Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës po vijojnë prej më shumë se tre orësh operacionin intensiv për shuarjen e zjarrit të rënë në një magazinë fishekzjarrësh e lodrash në zonën e Shkozetit.
Në operacion janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse, 4 autobotë, 1 autoshkallë dhe 24 punonjës të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH).
Në mbështetje të operacionit janë angazhuar gjithashtu edhe forcat dhe mjetet e Portit të Durrësit, si edhe Stacioni i MZSH-së Shijak.
“Falë ndërhyrjes së shpejtë, profesionalizmit dhe koordinimit të të gjitha strukturave të angazhuara, zjarri është vënë nën kontroll. Aktualisht po vijon puna për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura dhe sigurimin e perimetrit”, thanë autoritetet vendore.
Gjatë operacionit, dy efektivë të shërbimit zjarrfikës, Nadir Kapaj dhe Maliq Gjyli, janë transportuar në spitalin rajonal Durrës për shkak të asfiksimit si pasojë e tymit dhe zjarrit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.
Aktualisht nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme të flakëve. Shkaqet e zjarrit do të bëhen të ditura pas përfundimit të hetimeve nga autoritetet përgjegjëse.
“Bashkia Durrës u uron zjarrfikseve të lënduar shërim sa më të shpejtë dhe shpreh mirënjohjen për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij operacioni në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e institucionit vendor.










Discussion about this post