Pelegrinazhi i Madh i Malit të Tomorrit që kulmon në muajin gusht ka mbledhur bashkë me qindra mijëra qytetarë për ditë me radhë që mes lutjesh dhe ritesh të kremtimit të kësaj feste i janë drejtuar me besim Teqesë së Kulmakut në malin e shenjtë.
Ngjitja drejt malit ka nisur që në ditët e para të pelegrinazhit. Besimtarët me qirinj në duar luten dhe kryejnë ritet tradicionale, ndërsa një prej momenteve më të rëndësishme është flijimi i qengjit, mishi i të cilit më pas piqet dhe ndahet mes pelegrinëve.
Për shumë prej tyre, udhëtimi nuk përfundon në Kulmak. Ata vijojnë rrugën drejt majës së Tomorrit, në 2416 metra lartësi, duke e kthyer ngjitjen edhe në një përjetim shpirtëror.
Dita e 22 gushtit shënoi kulmin e festimeve, por pelegrinazhi vijon deri më 25 gusht.
Para besimtarëve, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Mondi, e vuri theksin tek bashkimi që sjell kjo festë, pavarësisht origjinës apo vendit nga vijnë pelegrinët.
“Të dashur besimtarë, një nga bukuritë më të mëdha të këtij pelegrinazhi është se këtu takohen njerëz të ndryshëm, janë qytete e krahina të ndryshme, janë troje shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës. Këtu na bashkon një gjë shumë më e madhe se dallimet tona, besimi në paqe, dashuria për njeriun dhe respekti për atë që është e shenjtë”, tha Baba Mondi.
Mesazhi i tij ishte edhe një apel për më shumë mirëkuptim dhe bashkim mes shqiptarëve.
Ndërkohë, për ditët e pelegrinazhit janë angazhuar forcat e Policisë dhe strukturat vendore, të cilat po menaxhojnë qarkullimin dhe sigurinë përgjatë rrugës drejt malit të shenjtë.










Discussion about this post