Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të vendit.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, sot 15 gusht, janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 vijojnë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse.
Në terren janë gjithashtu 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Një nga zonat ku vijon angazhimi më i madh është Gurë-Lura në Dibër. Për të frenuar përhapjen e flakëve drejt banesave janë hapur korridore me mjete të rënda. Në terren ndodhen forca të shumta bashkiake, të Policisë, ADZM-së, MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur vlerësohet në rreth 200 hektarë pyll pishe, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Flakët vijojnë edhe në Qafë Helmes, në zonën Dibër-Bulqizë, ku zjarri është shuar në krahun e fshatit Bulqizë, por mbetet aktiv në drejtim të Selishtës.
Në Tiranë, operacioni vazhdon në malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku janë angazhuar 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Në Krujë, zjarri në Abaze mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezikuar banesat, ndërsa vatra në Zidoll është nën monitorim.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Mirditë, Pukë, Gjirokastër, Vlorë dhe Librazhd. Në Gjirokastër flakët vijojnë në disa zona, përfshirë Sotirën, Dropullin, Bregun e Lejlekut, Libohovën dhe Krahësin, ndërsa në Vlorë operacionet vazhdojnë në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik.
Në pjesën më të madhe të zonave ku vijojnë zjarret, autoritetet raportojnë se nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin, me ndërhyrje nga toka dhe ajri, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.










Discussion about this post