Myrto Uzuni ishte deçiziv në fitoren 3-0 të FC Austin kundër Pueblas në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Ligës, sfidë e cila u zhvillua këtë mëngjes me orën shqiptare në stadiumin “Q2” në Austin të Teksasit.
Sulmuesi kuqezi shënoi të tre golat kundër meksikanëve duke ia dalë të gjejë tripletën e parë në tokën amerikane, për të marrë të firmosur në shtëpi topin e ndeshjes.
Beratasi ishte ‘karikuar’ që në fillim dhe pas vetëm katër minutave lojë ofroi mrekullinë e parë, duke kthyer në gol një goditje dënimi nga afro 20 metra. Goditja e Myrtos kaloi murin mbrojtës dhe portieri Trujillo Rodrigues nuk kishte asnjë shans për të ndalur sferën.
Pas vetëm tre minutave dhe një aksioni të rrjedhshëm nga vendasit, Myrto Uzuni gjeti edhe golin e dytë të ndeshjes. Një pasim me thembër nga Ramires bëri që Uzuni, i cili ndoqi aksionin, ta dërgonte topin në rrjetë.
‘Qershia mbi tortë’ do të vinte në minutën e 34-t, kur beratasi shënoi golin më të bukur të mbrëmjes dhe një ndër më të veçantët në karrierë. Krosimi nga këndi i Torres gjeti Uzunin në kufijtë e zonës së 16 metërshit, teksa sulmuesi kuqezi lëshoi një ‘predhë’ fluturimthi për të shënuar golin e tretë të ndeshjes dhe të tretin personal.
Uzuni luajti gjithë takimin duke treguar se vijon të jetë lideri i ekipit amerikan edhe këtë sezon.
gijotina.com/










Discussion about this post