Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Kavajë, ku një 47-vjeçar dyshohet se ka shkuar për të vrarë katër persona.
Sipas të dhënave paraprake, autori i dyshuar kishte marrë armën me vete me qëllim hakmarrjeje, pasi katër personat në fjalë dyshohet se kishin dhunuar nipin e tij.
Ndërhyrja e Policisë ka bërë të mundur parandalimin e një tragjedie të mundshme, duke vënë në pranga 47-vjeçarin përpara se situata të përshkallëzohej.
Njoftimi i plotë:
Kavajë/Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale. Me armë zjarri në automjet, po shkonte për të vrarë personat që kishin dhunuar nipin e tij, falë informacionit të marrë në rrugë operative dhe ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale.
Vihet në pranga 47-vjeçari, i cili u kap me armë zjarri automatik, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Arrestohet djali i pronarit të hotelit dhe një shok i tij, shpallet në kërkim djali tjetër i pronarit, ndërsa procedohet në gjendje të lirë dhëndëri i pronarit, të cilët kishin dhunuar 18-vjeçarin, (kamerier në lokalin e hotelit dhe nipi i 47-vjeçarit)
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Stacionit të Policisë Golem, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në një hotel në zonën e Malit të Robit, Golem, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi F. H., së bashku me shtetasit A. F., E. D. dhe M. M., kanë dhunuar shtetasin G. N., 18 vjeç, kamerier në lokalin e hotelit, për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer. 18-vjeçari ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë kryerjes së veprimeve, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit, shtetasi M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë, i armatosur me armë zjarri, ishte nisur drejt hotelit, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke ndaluar në afërsi të hotelit automjetin që drejtohej nga ky shtetas. Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Po nga veprimet hetimore rezultoi se vendngjarja ishte pastruar, DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç, banues në Kavajë; u shpall në kërkim shtetasi A. F., 36 vjeç; u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. M., 36 vjeç, banues në Kavajë.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.










Discussion about this post