Deputeti demokrat dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi ka reaguar pas takimit të kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive në Kuç të Vlorës, ku pati debate dhe përplasje në lidhje me propozimin e PS-së për riorganizimin e hartës së re të bashkive.
Boçi shprehet se kryeministri nuk i thirri kryebashkiakët që kundërshtojnë shkrirjen e bashkive për t’u dëgjuar por për t’u bindur. Ai shtoi se kryetarët e bashkive që shprehën kundërshtime ndaj ndryshimeve të propozuara nuk u dëgjuan, por u përballën me presion dhe disa prej tyre u larguan nga takimi.
“Në Kuç, kryetarët e bashkive ishin thirrur gjoja për t’u konsultuar mbi hartën e re territoriale. Por sapo disa prej tyre mbrojtën bashkitë, vendimet e këshillave dhe shqetësimet e komuniteteve që përfaqësojnë, konsultimi mori fund. Ata nuk u dëgjuan, por u kërcënuan dhe u nxorën jashtë. Sepse, për Ramën, konsultim do të thotë t’i bindesh atij, jo të dëgjohesh prej tij.”, thekson ai.
Sipas tij, ngjarja në Kuç tregoi edhe njëherë se vendimi për reformën është marrë shumë më parë nga Rama, dhe se konsultimi ishte vetëm teatër.
“Ngjarja e Kuçit e zbuloi më qartë se çdo dokument natyrën e këtij procesi. Vendimi është marrë dhe ishte marrë kohë më parë, ndërsa konsultimi ishte e është vetëm teatër. Kryetarët nuk u thirrën për të dhënë mendim, por për t’u njoftuar dhe bindur. Kush pranoi, qëndroi në sallë. Kush kundërshtoi, u shpall “rebel” dhe u përjashtua.”, shton ai.
Reagimi i plotë:
KUÇ, RAMA!
“Kush del kundër ndarjes, me qëndrime dhe vendime, e ka personale me mua.”
Kështu e mbylli luftën e shpallur dje ndaj kryetarëve e këshillave rebelë, Rama.
Kjo fjali nuk është thjesht një shpërthim nervozizmi momental i tij.
Është përmbledhja më e sinqertë e mënyrës se si ai e koncepton pushtetin.
Për të çdo mendim ndryshe nuk është qëndrim institucional, por sulm personal ndaj tij.
Njëherazi është dëshmi e gjendjes së tij në shkallën më të lartë të panikut.
Në Kuç, kryetarët e bashkive ishin thirrur gjoja për t’u konsultuar mbi hartën e re territoriale.
Por sapo disa prej tyre mbrojtën bashkitë, vendimet e këshillave dhe shqetësimet e komuniteteve që përfaqësojnë, konsultimi mori fund.
Ata nuk u dëgjuan, por u kërcënuan dhe u nxorën jashtë.
Sepse, për Ramën, konsultim do të thotë t’i bindesh atij, jo të dëgjohesh prej tij.
E sipas tij një kryetar bashkie që kundërshton shkrirjen e territorit që administron nuk po kryen detyrën e vet, por “e ka personale” me Kryeministrin.
Një këshill bashkiak që merr vendim kundër hartës së qeverisë, nuk po shpreh vullnetin e komunitetit, por po sfidon udhëheqësin.
Kështu, një çështje që duhet të trajtohet me kritere demografike, ekonomike dhe administrative, reduktohet në humorin dhe egon e një njeriu arrogant, harbut e të pisët.
Rama harron se bashkitë nuk janë degë të Partisë Socialiste, kryetarët nuk janë vartësit e tij dhe këshillat bashkiakë nuk janë dekor institucional. Ata kanë mandat nga qytetarët dhe detyrimin të flasin në emër të tyre, edhe kur kjo nuk i pëlqen Kryeministrit.
Ngjarja e Kuçit e zbuloi më qartë se çdo dokument natyrën e këtij procesi. Vendimi është marrë dhe ishte marrë kohë më parë, ndërsa konsultimi ishte e është vetëm teatër.
Kryetarët nuk u thirrën për të dhënë mendim, por për t’u njoftuar dhe bindur. Kush pranoi, qëndroi në sallë.
Kush kundërshtoi, u shpall “rebel” dhe u përjashtua.
Rama harron se territori i Shqipërisë nuk është pronë personale e Edi Ramës.
Dimalin, Poliçanin, Selenicën apo Divjakën nuk ia kanë lënë trashëgim që t’i bashkojë, t’i ndajë apo t’i fshijë nga harta sipas dëshirës së tij.
Kur u thotë atyre që e kundërshtojnë se “e kanë personale me mua”, Rama në fakt pranon diçka tjetër. Se është ai që e ka personalizuar reformën, pushtetin dhe vetë shtetin.
E në këtë pikë revolta është përgjigja!
(Kuç Rama!)
gijotina.com/










Discussion about this post