Bota e artit dhe kinematografisë shqiptare është në zi. Aktorja Rezana Çeliku, e njohur për publikun shqiptar veçanërisht gjatë viteve ’70-’80, është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare.
Çeliku u afrua me ekranin pa pasur një formim profesional në aktrim. Ajo nisi të shfaqej si prezantuese e festivaleve rinore në Televizionin Shqiptar, ku spikati për natyrshmërinë dhe komunikimin e saj.
Më pas, ajo interpretoi në disa produksione të njohura të kinematografisë shqiptare. Ndër rolet e saj më të spikatura ishte ai i një partizaneje në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, si edhe roli i mësueses në “Shokë të një skuadre”.
Në vitin 1989, Çeliku u shfaq në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje. Personazhi i saj, që përfshihej në një marrëdhënie me një djalë më të ri, ishte një rol jo i zakonshëm për kohën dhe ngjalli diskutime.
Ky do të ishte edhe interpretimi i saj i fundit në kinematografi. Pas largimit nga aktrimi, Rezana Çeliku punoi si mësuese në disa fshatra të Tiranës. Më vonë u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe vijoi karrierën në administratën publike, ku për vite me radhë punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2011, ajo kishte folur edhe për jetën e saj personale, duke treguar se kishte zgjedhur të qëndronte e pamartuar dhe se një prej pengjeve të saj më të mëdha ishte fakti që nuk kishte pasur fëmijë.
Ndarja e saj nga jeta shënon humbjen e një tjetër emri të brezit të artistëve që lanë gjurmë në kinemanë dhe televizionin shqiptar.










Discussion about this post