në momentin e shpërthimit të zjarrit, brenda magazinës ndodheshin punëtorë.
Deri tani nuk ka një konfirmim nëse të gjithë kanë arritur të dalin, ndërsa ekziston frika se mund të ketë persona të bllokuar. Flakët rrezikojnë gjithashtu tre banesa pranë magazinës.
Për arsye sigurie, policia ka bllokuar qarkullimin e automjeteve në aksin Plepa–Durrës, pasi kabllot e tensionit të lartë kanë rënë në rrugë, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve.
Si pasojë e dëmtimit të linjës elektrike, rreth gjysma e qytetit të Durrësit ka mbetur pa energji elektrike.
Ndërkohë, policia ka shoqëruar një person për t’u marrë në pyetje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.










Discussion about this post