Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur kërkesat e protestuesve, duke e vendosur në krye të tyre dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Vatnikaj tha se protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas saj, duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Përsërisim kërkesat që na kanë nxjerrë në këtë shesh. Kërkojmë dorëheqjen e Ramës, së dyti kërkojmë krijimin e një qeveri tranzitore 12 mujore që do ta çojë vendin në zgjedhje të lira dhe demokratike, pa ndikimin e mafies e të krimit dhe pa patronazhistë. Së treti kërkojmë anulimin e të gjitha ligjeve që e ndajnë Shqipërinë copa copa për ta shitur, anulimin e Paktës së Maleve, anulimin e ligjit për Investimet Strategjike dhe atë për zonat e mbrojtura”, tha aktivistja.
Ajo kërkoi gjithashtu ndryshime në mënyrën e funksionimit të sistemit politik, duke propozuar kufizimin e mandatit të çdo kryeministri në dy mandate gjatë gjithë karrierës së tij politike.
“Së katërti kërkojmë që Shqipërisë ti vihet nderi në vend, që Shqipëria të mos qeveriset nga dy individë, që herë janë President, herë kryeministër e herë ministër. Kërkojmë që cdo kryeministër të jetë i zgjedhshëm vetëm për dy mandate gjatë gjithë jetës së tij politike. Së fundi kërkojmë që Revolucioni i vërtetë të ndodhë, kërkojmë krijimin e një kontrate të re mes shoqërisë shqiptare dhe shtetit, ku të jetë qeveria që i shërben qytetarit dhe jo qytetari Shqipërisë”, deklaroi Vatnikaj.










Discussion about this post