Donjeta Sadiku ka shkruar një tjetër faqe të artë për sportin e Kosovës.
Boksierja kosovare është shpallur kampione në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Sadiku zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në finalen ndaj Kristina Kuluhovas, e cila garon për Serbinë.
Kosovarja e nisi duelin me ritëm të lartë, duke kontrolluar raundin e parë dhe duke goditur saktë kundërshtaren.
Sadiku ishte veçanërisht e rrezikshme me goditjet drejt kokës, duke marrë avantazhin në ring.
Megjithatë, finalja nuk shkoi deri në fund për shkak të një dëmtimi të pësuar nga Kuluhovas.
Boksierja serbe pësoi një lëndim në zonën e arkadës pas goditjeve dhe nuk mundi të vazhdonte përballjen.
Në këtë mënyrë, meçi u ndërpre në raundin e dytë dhe Sadiku u shpall fituese.
Kështu, ajo i dhuroi Kosovës medaljen e artë në një nga kompeticionet më të rëndësishme të vitit.
Rrugëtimi i Sadikut drejt titullit ishte mbresëlënës që nga çerekfinalet.
Ajo mposhti turken Esmanur Lok me rezultatin 4:1, ndërsa në gjysmëfinale triumfoi 5:0 ndaj grekes Sofia Legaki.
Me këtë sukses, Donjeta Sadiku konfirmon edhe një herë potencialin e saj në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër arritje madhështore për boksieren kosovare dhe një moment krenarie për sportin e Kosovës.









Discussion about this post