Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kundërshtuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Sarandës për kthimin e pjesës së pasme të oborrit të gjimnazit “Hasan Tahsini” në parking publik.
Zhupa e ka cilësuar këtë vendim një “skandal”, duke deklaruar se hapësira prej kohësh është kërkuar nga komuniteti, mësuesit dhe nxënësit për t’u shndërruar në ambiente sportive dhe rekreative për të rinjtë.
Sipas saj, në vend që të investohet në ambiente të gjelbra dhe sportive për nxënësit, bashkia ka zgjedhur ta përdorë këtë hapësirë për parkim automjetesh.
Deputetja demokrate theksoi se Saranda ka nevojë për parkingje publike, por ato duhet të ndërtohen në zona të planifikuara dhe jo duke cenuar hapësirat e shkollave.
Zhupa i bëri thirrje Bashkisë Sarandë të tërhiqet nga ky projekt, duke kërkuar që oborri i gjimnazit “Hasan Tahsini” të mbetet në funksion të nxënësve.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Skandali i bashkisë Sarandë, oborri i gjimnazit “Hasan Tahsini” do të kthehet në parking publik.
Prej kohësh është kërkuar nga komuniteti, mesuesit dhe nxënësit që pjesa e pasme e oborrit të gjimnazit “Hasan Tahsini” të shndërrohet në ambiente sportive dhe rekreative për të rinjtë. Ky do të ishte një investim në shëndetin, edukimin dhe mirëqenien e brezit të ri. Në vend të kësaj është miratuar me votat e socialistëve në këshillin bashkiak Sarandë që oborri të tjetërsohet në parkim makinash pasi kjo pasuri i kaloi Bashkisë Sarandë.
Standardet e planifikimit të shkollave synojnë pikërisht të kundërtën: më pak makina pranë ambienteve arsimore, më shumë hapësira të gjelbra, sportive dhe të sigurta për nxënësit.
Bashkitë e përgjegjshme krijojnë zona të mbrojtura rreth shkollave, kufizojnë qarkullimin e automjeteve dhe investojnë në mjedise që nxisin aktivitetin fizik dhe socializimin, jo në shtimin e trafikut.
Një parking publik pranë gjimnazit do të thotë më shumë hyrje e dalje automjetesh, më shumë rrezik për nxënësit, më shumë zhurmë, ndotje të ajrit dhe një mjedis më pak dinjitoz për një institucion arsimor. Oborri i shkollës nuk është një truall rezervë për të mbuluar mungesën e vizionit të bashkisë Sarandë.
Saranda sigurisht që ka nevojë për parkingje publike. Këtë e kemi kërkuar vazhdimisht, sepse mungesa e tyre është pasojë e mungesës së planifikimit urban. Por ato duhet të ndërtohen në hapësira të projektuara për këtë qëllim, përmes një plani serioz urbanistik. Kur mungon vizioni, sakrifikohen shkollat. Nuk ndërtohet një qytet europian duke sakrifikuar hapësirat e shkollave. Përkundrazi, qytetet europiane si pretendojmë te bëhemi investojnë që shkollat të kenë më shumë ambiente sportive, më shumë gjelbërim dhe më shumë siguri.
Hiqni dorë nga ky projekt i turpshëm dhe cënimi i sigurisë dhe standarteve për nxënësit e gjimnazit.










Discussion about this post