Ka përfunduar protesta e 71-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, pas një tjetër marshimi të qytetarëve në rrugët e Tiranës.
Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në drejtim të rrugës “Ukraina e Lirë”, duke vijuar më pas drejt zonës së Shallvareve dhe më tej në drejtim të Myslym Shyrit.
Gjatë këtij aksi, qytetarët u ndalën edhe pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ku protestuesit përsëritën thirrjen: “Arrestoni Ramën!”
Marshimi vijoi më pas në Bulevardin “Gjergj Fishta”, për t’u rikthyer në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Në përmbyllje të marshimit, qytetarët kënduan edhe këngë patriotike, ndërsa përsëritën thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike.
Mes sloganeve të dëgjuara gjatë protestës ishte edhe “Rama n’burg, Berisha n’burg!”, ndërsa protestuesit theksuan se Shqipëria i përket rinisë dhe jo partive politike: “Shqipëria e rinisë, jo e partisë!”
Ashtu si në netët e mëparshme, protesta e 71-të u mbyll me thirrjen që është kthyer tashmë në refren të përditshëm të protestuesve: “Nesër më shumë!”
Qytetarët u shprehën të vendosur për të vijuar protestat edhe në ditët në vijim, duke u bërë thirrje të tjerëve brenda dhe jashtë vendit t’u bashkohen rezistencës, ndërsa kanë thirrur protestë kombëtare në datat 14, 15 dhe 16 gusht.










Discussion about this post